Menu

Analizë

Çfarë cilësie ka vaji i ullirit shqiptar? Ja rënditja

Shqipëria, si pjesë e mesdheut ka një traditë shekullore të prodhimit të ullirit, por vitet e fundit ka marrë akoma më shumë vëmendje për shkak të potencialit që ka në ekonominë e vendit sa i përket të ardhurave që gjeneron. Po ashtu, një rëndësi të veçantë i jepet edhe për shkak të vlerave që ka. Por si renditet vaji i ullirit, i cili prodhohet në Shqipëri, krahasuar me vendet e tjera? Renditja Botërore EVOO, e cila është krijuar për të promovuar për konsumatorët produktet më të vlerësuara në botë, ka ekzaminuar 18,312 mostra të vajit të ullirit nga 38 vende prodhuese të ullirit ku mes tyre gjendet edhe vendi ynë. Nga këto 38 shtete prodhuese të vajit të ullirit, Shqipëria renditet në vend të 32-të duke u vlerësuar me 157.50 pikë për vitin 2022. Sipas të dhënave të raportit, Shqipëria ka 4 çmime të fituara sa i përket shijes dhe cilësisë së vajit të ullirit.

Në krye të renditjes për vitin 2022 qëndron Italia me vajin më të mirë të ullirit, duke grumbulluar 84,738 pikë dhe me 1,971 çmime të fituara. Në vend të dytë në botë renditet Spanja me 63,007 pikë dhe me 1,393 çmime, ndjekur nga Greqia në vend të tretë më 53,830 pikë. Turqia, Portugalia, Argjentina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndjekin në renditje në vend të katërt, pestë, gjashtë dhe shtatë. Sa i përket vendeve të fundit gjejmë të renditur Kazakistanin, Azerbajxhanin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Ndërkohë, Malta dhe Bosnje Hercegovina renditen pas Shqipërisë përkatësisht në vend të 33-të dhe 34-tët.

Sipas të dhënave të “Institutit të Statistikave” në vitin 2021, sipërfaqja gjithsej e drufrutorëve është 87.6 mijë hektarë, ku pjesën më të madhe të sipërfaqes së drufrutorëve për vitin 2021 e zë ulliri me 62,0% ose e thënë ndryshe 54.4 mijë hektarë. Referuar po të dhënave të INSTAT sa i përket prodhimit të ullinjve, në vitin 2021 është regjistruar në 110.164 tonë, duke pësuar një rënie karahasuar me vitin 2020 prej 16.5%. Ullinjtë e kultivuar janë në dy varietete kryesore, ullinjtë varietet për vaj që përfaqësojnë 87,6% të prodhimit ullirit dhe ullinjtë varietet për tavolinë që zënë 12,4%. Nga ana tjetër, sa i përket vitit që sapo lamë pas, biznesi vendas është shprehur se ka pasur një mbiprodhim, thuajse 4 herë më të lartë të vajit të ullirit. Pra, sipas këtij raporti, cilësia e vajit të ullrit shqiptar është ndër më të dobëtat në botë. Pra, nisur nga këto shifra duket se tregu ka mbiprodhim të vajit të ullirit, por referuar renditjes ciliësia nuk është më e mira. Këtë e vërteton edhe varësisa nga importet për këtë produkt. Përpos prodhimit të vajit “Made in Albania” një peshë të konsiderueshme zë edhe produkti i importit. Aktualisht, shumica e vajtit të ullirit vjen nga Italia, si vendi i parë më i madh për importin e vajit të ullirit për Shqipërinë, ndërsa Greqia renditet e dyta. (Scan)

Qendra Alert/Alert.al

Problemi me ujërat e ndotur, vetëm 15% e popullsisë merr shërbim nga impiantet

15% e popullsisë së Shqipërisë merr shërbim nga impiantet për trajtimin e ujërave të ndotura. Vet qeveria i pranon këto mangësi teksa thotë se kjo gjë ka sjellë shqetësime kryesore si mungesën e licencimit dhe tarifimit për trajtimin e ujërave të ndotura, funksionimin dhe mirëmbajtjen e pamjaftueshme dhe ndikimit mjedisor të kufizuar për shkak të rrjeteve dhe lidhjeve në zhvillim e sipër.

Në raportin për integrimin europian 2023-2025 theksohet nevoja urgjente për të siguruar harmonizimin e plotë me Direktivën e Trajtimit të Ujërave të Zeza Urbane, shtrirjen e rrjeteve të kanalizimeve, licencimin dhe aplikimin e tarifave për të gjitha impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura dhe ndërtimin e atyre të reja, veçanërisht në zonat urbane dhe bregdetare dhe ato të vizituara nga turistët.

“Rrjeti i monitorimit dhe raportimit të cilësisë së ujit dhe sistemi i licensimit duhet të përmirësohen më tej dhe të harmonizohen me kërkesat e acquis. Nën-sektori i furnizimit me ujë dhe kanalizimeve ka nevojë për përmirësime. Megjithatë, nevojiten përpjekje më të mëdha për të forcuar kapacitetet, performancën dhe qëndrueshmërinë e shërbimeve komunale.”- shkruan më tej raporti.

Edhe pse janë shtuar impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura përsëri janë të pamjaftueshme. Këtë fakt evidenton raporti vjetor i Entit Rregullator të Ujit 2021. Pavarësisht një rritje të lehtë të mbulimit me impiante të trajtimit të ujërave të ndotura, sërish vendi mbetet larg objektivave të vendosura thuhet në raport.

Sipas Entit Rregullator të Ujit shërbimi i “grumbullimit e largimit të ujërave të ndotura” ofrohet nga 53 shoqëri ndërsa përpunimi i tyre arrihet të kryhet vetëm nëpërmjet 8 (tetë) impianteve të ndërtuara ndër të cilat vetëm 5 (pesë) prej tyre janë të pajisur me licencë nga ERRU, ndërsa 3 (tre) prej tyre ende nuk plotësojnë kërkesat ligjore për licencim për këtë kategori shërbimi.

Rritja e cilësisë së shërbimit të kanalizimeve lidhet me nevojën e të pasurit të impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura. Për vitin 2021 kanë raportuar të dhëna 7 shoqëri ku numri total i popullsisë së shërbyer është rreth 33,563 banorë krahasuar me vitin 2020. Ky tregues gjithsesi mbetet në nivele të pakënaqshme

Për të konsoliduar progres, qeveria rendit të nevojshme miratimin e projektligjit për furnizimin me ujë dhe kanalizimet brenda vitit 2023, si dhe Strategjisë Kombëtare 2022-2030. (Scan)

Qendra Alert/Alert.al

Studimi: Bletët bëjnë dallimin mes numrave çift dhe atyre tek

Deri më tani, kategorizimi tek dhe çift, i quajtur edhe klasifikimi i barazisë mendohej se ishe ekskluzivitet i njerëzve. Por, në një studim të ri, të botuar sot në revistën Frontiers in Ecology and Evolution, rezulton se këtë aftësi e kanë edhe bletët.

Trajnimi i bletëve për të mësuar tek dhe çift

Studimet kanë treguar se bletët mund të mësojnë të renditin sasitë , të kryejnë mbledhje dhe zbritje të thjeshta, të përputhin simbolet me sasitë dhe të lidhin konceptet e madhësisë dhe numrit.

Për t’u mësuar bletëve një detyrë barazie, individët u ndanë në dy grupe. Njëri ishte trajnuar për të lidhur numrat çift me ujë me sheqer dhe numrat tek me një lëng me shije të hidhur (kininë). Grupi tjetër u trajnua për të lidhur numrat tek me ujë sheqeri dhe numrat çift me kininë.

Bletët u trajnuan duke përdorur krahasimin e numrave tek kundrejt çiftit (me karta që paraqesin 1-10 forma të printuara) derisa ato zgjodhën përgjigjen e saktë me 80% saktësi.

Çuditërisht, grupet përkatëse mësuan me ritme të ndryshme. Bletët e stërvitura për të lidhur numrat tek me ujin me sheqer mësuan më shpejt. Paragjykimi i tyre i të mësuarit ndaj numrave tek ishte e kundërta e njerëzve, të cilët i kategorizojnë numrat çift më shpejt.

Më pas, studiuesit testuam çdo bletë në numra të rinj që nuk u shfaqën gjatë trajnimit. Në mënyrë mbresëlënëse, ato i kategorizuan numrat e rinj me 11 ose 12 elementë si tek ose çift me një saktësi prej rreth 70%.

Rezultatet treguan se truri në miniaturë i bletëve ishte në gjendje të kuptonte konceptet tek dhe çift. Pra, një tru i madh dhe kompleks i njeriut i përbërë nga 86 miliardë neurone dhe një tru insekti në miniaturë me rreth 960,000 neurone, mund të kategorizojnë numrat sipas barazisë.

Qendra Alert/Alert.al

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, letër të hapur për Këshillin e Evropës: Ka ardhur koha që BE t’a shohë realitetin me Kosvën ashtu siç është

Për dijeni: Josep Borrell, Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë.

Tiranë, 26 Dhjetor 2022 – Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë po ndjek me shqetësim të madh situatën në veri të Kosovës, e përshkallëzuar me tërheqjen e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës, ngritjen e barrikadave dhe përdorimin e dhunës nga bandat kriminale që synojnë një agjendë politike destabilizuese, të mbështetur nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Këto momente kërkojnë qartësi gjykimi dhe vendosmëri veprimi nga NATO, BE dhe SHBA, përpara shpërthimit të një konflikti me pasoja të pakontrollueshme.

Vlen të kujtohet se Kosova ishte vendi i fundit i rajonit që vuajti nga gjenocidi dhe spastrimi etnik i regjimit të Millosheviçit, duke çuar në ndërhyrjen ushtarake të NATO-s. Që prej asaj kohe, janë zhvilluar disa procese negociatash për arritjen e paqes, në përfundim të të cilave Kosova ka miratuar në mënyrë të njëanshme të gjitha propozimet ndërkombëtare, përfshirë pakon Ahtisaari, parimet e së cilës janë trupëzuar në Kushtetutën dhe qeverisjen e Kosovës.

Pavarësia e Kosovës ishte një rast ‘sui generis’ dhe një histori suksesi e investimit të përbashkët të popullit të saj dhe e vendosmërisë së palëkundur politike, transatlantike dhe evropiane.

Kosova tani është një vend lider i demokracisë, sundimit të ligjit dhe mbrojtës i të drejtave të njeriut, duke lënë pas secilin nga 5 vendet e tjera të rajonit. Raportet ndërkombëtare e vendosin Kosovën e linjëzuar me BE në krye të renditjes, duke konstatuar progres thelbësor në të gjithë treguesit e qeverisjes.

Dialogu i ndërmjetësuar nga BE, i nisur në vitin 2011 me qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, gjeneroi marrëveshje të rëndësishme, ku Marrëveshja e Brukselit 2013 ishte më gjithëpërfshirësja. Leva e BE dëshmoi të ishte e fortë dhe efikase, duke i shërbyer një epoke paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi midis dy vendeve, si dhe në mbarë rajonin tonë.

Fatkeqësisht, ato momente optimizmi dhe angazhimi janë zbehur, pasi qasja e BE në rajon u shndërrua në politika kontradiktore, pavarësisht papajtueshmërisë së tyre me projektin evropian dhe vlerat e tij.

Kjo qasje kontradiktore u thellua me sjelljen e disa liderëve evropianë të cilët arritën deri në miratimin e njëanshëm të skenarëve të shkëmbimit territorial, që çel kutinë e Pandorës me orekset monoetnike në rajon, duke minuar dhe vetë parimin themelues të Bashkimit Evropian.

Është për të ardhur keq që disa liderë evropianë kanë mbyllur sytë ndaj nostalgjisë së Presidentit Vuçiq për politikat e Millosheviçit, që jehon përtej fjalimit të tij provokues të vitit 2018 apo glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës. Gjatë kësaj kohe, Serbia ka vazhduar të forcojë lidhjet e saj me Rusinë, duke përdorur të njëjtën propagandë konflikt nxitëse, ka përparuar me importimin e armatimit të rëndë, me stërvitje të përbashkëta ushtarake, marrëveshje dypalëshe të koordinimit së politikës së jashtme, ka refuzuar zbatimin e sanksioneve, kundër të gjitha pritshmërive dhe politikës së BE-së. Presidenti Vuçiç shkoi deri aty sa bëri thirrje për dërgimin e 1000 trupave serbe në Kosovë, duke sfiduar hapur jo vetëm Kosovën por edhe aleatët evropianë dhe transatlantikë.

Ndërkohë që BE-ja ka qenë vigjilente për efektet e mundshme të agresionit Rus kundër Ukrainës sovrane dhe demokratike, ajo në mënyrë të pafalshme vazhdon politikën e saj paqtuese kundrejt aktorëve proxy të Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sikur asgjë të mos ketë ndryshuar që nga shkurti i këtij viti.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë beson fuqimisht se ka ardhur koha që BE-ja ta shohë realitetin ashtu siç është, me Kosovën qenësisht të ankoruar në rrugën evropiane, të përkushtuar drejt paqes, stabilitetit dhe prosperitetit, ndryshe nga Serbia që ka zgjedhur kapelën e Rusisë, duke shpallur, pa asnjë kufizim, një luftë hibride kundër Kosovës, institucioneve legjitime demokratike dhe integritetit të saj territorial.

Ushtrimi i tepruar i presionit ndaj Kosovës, në vend të ndalimit të skenarëve destabilizues të sponsorizuar nga Rusia, sugjeron mesazhin më të keq të mundshëm duke rrezikuar investimin politik vizionar të aleatëve perëndimorë jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.

KASH beson se mekanizmi i dialogut mbetet alternativa më e mirë si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë për të çelur përfundimisht dhe me vendosmëri një kapitull të ri në marrëdhëniet e tyre dypalëshe. Në këtë kontekst, Këshilli i bën thirrje BE-së që t’u kundërvihet me vendosmëri dhe pa vonesë përpjekjeve destabilizuese të Serbisë, dhe t’i udhëheqë negociatat duke i qendruar besnike parimeve dhe vlerave evropiane. U bëjmë gjithashtu thirrje të dyja vendeve, Serbisë dhe Kosovës, që të respektojnë angazhimet e deritanishme, të dakorduara në mirëbesim, në frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe perspektivës europiane të rajonit tonë.

Anëtarësimi në BE mbetet plani më i mirë i paqes dhe begatisë për rajonin tonë dhe Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mbetet me shpresë se secili nga 6 vendet do t’i bashkohet familjes evropiane bazuar në meritat e proceseve të tyre individuale, të çliruar prej çdo ndikimi të palëve të treta që synojnë minimin e këtij projekti strategjik.

Me respekt,

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë

Burimi: https://www.albanianambassadors.al/sq/2022/12/29/leter-e-hapur-per-anetaret-e-keshillit-evropian/

Gledis Gjipali: Raporti i KE do jetë më kritik, do kërkohet më shumë nga Shqipëria!

I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Gledis Gjipali drejtor Lëvizja Evropiane në Shqipëri (EMA) foli për raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë, sfidat që e presin, vullneti politik në të gjitha fushat dhe kostot që do përballet.

“Për shkak se Shqipëria hapi formalisht negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian, kemi raport përgjithsisht pozitiv, në shumicën e fushave progresi ka vazhduar dhe duhet të jetë me hapa më të shpejtë. Mendoj që do jetë më kritik në të ardhmen, pasi do kërkohet më shumë ndaj Shqipërisë. Aktualisht pas 3 vitesh që KE rekomadon që Shqipëria duhet të hapë negociatat dhe të mbajë Konferencën e parë ndërqeveritare, gjatë kësaj periudhe ngecëm në vend në fazat e procesit. Kemi një vlerësim pozitiv edhe për shkak të kësaj periudhe që nuk jemi përballur me sfida të reja nga BE. Aktualisht sfidat kanë nisur, do fillojë takimet dypalëshe që do jenë më të detajuara. Ka një kalendar diskutimesh që do vazhdojë deri në shtator të vitit të ardhshëm, me shpjegime për të gjithë kapitujt ku Shqipëria do të negociojë. Plotësimi i kushteve do varet nga shpejtësia që do ecim me reforma, mund të ketë çështje që mund të ngelin me vite të tëra atje sepse janë të vështira, dhe do ketë një farë prioriteti se ku do punohet më shumë. Do duhet kohë, të mos mungojë vullneti politik në të gjitha fushat dhe pastaj do varemi nga çështja e kostove që ka procesi, ka fusha që na kufizojnë për shkak të mundësive financiare, si mjedisi i cili ka kosto jashtëzakonsht të madhe për të arritur standardet europiane, por ato prioritete që janë pika kyçe duhet të adresohen sa më shpejt. Në raport shpjegohet se nuk ka ndryshim në fazën e përgatitjeve nga një vit në tjetrin, pasi nuk është dhënë motivimi, ai vullnet për të ecur përpara në këto fusha specifike”-deklaroi Gledis Gjipali.

Qendra Alert/Alert.al

Dafina Hysa nga QKSH: Raporti i KE, nota shqetësuese për lirinë e medias, pak progres në sigurinë ushqimore

E ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Dafina Hysa nga Qendra Konsumatori Shqiptar foli për raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë në lidhje me lirinë e medias dhe presionin ndaj gazetarëve duke e parë me nota shqetësuese, po ashtu me progres të pjesshëm sigurinë ushqimore.

“Në lidhje me të drejtat e njeriut, lirinë e medias, presioni ndaj gazetarëve në raportin e fundit të Komisionit Europian shihet me nota shqetësues. I njohim mirë problematikat, presionet që vijnë ndaj gazetarëve, veçanerisht atyre investigativë që synojnë të nxjerrin në pah aferat e ndryshme korruptive, abuzime në nivel vendor apo edhe qendror të qeverisjes. Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit publik adresohen përmes Kapitullit 28 dhe kaptullit 12 që lidhet me sigurinë ushqimore. Nëse e sheh në një plan të parë duket sikur po ecën mirë, vlerësohej puna e Komisionit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Inspektoriatit Shtetëror të Mbikqyrjes së Tregut. Nuk pashë të diskutohej për strategji, për mbrojtjen e konsumatorit dhe mbikqyrjen e tregut në Shqipëri. Një strategji që ka përfunduar afatin e saj që në vitin 2020. Jemi 2 vite me vonesë, po punohet për një strategji ndërsektoriale për mbrojtjen e konsumatorit, por është ende në proces dhe nuk e di nëse do ta kemi në fillim të vitit 2023 apo jo. Duhet evidentuar dhe në fakt nuk e gjejmë në raport dhe shohim një numër inspektimesh të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Tregut, shohim të përcaktuara vendimmarrjet, ankesat e Komisionit për Mbrojtjen e Konsumatorit. Por, në përbërjen e këtij Komisioni janë vetëm 5 vetë, 2 nga Ministria e Ekonomisë dhe e Financave, 2 nga Ministria e Drejtësisë dhe 1 nga shoqëria civile. Raporti citon që edhe pse vijnë ankesa në këtë institucion, ka vonesa shumë nga momenti që paraqitet ankesa e deri në momentin që shqyrtohet dhe i jepet zgjidhje konsumatorit. Për çështjet ushqimore që janë më sensitive reagimi është më i shpejtë, por edhe të produktet joushqimore duhet vënë theksi sepse nëse s’do kemi respektim të të drejtave dhe asaj që parashikon ligji do kemi penalizime në aspektin financiar, shoqërohet me humbje, ashtu siç ndodh në fakt. Evidentohet në raport që të ketë rritje të kapaciteteve të stafeve dhe punë më të mirë dhe thuhet se legjislacioni ka përafrim me BE-në, por ka momente kur konsiderohet i pjesshëm, pikërisht tek pjesa e sigurisë ushqimore”-u shpreh Dafina Hysa.

Qendra Alert/Alert.al

Mihallaq Qirjo: Raporti i KE, Shqipëria problematika në fushën e mjedisit dhe menaxhimin e mbetjeve

I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Mihallaq Qirjo drejtor Qendra Burimore e Mjedisit (Rec Albania) ka folur për raportin e BE, rekomandimet në fushën e mjedisit dhe problematikat që hasen në Shqipëri.

“Legjislacioni nuk është aty ku duhet, ka boshllëqe dhe shpeshherë vlerësimet për ligjet specifike tregojnë se jemi ende shumë larg. Në fushën e mjedisit legjislacioni ynë është 50-60% i përafruar me atë të BE. Është legjendë urbane se kemi ligje shumë të mira dhe mbetet problem zbatimi. Qartazi specifikohen 3 shtylla kryesore: Legjislacioni, institucionet dhe zbatimi i tyre dhe vë theksin në disa strategji që ende nuk janë miratuar. Në raport flitet për idenë e lidhjes së shëndetit publik me disa fusha, ku përmenden edhe elementë të cilësisë së ndotjes së ajrit, i cili ka monitorim shumë të dobët. Edhe në Shqipëri, në raporte të tjera të OBSH kemi një numër të shtuar dhe të lartë si pasojë e ndotjes së ajrit. Element tjetër është çështja e cilësisë së ujërave dhe menaxhimit të tyre. Ka një proces të agresimit të ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve, që raporti e thekson si element që duhet të çohet më tej. Në tërësi, shërbimet publike që i shkojnë qytetarit dhe ndikojnë në mirëqënien dhe shëndetin e tij, nënvizohen në raport se kanë problematika të shtuara. Çështja e mbetjeve që lidhet me mirëqënien, referohen elementët e mangësisë, për të cilat në raport thuhet se duhet të merren masa të shpejta që të zbatohet. Parimi ndotësi paguan. Që bën lidhje të përgjegjshmërisë jo vetëm me mjedisin, por edhe shëndetin publik dhe elementë që lidhen me ekonominë. Rasti i menaxhimit të kimikateve, problematikë e shtuar. Në terren, ku ne dërgojmë mbetjet farmaceutike, ilaçet e skaduara që vijnë në Shqipëri, pesticidet e skaduara apo mbetjet e tjera industriale, të cilat mund të shkojnë më tej qoftë në ushqimin apo në ujin përditshëm, duket se progresi është i kufizuar, ka mangësi edhe gjatë vitit 2021″-deklaroi Mihallaq Qirjo.

Qendra Alert/Alert.al

Raporti i KE, Kolmarku nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Nuk u përmbushen rekomandimet ndaj institucioneve të drejtësisë!

E ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Ardita Kolmarku, menaxhere projektesh, Komiteti Shqiptar i Helsinkit foli për raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë, ku “çalon”  vendi ynë dhe rekomandimet që duhet të përmbushen në disa fusha.

“Në raport flitet për strategji të mëdha të Këshillit të Lartë Gjyqësor që do vihet në zbatim, por në këndvështirmin tonë harta e re gjyqësore mbetet një shqetësim për faktin se ka patur një proces konsultimi formal me ne si organizata të shoqërisë civile. Kriteret e përcaktuara nuk kanë patur në konsideratë disa nga elementët kryesorë që duhet të përshtateshin me kushtet e vendit tonë, si kushtet e transportit që mund të sjellin pasoja ekonomiko-financiare në dëm të disa prej kategorive të marxhinalizuara të shoqërisë, por kryesisht edhe të zonave rurale. Një ndër elementët që nuk është mbajtur në konsideratë është që nuk kemi kapacitete të sigurisë në shoqërimin e këtyre shtetasave drejt gjykatave, vetë distanca kohore është e largët në hartën e re gjyqësore, nisur nga disa prej institucioneve të vendit. Janë nisur nga modele të demokracive më të moderuara të vendeve europiane, që kanë një sistem drejtësie efektiv dhe më të shëndetshëm se vendi ynë. Vettingu, raporti adresoi një rekomandim të qartë edhe ndaj institucioneve të vettingut dhe SPAK. Nga një proces monitorimi, kemi parë se nga 268 subjekte që janë shkarkuar apo dorëhequr nga vendimmarrjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) shohim se vetëm për 8.5% të këtyre rasteve janë regjistruar procedimet penale në Prokurori. Ajo që mbetet shqetësuese është se gjithsej kemi 23 raste, në 20 prej tyre janë kallëzime të shtetasve që luajnë rolin e denoncuesit dhe vetëm në 2 raste SPAK ka marrë hetimin e këtyre rasteve dhe vetëm 1 rast është adresuar nga vendimmarrjet e vettingut. Po ashtu, shumica e fakteve janë sjellë edhe nga ana e vëzhguesve ndërkombëtar, bëhet fjalë nga kontakte të papërshtatshme të këtyre subjekteve me botën e krimit apo kriterit të pasurisë. Gjithashtu edhe në rastin e fundit me rrjedhjen e të dhënave të qytetarëve, vunë në pikëpyetje funksionimin e institucioneve. Deri më sot nuk kemi një zbardhje të kësaj ngjarje apo persona të vënë para përgjegjësisë. Në kontekstin e informimit dhe mbrojtjes së të dhënave raporti adreson disa rekomandime, po ashtu edhe në aspektin e drejtësisë rekomandimet mbeten të njëjta”-tha Kolmarku.

EFSA: Kriteret për vlerësimin e rrezikut të bimëve

Në një deklaratë të publikuar sot, shkencëtarët e EFSA kanë propozuar gjashtë kritere kryesore për të ndihmuar në vlerësimin e rrezikut të bimëve të prodhuara, duke përdorur teknikat e inxhinierisë gjenetike të mutagjenezës së synuar, cisgjenezës dhe intragjenezës. Komisioni Evropian kërkoi këtë këshillë shkencore për të mbështetur iniciativën e tyre të vazhdueshme të politikave mbi teknikat e reja gjenomike.

Çfarë janë mutagjeneza e synuar, cisgjeneza dhe intragjeneza?

Ato janë teknika të inxhinierisë gjenetike, procese që ndryshojnë strukturën gjenetike të një organizmi duke modifikuar, hequr ose futur ADN- në .

  • Mutagjeneza e synuar është një term që përdoret për të përshkruar teknikat që nxisin mutacione specifike në vendndodhje të caktuara të synuara të gjenomit. Ndryshimet ndodhin pa futur material gjenetik.
  • Cisgenesis i referohet modifikimit të materialit gjenetik të një organizmi me një sekuencë nga e njëjta specie ose një e lidhur ngushtë. Sekuenca e re përmban një kopje të saktë të sekuencës tashmë të pranishme në grupin e gjeneve të mbarështuesve, i cili është grupi i të gjithë informacionit gjenetik për një specie të caktuar që është i disponueshëm për përdorim nga mbarështuesit e bimëve.
  • Intragjeneza i referohet modifikimit të materialit gjenetik të një organizmi me një kombinim të sekuencave të ndryshme nga e njëjta specie ose një e lidhur ngushtë. Sekuenca e re përmban një kopje të riorganizuar të sekuencave tashmë të pranishme në grupin e gjeneve të mbarështuesve.
  1. Si ndryshojnë bimët e prodhuara nga teknikat e reja gjenomike nga ato të prodhuara nga teknikat e vendosura GM ose mbarështimi tradicional?

Disa bimë të prodhuara me teknika të reja gjenomike mund të kenë vetëm ndryshime të vogla që mund të ndodhin edhe në natyrë ose nëpërmjet mbarështimit konvencional. Të tjerët mund të kenë modifikime të shumta dhe të gjera që mund të jenë të ngjashme me ato në bimë të prodhuara nga teknikat e vendosura të modifikimit gjenetik të përdorura në dy dekadat e fundit.

  1. Çfarë kriteresh propozojnë ekspertët tanë të përdorin për vlerësimin e rreziqeve nga bimët e prodhuara nga mutagjeneza e synuar, cisgjeneza dhe intragjeneza?

Kriteret e propozuara nga shkencëtarët e EFSA përshkruhen në një deklaratë të EFSA. Katër nga gjashtë kriteret e para lidhen me karakterizimin molekular të modifikimit gjenetik të futur në bimën marrëse. Ata vlerësojnë:

  1. Nëse ekziston një sekuencë e huaj (“ekzogjene”) e ADN- së
  2. Nëse po, nëse sekuenca është nga grupi i gjeneve të mbarështuesve
  3. Si integrohet sekuenca, për shembull është e rastësishme apo e synuar?
  4. Nëse ndonjë gjen i bimës strehuese “ndërpritet” (ndahet) nga sekuenca e sapo futur

Kriteret 1-4 janë krijuar për të përcaktuar nëse sekuencat cisgjenike dhe intragjenike kanë ndryshuar gjenet e bimës pritëse. Nëse nuk e kanë bërë, ose nëse nuk identifikohet asnjë rrezik kur një gjen i huaj është prekur, zbatohen dy kritere të tjera:

  • A ka një histori përdorimi?
  • Nëse jo, struktura dhe funksioni i versioneve të modifikuara të sekuencës së ADN-së duhet të vlerësohet me kujdes.

Këto dy kritere të fundit zbatohen gjithashtu për bimët e prodhuara nga mutagjeneza e synuar. (EFSA)

Qendra Alert/Alert.al

Frontex : Shqiptarët e parregullt në BE

Migrantët shqiptarë me qëndrim të parregullt në vendet e Bashkimit Evropian renditen të shtatët në listën e dhjetë vendeve me prurjet më të mëdha migratore sipas të dhënave të publikuara nga raporti më i fundit i Organizatës Evropiane të Ruajtjes së Kufijve, FRONTEX.

Sipas Raportit “Analiza e riskurt 2022-2023” të FRONTEX numri i tyre erdhi duke u rritur në vitin 2021 me 25.892 persona të cilët përbëjnë 5% të numrit të përgjithshëm të të huajve me qëndrim të paligjshëm në vendet e Bashkimit Evropian.( 468.719 gjithësej)

Numri i migrantëve shqiptarë me këtë status u rrit me 18% krahasuar me vitin 2020 ku shënoheshin 21.890 shtetas shqiptarë me qëndrim të paligjshëm në vendet e e BE-së.

Në vitin 2021, Bashkimi Europian raportoi rreth 200 mijë kalime të paligjshme kufitare në shtetet anëtare. Kjo sipas Raportit të FRONTEX ishte më e larta të regjistruara që nga viti 2017. Mesdheu Qendror, Ballkani Perëndimor, dhe rrugët e Afrikës Perëndimore ishin tre linjat kryesore me prurjet më të larta të migrantëve të parregullt të evidentuar gjatë vitit 2021.

Përballë edhe kërkesave të rrepta për migrimin legal në Evropë, shpesh e vetmja zgjedhje e hapur për migrantët është migrimi i parregullt i cili shpeshherë rezulton në një situatë të rëndë humanitare” thuhet në raport.

Ndërkohë , sipas të dhënave të raportit, autoritetet kufitare të vendeve të Bashkimit Evropian në vitin 2021 u refuzuan hyrjen në vendete BE-së , 17.725 shtetasve shqiptarë nga 11.653 që ishte ky status refuzimi në vitin 2020.

Pjesa më e madhe e refuzimeve, rreth 8.000, ka ardhur pasi migrantët nuk kanë pasur dokumente në pikat kufitare që të justifikonin udhëtimin në një vend të Bashkimit Evropian.

Ndërkohë shqiptarët zënë vendin e dytë edhe të kthimeve efektive nga vendet e Bashkimit evropian përmes dy mënyrave, kthimeve “vullnetare” dhe atyre “forcërisht”.

Frontex paralajmëron në analizën e rriskut se në vitet 2022 dhe 2023 ka të ngjarë të shohin një rritje të mëtejshme të emigrimit të parregullt në kufijtë e BE-së bazuar edhe nga faktorë shtytës politikë dhe socio-ekonomikë në nivel kombëtar të vendeve kryesore të origjinës si dhe faktorë shtytës të nivelit më të lartë të tillë si inflacioni i vazhdueshëm global dhe rritja e cmimeve të ushqimeve, pas luftës në Ukrainë. (VOA)

Qendra Alert/Alert.al