Gjurmueshmëria e produkteve ushqimore mbetet një nga hallkat e dobëta të sigurisë ushqimore. Një tjetër rast është evidentuar në Shkodër, ku Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka konstatuar shkelje në një subjekt të përpunimit të mishit.
Kontrolli është ushtruar nga inspektorët e AKU-së në bashkëpunim me strukturën e Krimit Ekonomik, pas një kërkese të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.
Në subjektin “Universal Frigo Darb”, me aktivitet përpunimin e mishit, inspektorët kanë konstatuar mungesën e sistemit të gjurmueshmërisë së produkteve. Për këtë shkelje është vendosur masë administrative me gjobë në vlerën 100 mijë lekë.
Mungesa e gjurmueshmërisë është një problem serioz për sigurinë ushqimore, pasi ky sistem mundëson identifikimin e origjinës së produkteve dhe ndjekjen e rrugës së tyre nga furnizimi deri në tregtim.
Rasti i Shkodrës është pjesë e kontrolleve të zhvilluara në disa qarqe të vendit nga AKU, për verifikimin e zbatimit të standardeve të sigurisë ushqimore.
Qendra Alert/Alert.al


