Kushdo që jep apartamentin me qira për disa ditë, përmes Airbnb, Booking apo edhe drejtpërdrejt, do të jetë i detyruar ta regjistrojë në e-Albania dhe të pajiset me një kod unik. Projektligji i ri për turizmin synon të vendosë nën kontroll tregun e akomodimit afatshkurtër, i cili po njeh rritje të shpejtë.
Regjistrimi i detyrueshëm do të përfshijë çdo njësi që jepet me pagesë për qëndrime afatshkurtra, qoftë apartament, vilë apo dhomë. Procedura duhet të kryhet përpara nisjes së aktivitetit nëpërmjet portalit e-Albania.
“Njësitë akomoduese për qëndrime afatshkurtra regjistrohen, përpara fillimit të ushtrimit të veprimtarisë, nëpërmjet portalit unik qeveritar e-Albania dhe pajisen me kod unik regjistrimi” thuhet në projektligj.
Kodi unik do të jetë i detyrueshëm edhe në çdo reklamë apo ofertë të publikuar në platformat online. Përmes këtij mekanizmi synohet identifikimi i çdo njësie që ushtron aktivitetin e dhënies së akomodimit me qira ditore, si dhe krijimi i një pasqyre më të qartë të këtij tregu.
Ndryshimet nuk ndalen vetëm te apartamentet. Projektligji parashikon rregulla të reja edhe për agjencitë turistike, veçanërisht në rastet kur ato falimentojnë. Në këto raste, parashikohet krijimi i një fondi të posaçëm për rimbursimin e turistëve për pagesat e shërbimeve që nuk janë realizuar. Gjithashtu, subjektet turistike do të kenë detyrimin të sigurojnë përgjegjësinë ndaj palëve të treta.
Një tjetër çështje që prek drejtpërdrejt pushuesit është aksesi në plazhe. Subjektet që administrojnë stacionet e plazhit do të detyrohen të garantojnë kalimin e lirë dhe të pandërprerë të qytetarëve drejt bregut të detit, pa gardhe apo barriera që pengojnë lëvizjen.
“Subjekti që ushtron veprimtarinë stacion plazhi duhet të garantojë aksesin e lirë, të pandërprerë dhe lëvizjen e lirë të publikut drejt bregut të detit”.
Për shkeljet parashikohen gjoba deri në 400 mijë lekë. Ndërsa mungesa e vrojtuesit të plazhit do të dënohet me 200 mijë lekë gjobë, e cila në rast përsëritjeje arrin në 400 mijë lekë.
Projektligji është aktualisht në fazën e konsultimit publik dhe nëse miratohet, do të sjellë detyrime të reja për pronarët që japin banesa me qira ditore, agjencitë turistike dhe subjektet që administrojnë plazhet.
Qendra Alert/Alert.al


