Menu

Bllokohen mbi 2 ton produkte mishi në Fier, ruheshin në kushte të papërshtatshme

Mbi 2 ton produkte mishi janë bllokuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Fier, pas konstatimit të një sërë shkeljesh në një subjekt që ushtronte aktivitetin në përpunimin e mishit. Mungesa e kushteve higjieno-sanitare, problemet me ruajtjen e produkteve dhe mungesa e gjurmueshmërisë kanë vënë në pikëpyetje sigurinë e produkteve që mund të përfundonin në tryezat e konsumatorëve.

Kontrolli është ushtruar nga inspektorët e AKU-së Fier në bashkëpunim me strukturën e Krimit Ekonomik, pas informacionit të përcjellë nga Prokuroria, në subjektin R. Sauli.

Gjatë inspektimit janë konstatuar mungesa të kushteve higjieno-sanitare dhe të kushteve të përshtatshme për ruajtjen e produkteve. Gjithashtu, subjekti nuk dispononte sistem gjurmueshmërie për periudhën tetor-nëntor dhe nuk kishte zbatuar plotësisht sistemin e vetëkontrollit HACCP.

Për shkeljet e konstatuara, AKU ka bllokuar gjithsej 2,089 kilogramë produkte, nga të cilat 1,629 kilogramë gjiro, 100 kilogramë dhjamë derri dhe 360 kilogramë kima mishi pule. Produktet janë destinuar për asgjësim.

Ndaj subjektit është vendosur edhe një gjobë prej 1 milion lekësh, ndërsa aktiviteti është ndërprerë pjesërisht në zonat ku janë evidentuar problematikat.

Rasti në Fier ngre pikëpyetje mbi kontrollet e sigurisë ushqimore dhe mënyrën se si subjekte të përpunimit të mishit garantojnë kushtet e ruajtjes, kontrollit dhe gjurmueshmërisë së produkteve që tregtojnë.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts