Menu

Aksioni për kontrollin e ushqimeve bujqësore dhe blektorale, bllokohen 63 ton produkte pa faturë

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, gjatë kontrollit në 151 subjekte tregtare, kanë bllokuar 63 tonë produkte bujqësore dhe blegtorale që janë konstatuar pa faturë blerjeje. Në deklaratën për mediet, tatimet bëjnë të ditur se aksioni u shtri në qarqet Tiranë, Durrës, Fier, Lezhë dhe Korçë.

“Ky proces është një përpjekje e koordinuar mes Ministrisë së Financës, Ministrisë së Bujqësisë dhe strukturave të tjera përkatëse për të garantuar gjurmueshmërinë e produkteve, faturimin tatimor dhe identifikimin e fermerëve përmes NIPT-it”, thuhet në deklaratë.

Në faqen zyrtare të Drejtorisë së Tatimeve është publikuar një thirrje për të gjithë tatimpaguesit që të respektojnë detyrimin për lëshimin e faturave fiskale në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor, me qëllim rritjen e transparencës dhe gjurmueshmërisë nga prodhuesi te konsumatori.

Nisma nisi më 3 korrik në një mbledhje të zhvilluar në Cërrik me Kryeministrin Edi Rama, ku u shpall pezullimi dhe shkrirja e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe u la një afat 48 orësh për formalizimin e tregut. Ky afat u ripërsërit edhe në mbledhjen e 11 korrikut, ku u bë thirrje për ndërgjegjësim dhe largimin nga tregu të produkteve të pakontrolluara dhe pa faturë.

Related Posts