Menu

Britani, një test i ri më i ndjeshëm ndaj Covid-19

Studiuesit në Britani thonë se kanë krijuar një test të ri më të ndjeshëm PCR për COVID-19. Në ndryshim nga testet akuale PCR, testi i ri rezulton pozitiv vetëm nëse virusi vazhdon të jetë ngjitës. Ky zhvillim vjen rreth më pak se një ditë pas njoftimit të qeverisë britanike për reduktimin e numrit të ditëve që njerëzit duhet të izolohen, në vetëm pesë ditë. Shkencëtarëve në universitetin ‘Exeter’ iu kërkua të prodhonin një test PCR më të ndjeshëm nga ato në qarkullim. Ata përshtatën testin ekzistues dhe e aplikuan atë në mostrat e marra nga 176 pacientë të shtruar në spital, për të zbuluar nëse virusi ishte potencialisht ende aktiv.

Testet PCR, me të cilat jemi familjarizuar gjatë pandemisë, zbulojnë materialin gjenetik nga një organizëm specifik, siç është koronavirusi. Problemi është se testi jo vetëm që zbulon praninë e një virusi nëse jemi të sëmurë me COVID-19 apo nëse jemi infektues në atë periudhë, por ai gjithashtu mund të zbulojë fragmente të virusit edhe pasi nuk jemi më infektues.

Sipas Lorna Harries, Profesoreshë e Gjenetikës Molekulare, në Universitetin e Shkollës Mjekësore ‘Exeter’, testi i prodhuar në këtë laborator funksionon paksa ndryshe. Ai është pozitiv vetëm kur je ende infektues.

“Një test normal PCR është në thelb si një fotokopje molekular, kështu që kërkon praninë e materialit gjenetik të virusit, e përforcon atë dhe e mat në mënyrë që të mund ta shihni nëse është aty ose jo. Testi konvencional nuk bën dallimin mes virusit, i cili është aty dhe aktiv, dhe virusit që ka mbetur pas infektimit. Testi ynë është pak më ndryshe. Ai kërkon posaçërisht për atë pjesë të virusit, që është i pranishëm vetëm kur ai është duke u ndarë në mënyrë aktive, ndaj ai e zbulon virusin vetëm kur ai është aktiv”, thotë ajo.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts