Menu

Nga e hëna prodhimet nga ferma vetëm me certifikatë sigurie, ministrat dalin në kontroll

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Petrit Malaj dhe ajo e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, dolën sot në terren për të inspektuar mbi shitjen e produkteve ushqimore të sigurta dhe ndërgjegjësimin për sigurinë ushqimore, formalizimin dhe kontrollin e produkteve. Në takimet në biznese tregtare vëmendje tw veçantë ia kushtuan produkteve të ndjeshme si mishi, qumështi dhe prodhimet bujqësore, për të cilat u kërkua rritje e përgjegjësisë dhe transparencës në zinxhirin e furnizimit.
Ministrja Denaj theksoi se çdo produkt duhet të shoqërohet me një faturë fiskale dhe certifikatwn e veterinerit, ku pasqyrohet rruga që ka ndjekur nga ferma deri te konsumatori. Ajo tha se pa këtë dokumentacion nuk mund të flitet për siguri ushqimore reale, dhe se rregullsia në treg është një detyrim i përbashkët i të gjithë zinxhirit.
Ministri Malaj u shpreh se Ministria e Financave, në bashkëpunim me strukturat tatimore, është duke punuar për të evidentuar dhe verifikuar origjinën e produkteve, për të garantuar cilësinë dhe për të forcuar sigurinë për konsumatorin. Ai theksoi se ndjekja e këtij procesi është thelbësore për të mbrojtur tregun dhe për të vendosur rregulla të barabarta për të gjithë.
Ndërkohë, përfaqësuesi i administratës tatimore shtoi se qëllimi i strukturave të tatimeve është të informojnë sa më shumë shitësit dhe fermerët për rëndësinë e faturave, jo vetëm për mbledhjen e të ardhurave në buxhet, por edhe për aspektin e sigurisë ushqimore. Ai tha se verifikimi i këtyre faturave do të shtrihet deri te vetë fermeri, për të siguruar që dokumentacioni që shfaqet në treg është i saktë dhe i bazuar në transaksione reale.
Një prej bizneseve u shpreh se ndërgjegjësimi i fermerëve është në përparim dhe se shumë prej tyre tashmë janë më të vetëdijshëm për detyrimet që kanë përballë ligjit dhe konsumatorit.
Këto deklarata u bënë në kuadër të një aksioni informues të zhvilluar sot në Durrës nga përfaqësues të qeverisë. Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama paralajmëroi se duke filluar nga e hëna, çdo produkt bulmeti dhe qumështi që tregtohet pa faturë do të sekuestrohet menjëherë, pa asnjë paralajmërim, si pjesë e masave për rritjen e kontrollit dhe respektimit të ligjit në tregun ushqimor.

Related Posts