Menu

Rrezik për konsumatorët, Carrefour tërheq fritezën me ajër 6-litërshe

Një fritezë me ajër e markës Carrefour Home është tërhequr nga tregu për shkak të rrezikut që paraqet për shëndetin e konsumatorëve. Bëhet fjalë për modelin 6-litërsh HAF6L1750-26, për të cilin është konstatuar përkeqësim i veshjes së brendshme të skarës, duke krijuar mundësinë që fragmente të saj të shkëputen dhe të përfundojnë në ushqim.

Njoftimi për tërheqjen është publikuar më 20 nëntor në Francë, përmes platformës zyrtare Rappel Conso. Masa prek pajisjet e shitura në hipermarketet Carrefour dhe supermarketet Carrefour Market, duke filluar nga prilli i vitit 2026.

Sipas paralajmërimit, dëmtimi i veshjes së brendshme krijon rrezikun e gëlltitjes së fragmenteve të materialit bashkë me ushqimin, çka ka bërë që kompania të kërkojë ndërprerjen e menjëhershme të përdorimit të pajisjes.

Konsumatorëve që kanë blerë këtë model u rekomandohet të mos e përdorin më fritezën. Ata mund ta kthejnë pajisjen në pikën ku e kanë blerë, ku do të përfitojnë rimbursimin e plotë të shumës së paguar.

Identifikimi i produktit bëhet përmes modelit HAF6L1750-26 dhe barkodit 3617702347998.

Për informacione të mëtejshme, Carrefour ka vënë në dispozicion numrin pa pagesë të shërbimit ndaj klientit 800 650650.

Tërheqja e produktit vjen si masë parandaluese për të shmangur ekspozimin e konsumatorëve ndaj rrezikut të konsumimit aksidental të pjesëve të shkëputura nga veshja e brendshme e pajisjes. (IlFattoAlimentare)

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts