Menu

Analizë

Blogerët aziatikë të ushqimit: të hiqet fjala ‘kerri’, e kanë shpikur kolonizatorët anglezë

Disa blogerë aziatikë të ushqimit kanë hapur një diskutim të madh për fjalën ‘curry’ (kerri), sepse sipas tyre po përdoret në mënyrën e gabuar, dhe nuk ka lidhje me traditën e ushqimit aziatik. Sipas tyre kjo fjalë është shpikur nga kolonizatorët britanikë.

Debati ka nisur fillimisht nga blogerja kaliforniane Chaneti Bansa, e cila ka publikuar një video në Instagram, e cila ka pasur miliona shikime, në të cilën Bansa shprehet që me këtë fjalë është abuzuar. Sipas saj, të huajt e përdorin për të përshkruar çfarëdo lloj pjate aziatike.

‘Curry (kerri) është një term i përgjithshëm, i cili është përdorur nga njerëzit me ngjyrë të bardhë, që nuk kishin kohë të mësonin emrat e vërtetë të pjatave tona’, shprehet blogerja, që nuk kërkon eleminimin plotësisht të fjalës, por që ajo të mos përdoret në mënyrën e gabuar.

Sipas profesorit të asociuar për studime të religjionit në Universitetin e Vermontit,  Ilyse Morgenstein Furest, në fakt fjala ‘curry’ nuk ekziston në asnjë gjuhë aziatike. Ndoshta ka lindur si një keqkuptim i shqiptimit apo i përkthimit nga anglezët të ndonjë fjale tjetër.

Qendra Alert

alert.al

Rritet çmimi i kafesë, shkak moti i ftohtë në Brazil

Çmimi i kafesë arabike ka arritur në nivelet më të larta gjatë shtatë viteve të fundit për shkak të dëmtimit të këtij produkti nga ngricat e rënda që pushtuan një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë, Brazilit.

Moti më i ftohtë gjatë 30 viteve të fundit, do të dëmtojë jo vetëm prodhimin e sivjetshëm, por edhe së paku prodhimin e dy viteve të ardhshëm.

Ngrica është konsideruar si armiku kryesor i prodhimit të kafesë, që kur ajo u mboll për herë të parë në Brazil në shekullin e 18-të.

Disa rajone në Brazil janë më të prekshme nga ngricat sesa vende të tjera prodhuese të kafesë, të tilla si Kolumbia apo Etiopia.

Kafeja është një bimë tropikale, dhe si e tillë nuk mund të mbijetojë në temperatura të ulta, veçanërisht nëse ato bien poshtë 5 gradë celcius.

Temperaturat nën zero, rreth -3 ose -4 gradë janë vdekjeprurëse për lulet e kësaj bime, si dhe për frutat, duke shkaktuar djegie në gjethe, gjë e cila sjell edhe rënien e tyre.

Dëmtimi më i rëndë është atëherë kur formohen kristalet e akullit, të cilat mund të ndikojnë të gjithë bimën ose pjesë të saj, duke e bërë që të nxihet dhe ajo të mos prodhojë më asgjë.

Në disa raste, mund të duhen 1 ose 2 vite që bimët e kafesë të marrin veten por nëse ato duhet që të zëvendësohen atëherë mund të duhen 4 ose 5 vite.

E gjithë kjo ka ardhur si pasojë e ndryshimit të motit në Brazil, duke bërë që klima e tij të jetë më e lagësht dhe gjithashtu më e ngrohtë.

Burimi: Reuters

Qendra Alert

alert.al

Kompanitë e mëdha Pepsi dhe Coca Cola po lënë industrinë e lëngjeve

Kompanitë e mëdha të pijeve më famë ndërkombëtare, Pepsi dhe Coca Cola po ndryshojnë mënyrën e tyre të prodhimit, duke u fokusuar tek produktet e tyre bazike, dhe nuk po provojnë më që të testojnë shijet e klientëve përsa i përket industrisë së lëngjeve.

Një ditë më parë, kompania PepsiCo Inc njoftoi që do të shesë markën e saj Tropicana dhe kompani të tjera më të vogla të prodhimit të lëngjeve te agjencia me kapital privat PAI Companions. Në shkurt, kompania Nestle ra dakort të shiste ujin e saj me shishe Spring tek blerës të ndryshëm me kapital po ashtu privat. Gjatë 12 muajve të fundit, Coca – Cola ndërpreu një mori markash së bashku me Tab, ujin e arrave të kokosit Zico dhe lëngjet e frutave Odwalla.

Grevat dhe ri-formatimi i tyre i brendshëm kanë ndikuar vetëm pjesërisht tek teknika e tyre kryesore e biznesit së fundmi. Për vite me radhë këto firma kanë rritur ofertën e tyre për klientët, duke prodhuar që nga pijet me gaz tek uji i arrave të kokosit, tek smuthis, çaji i fermentuar, opsione të ndryshme të qumështit, dhe fusha të tjera të ndryshme interesi, të cilat ishin një territor i ri premtues.

Por tani, biznesi po përqendrohet tek një numër më i vogël kategorish, dhe duke u fokusuar tek pijet që japin gjallëri, tek kafeja ekspres si dhe tek pijet e buta të gazuara konvecionale, shprehet Howard Telford, kreu i pijeve të buta në Euromonitor Worldwide.

Ndryshimi më i fundit, si teknika e mëparshme e zgjerimit, shfaq një mënyrë të bërit biznes e cila kërkon të përmbushë shijet e klientëve të cilat ndryshojnë shumë shpejt. Konsumimi i lëngjeve të frutave dhe pijeve me gaz ka rënë ndjeshëm tek individët që kërkojnë të ulin konsumin e tyre të sheqerit, në favor të opsioneve të barasvlershme të tilla si salca me shije dhe ujë në shishe. Ndërkohë po rritet kërkesa për pije praktike – pijet që i ndihmojnë individët që të rrinë zgjuar ose që të përqendrohen, për shembull, ose të sigurojnë një përfitim nga ana e mirëqenies, të tilla si pijet e pasura me antioksidantë. Si pasojë, kafet ekspres dhe pijet gjallëruese janë në rritje.

Burimi: Washington Post 

Qendra Alert

alert.al

Kosova, buxhet pesë herë më të madh se Shqipëria, për subvencionimin e fermerëve

Faton Peci, Ministër i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Republikën e Kosovës me anë të një statusi në median sociale ka njoftuar që përkrahja për fermerët këtë vit do të jetë 50 milionë euro, vetëm në kategorinë e subvencioneve.

Ndërkohë, që mjafton të kujtojmë këtu që kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të lajmëronte një vit më parë se që nga viti 2021 fermerët do të përfitonin naftën për punimin e tokës pa akcizë, pa taksën e qarkullimit dhe pa taksën e karbonit. E gjithë skema për mbështetjen e fermerëve ishte një fond prej 10 milionë dollarë. Gjë e cila do të thotë se Kosova ka vënë në dispozicion të mbështetjes së fermerëve një buxhet pesë herë më të madh se ai i Shqipërisë.

Pas çeljes së aplikimeve në pranverë të këtij viti, në Shqipëri, vetëm 20 mijë fermerë arritën që të përfitonin nga 60 mijë aplikime. Ndërkohë që shumë prej tyre që përfituan kanë shprehur pakënaqësi nga mbështetja e vogël financiare. Dhe rezultati është që fondi prej 10 milionë dollarësh nuk rriti konkurueshmërinë në rajon. Dhe, as uljen e çmimit të prodhimit bujqësor në treg. Shumë fermerë të mëdhenj në Shqipëri, për të plotësuar kërkesat e tregut, sipërfaqet e të mbjellave i kanë shtrirë në tokat që kanë marë me qira. Një kontratë noteriale qiraje fermerit, qiradhënësit i kushton 4 mijë lekë, kjo shumë është e barasvlefshme me çmimin e naftës pa akcizë që i takon.

Mbetet për tu parë sesi fondi prej 50 milionë dollarësh do të ndikojë fermerët kosovarë, dhe vlen të përmendet që tashmë vetëm procedurat ligjore dhe procedurale të udhëzimit administrativ kanë mbetur, që ky fond të vihet në zbatim.

Mirëmëngjes qytetarë të Republikës së Kosovës,

50 milionë euro përkrahja për fermerët këtë vit, vetëm në kategorinë e subvencioneve.

Sapo nënshkruva Programin e Pagesave Direkte / Subvencioneve për vitin 2021 i cili do të jetë një përkrahje për të gjithë fermerët të cilët përmes këtij programi do ta kenë mundësinë e ushtrimit dhe zgjërimit të aktiviteteve të tyre bujqësore dhe blegtorale, në dobi të komunitetit dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Me shpalljen e këtij programi vlera e përkrahjes vetëm në kategorinë e subvencioneve për këtë vit arrin 50 milionë euro. Ka ngelur tashmë vetëm procedurat ligjore dhe procedurale të udhëzimit administrativ, deri tek hapja e aplikimit.

Qendra Alert

Alert.al

Paketimi i Nutelës bëhet 100% i riciklueshëm

Strategjia e kompanisë Ferrero ka ndryshuar, edhe për shkak të transformimit që pandemia i ka sjellë kësaj industrie në të gjithë botën. Sipas presidentit të kompanisë Giovani Ferrero kompania ka reaguar duke krijuar një strategji të re, më të gjelbër, e cila do të nisë me një paketim të ri, 100% të riciklueshëm. Gjithashtu kompania ka vendosur si objektiv që gradualisht të përdorë po ashtu vetëm kakao  nga burime të qëndrueshme si dhe sheqer kaf, i certifikuar nga Bonsucro dhe Altromercato.

Katër shtyllat kryesore të zhvillimit të kompanisë gjatë katër viteve të ardhshme do të jetë: mbrojtja e mjedisit, përdorimi i ingredientëve të qëndrueshëm për mjedisin, promovimi i një konsumi të përgjegjshëm dhe vlerësimi i njerëzve që punojnë për këtë kompani, edhe në degët e saj në vendet në zhvillim.

Deri në vitin 2025, e gjithë paketimi do të jetë 100% i ripërdorshëm, i riciklueshëm ose që të mund të shpërbëhet sa më lehtë (82.9% në vitin 2020).

«Kompania jonë nuk shikon vetëm produktivitetin. Një nga përparësitë tona ka qenë gjithmonë mbrojtja e të gjithë punëtorëve në zinxhirët e furnizimit bujqësor. Ne vazhdojmë të përdorim ekskluzivisht vaj palme të certifikuar Rspo 100% dhe jemi duke përfunduar procesin e tranzicionit për të lejuar që edhe kompanitë e blera së fundmi të jenë në përputhje me standardet tona të përgjegjshme të burimit’, u shpreh Lapo Civiletti, CEO i Ferrero Group.

Burimi: www.IlSole24ore.com

alert.al

Eksperti i bujqësisë denoncon: ‘Jeta e njerëzve në rrezik, mishin e vulosin veterinerë të paautorizuar’

Mishin e vulosin veterinerë të paautorizuar. Kështu ka denoncuar eksperti i bujqësisë Ervin Resuli përmes një shkrimi në rrjetet sociale. Sipas tij këto “ankesa” i kanë mbërritur nga kolegët e tij të cilët ndeshen me këtë problematikë në terren çdo ditë.

“Vaksina k/bruce, profilaksitë e tjera veterinare, certifikata e lëvizjes dhe procesi i identifikimit të kafshëve janë disa prej kërkesave për pëmbushjen e kuadrit ligjor që janë të nevojshme për vijimin e ushtrimit të profesionit duke pasur një koherencë me disa institucione.

Mishin e vulosin, pa asnjë bazë ligjore, Veterinerët e Bashkisë! E kjo është nje rrezik për konsumatorët e mishit!

Do pyesni ju, po veterinerët e bashkisë?

Bazuar në ndryshimet ligjore të vitit 2020, tani është kompetencë e Autoritetit Veterinar.

Ja që edhe kjo,  njësoj si çdo gjë në Shqipëri, tranzicion, do të zgjasë kushedi se sa sepse paaftësia institucionale është ulur këmbëkryq“.

Resuli shkruan gjithashtu se pesëdhjetë e tetë veterinerëve u është ndërprerë kontrata në fillim të majit ndërsa thekson se ata u përdorën nga institucionet për qëllime elektorale deri me 25 prill.

“Do të ishte vetëm fillimi kur në maj, më shumë se 58 veterinerëve praktik  të mesëm iu ndërpre kontrata duke mos e rinovuar më atë edhe deri në këtë moment.  E sigurisht që do të ndodhte kështu pasi patronazhistët e Ministrisë së Bujqësisë i përdorën ata për fushatën elektorale në mënyrë që të arrihej qëllimi me 25 prill, ndërsa tani, siç ndodh gjithmonë, u lanë në harresë.”

Eksperti i bujqësisë e ngre këtë shqetësim pasi sipas tij me këtë mënyrë vendoset në rrezik jeta e konsumatorëve.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë:

Detyra e Autoritetit Kombëtar të Veterinerisë dhe Mbrojtjes së Bimëve është të qëndrojnë përkrah interesave të qytetarëve konsumatorë shqiptarë, e megjithatë ata janë kthyer në një zyrë të Marrëdhënieve me Publikun dhe Marketingu pasi mision tanimë kanë të dalin sa më bukur në fotografitë e rrjeteve sociale për të mos thyer zinxhirin e propagandas qeveritare.

Do të ishte vetëm fillimi kur në maj, më shumë se 58 veterinerëve praktik  të mesëm iu ndërpre kontrata duke mos e rinovuar më atë edhe deri në këtë moment.  E sigurisht që do të ndodhte kështu pasi patronazhistët e Ministrisë së Bujqësisë i përdorën ata për fushatën elektorale në mënyrë që të arrihej qëllimi me 25 prill, ndërsa tani, siç ndodh gjithmonë, u lanë në harresë.

Ky ishte vetëm një hap drejt ‘kok a pil’ ku për të qenë pjesë e Autoritetit Veterinar nuk të duhet vetëm ekperienca në këtë shërbim, por edhe siç thotë populli, “diku të lyesh rrotën e qerres”.

Por nuk ndalet me kaq! Veterinerët e terrenit përballen çdo ditë me urdhëra, pa asnjë bazë të arsyes së shëndoshë, për përmbushjen e detyrës. Sakaq, të gjithë kontratat i kanë 6 mujore, duke mos pasur asnjë garanci për vendin e tyre të punës.

Vaksina k/bruce, profilaksitë e tjera veterinare, certifikata e lëvizjes dhe procesi i identifikimit të kafshëve janë disa prej kërkesave për pëmbushjen e kuadrit ligjor që janë të nevojshme për vijimin e ushtrimit të profesionit duke pasur një koherencë me disa institucione. 

Mishin e vulosin, pa asnjë bazë ligjore, Veterinerët e Bashkisë! E kjo është nje rrezik për konsumatorët e mishit !

Do pyesni ju, po veterinerët e bashkisë?

Bazuar në ndryshimet ligjore të vitit 2020, tani është kompetencë e Autoritetit Veterinar.

Ja që edhe kjo,  njësoj si çdo gjë në Shqipëri, tranzicion, do të zgjasë kushedi se sa sepse paaftësia institucionale është ulur këmbëkryq.

Falenderoj kolegët në terren për shqetësimet që ngrenë për punën e tyre të përditshme. Veç të bashkuar mund të bëjmë ndryshime për të ndrequr shërbimin.

alert.al/

“5 vjetori” i reformës si “5 Maji” i dëshmorëve, por pa vizitë në varreza

Nga Elton Qyno
Festë të madhe dje kishte Shqipëria. Krerët e intitucioneve më të rëndësishme të Shtetit dhe përfaqësive të huaja në katundin tonë, ishin mbledhur në një tryezë për të diskutuar arritjet e Reformës në Drejtësisë. Reformë e cila u votua me 140 vota, këtu e 5 vite më parë nga ligjvënësit e Kuvendit, duke i hapur rrugë ngritjes së institucioneve të reja.
Dhjetëra raportime shqetësuese për korrupsionin në drejtësi, vendimet arbitrare, deklaratat plepiste Gjini-Malaj, u bënë shkaku që të niste një proces rindërtimi nga fillimi i sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Mirëpo pesë vite nga nisja e kësaj reformë, s’mund të thuhet se procesi ka përfunduar. Një pjesë e madhe e gjykatave, përfshi edhe gjykatën kushtetuese, u ndërtuan të gjitha nga e para, ndërsa ende dhe sot nuk janë plotësuar me gjyqtarë. Janë më shumë se gjysma e prokurorëve që nuk kanë kaluar në vetting. Ndërsa, individë nga prokuroria e gjykata që nuk meritonin të iknin dhe që kishin vendosur një gur nderi në shërbim të publikut, u hodhën në rrugë, me argumenta të çuditshme se kishin vetëm një shtëpi apo se kishin dajon apo kunatin “ballist”. Dhe e kundërta ka ndodhur që gjyqtarë e prokurorë të lidhur me politikën dhe qarqet kriminale e biznesit të oligarkëve, kanë kaluar në “Vetting” dhe sot janë shëndoshë e mirë brenda sistemit.
Ndërkohë sot e pas 5 viteve, vendimet abuzive nga gjyqtarë e prokurorë vijojnë, mbase edhe më të rënda se më parë. E nga ana tjetër, politika në ditët e sotme i ka ngjitur këtij sistemi Drejtësi, dhe nofkën “KÇK” alias “Kap Ça të Kapësh”… Por në fakt është vetë politika e të gjitha ngjyrave, që ka kontribuar për të ndërtuar një sistem drejtësie të tillë, kriminal dhe totalisht të varur nga kunjukturat e korrupsioni.
Ndaj që me shumë diskutime, 5 vite më parë u ndërmor një ndërhyrje kirurgjikale mbi këtë “pacient” që nëse nuk mbahet në mënyrë të vazhdueshme me oksigjen, ka të ngjarë që mund të mbesi edhe i vdekur në sallën e operacionit. Është një proces i dhimbshëm dhe që duhet të shtrëngosh fort dhëmbët. Ashtu si procesi i lindjes së një gruaje, që ka shumë dhimbje dhe shumë vështirësi, por në fund ama, lind një FËMIJË, lind shpresën, lind buzëqeshjen…
Ndaj të gjithë ditën e djeshme, ishin të gëzuar që me mundim dhe përpjekje, kunjuktura dhe dredhi nëpër zyra politike, vettingu e zyra oligarkësh, ja kishin mundur kësaj dite me mundim e përpjekje dhe futje brrylash e spiunlliqe tek shokët e vetë. Të gjithë ishin të gëzuar në fytyrat e tyre, por çuditërisht vura re se ishin të pakënaqur në fjalimet e veta që bënë publike në këtë kremtim 5 vjetori.
Dhe për të bindur të gjithë dynjanë se drejtësia po funksionon dhe se institucionet po forcohen dhe konsolidohen, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ditën e djeshme ishte qershia mbi tortë, i këtij kremtimi 5 vjeçar.
Kryetari që vjen nga shoqëria Civile i KLP-së, i cili tanimë është kthyer në barsaletë nëpër korridoret e Drejtësisë, pasi “vdes” të bëhet çik, Gjyqtar Apeli, kishte caktuar datën e djeshme për intervistimin, e dy kandidatëve për të qënë pjesë e skuadronit gjuajtës të SPAK-ut.
Ky kryetar, që është bërë me keq se personazhi i Jovan Bregut, që kërkonte të bëhej medoemos çik Magazinier, po bën përpjekje dhe lajka, për tu bërë pak Gjyqtar Apeli ose Gjyqtar në Gjykatën e Lartë. Se mandati, gati po i mbaron dhe pasandaj i bie të kthehet sërisht në rogozin ku ishte.
Këta o vëlla s’të lenë as rradhë as sërë. Nga Kryetar në Kryëtar. Nga një vend me firmë e vulë, duan sërisht një vend tjetër, me çekiç e vulë.
Mirëpo teksa në tryezë e rrumbullakët flitej e diskutohej për 5-vjeçarin e “Reformës në Drejtësi”, nga mbledhja e KLP-së emëroheshin dy prokurorë të tjerë, duke u bërë pjesë e prokurorisë së posaçme SPAK. E ku kishte më bukur. Nga njëra anë diskutohej, nga ana tjetër veprohej dhe emërohej. Reforma lëvizte, nuk mund të ndalej në asnjë minute edhe pse titullarët ishin mbledhur e diskutonin për sfidat që i prisnin në vazhdim.
Por pavarësisht se lajmi doli, që KLP-ja e “Jovan Bregut” i ndezi dritën jeshile dy prokurorëve për tu bërë pjesë e SPAK, në fakt sot vetëm 1 prokuror shkoi në SPAK. Dhe ai që shkoi sot në SPAK është Adnand Xholi, një prokuror karriere dhe profesionist, të cilit unë i urroj suksese të mëtejshme në detyrën e re.
Ndërsa Dorina Bejko, nuk shkoi sot në SPAK. Prokurorja Bejko, ka 5 apo 6 muaj më pare që hyn e del çdo ditë nga godina e SPAKU-t. Dhe kjo për shkak të një vendimi të personalizuar të Arben Krajës, për ta komanduar këtë prokurore të Pogradecit, në prokurorinë e Posaçme në Tiranë.
Them të personalizuar të Krajës, pasi kjo prokurore konkuroi në KLP përballë Krajës, në periudhën e përzgjedhjes së dhjetëshes së parë të prokurorëve që do futeshin në SPAK, dhe nuk fitoi. Mirëpo, gjashtë muaj më parë me një vendim preferencial të Krajës, kjo prokurore futet në SPAK dhe sot mer emërimin e plotë nga KLP-ja, e Jovan Bregut.
Me këtë vendim të djeshëm, bëhen dy prokurorë të akuzës së Pogradecit, që hynë në SPAK. Megjithëse as konkuruan dhe as fituan, për tu bërë pjesë e SPAK. Por në fakt u katapultuan nga segmente të caktuara politike dhe të pushtetit në fuqi, për të qënë pjesë e kësaj strukture të posaçme. Bejko as është dëgjuar dhe as njihet për ndonjë thagmë të përfaqësimit të ndonjë dosje të bujshme apo komplekse në prokurorinë e Pogradecit. Por ja që jemi në Shqipëri dhe duhet kuptuar realiteti ku jetojmë. Dhe duhet thënë Shqip disa gjëra, se edhe kreu i SPAK, Arben Kraja është i kapshëm nga dikush tjetër, ka disa detyrime dhe duhet tu bëjë qokat disa njerëzve.
Nga ana tjetër, vijmë në këtë ditë të shënuar si 5 vjetori, me një takim të përgjithshëm të krerëve të institucioneve kryesore që lindën nga Reforma në Drejtësi. Takim i cili ishte për 5 vjetorin e Reformës, por në fakt ngjasonte me “5 Maji-n” e dëshmorëve. Veçse me një ndryshim të vogël, që nuk pati vizita ceremoniale në varreza.
Mbase organizatorëve të Ministrisë së Drejtësisë, nuk u kishte shkuar në mëndje, se pas përmbylljes së takimit për sukseset e vajtimet, mund të kryenin dhe ndonjë vizitë në ambjentet e burgut 313, për të parë nga afër, se çfarë viktima kishte shënuar “Reforma në Drejtësi” gjatë këtyre 5 vjetëve.
Të gjithë ishin të gëzuar që me mundim dhe përpjekje, kunjuktura dhe dredhi nëpër zyra politike, vettingu e zyra oligarkësh, ja kishin arritur kësaj dite, me mundim e përpjekje dhe futje brrylash tek shokët. Të gjithë ishin të gëzuar në fytyrat e tyre, por çuditërisht vura re se ishin të pakënaqur në fjalimet e veta që bënë publike në këtë kremtim 5 vjetori.
Them të pakënaqur se kushdo që e mori fjalën, qahu dhe vajtoi hallin e vetë. Prokurori i Përgjithshëm, tha se dakord ishte me reformën, por halli është si do ja bëjmë stokut të dosjeve që po del mbi çatitë e prokurorive të Rretheve dhe Apeleve. S’ka më prokurorë që ti zenë me dorë,u çapluan, sa punë të bëjnë njëherësh. Rrezikojmë kolapsin…, tha prokurori Çela. Çala kërkoi ndryshime të ligjit, kërkoi kompetenca se me këtë situatë që ndodhet, ka duart e lidhura. Nuk është as për gjë…
Etilda Gjonaj, si zakonisht foli e foli dhe në fund tha se ç’do bëjmë me atë hartën e re gjyqësore, se gjykatat ngelën si plevica.
Nga ana tjetër Arben Kraja, teksa artikuloi se pandëshkueshmëria ka marë fund dhe ligji është i barabartë për të gjithë, doli sërisht tek halli i tij. Kërkon logjistikë, ambjente të reja, e prokurorë të tjerë se për qamet, nuk përballohet volumi i punës në SPAK. Madje aq të domosdoshëm e quan Kraja, shtimin me dy prokurorë, sa është gati të ulërasë me të madhe “…Fitore…Fitore…”, njësoj si Bujar Kapexhiu që thëriste tek filmi “Duel i heshtur”.
“…Dua të falenderoj KLP sot që më në fund u shtuan dhe dy prokurorë. Arritëm në 15. Ky numër duhej të kishte qenë që në hapjen e parë të SPAK, megjithatë, ia arritëm dhe kjo është fitore…”- tha Arben Kraja.
Dhe sërisht do vijë muaji Shtator 2021, kur KLP do hapë prapë dy vakanca të reja, për tu bërë pjesë e prokurorisë së posaçme SPAK. Kjo për shkak të heqjes dorë të prokurores Elisabeta Imeraj dhe shkarkimit nga detyra të prokurorit, Anton Martini. Dy asetet që për mua duhet të ishin patjetër në atë të urruar SPAK.
Ndërkohë sot në SPAK, hiq 4-5 prokurorë që janë prokurorë kalibri të tjerët vegjetojnë. Ose kam frikë se në disa raste disa prokurorë aty brenda, janë në konflikt me drejtuesin e SPAK, për kryerjen e arrestimeve, duke i mbajtur çështjet në kosh dhe çuar në gjykatë sipas situatës e qëllimit të tërheqjes së vëmëndjes.
Ndërsa prokuroritë e gjykatat e rretheve janë kthyer në miniera letre, që punonjësit brenda tyre nuk dinë ku të përplasin më parë kokën dhe nga cila çështje të fillojnë hetimin. Edhe të mendosh këtë situatë, se si do përkeqësohet akoma dhe më tepër kur “Vettingu” ka ende në fuqi mandatin 1 vjeçar. Dara e hekurt dhe çekiçi i këtij “vetting” vijon të shkaktojë dëshmorë “5 Maji” pikërisht kur janë mbudhur dhe 5 vite nga nisja e Reformës në Drejtësi.

A e dini se cilat janë pesë liritë kryesore dhe të drejtat e kafshëve?

Mirëqenia e kafshëve është një pjesë e rëndësishme e bujqësisë së qëndrueshme. Gjithashtu ajo është pjesë e praktikës së mirë bujqësore dhe është e lidhur ngushtë me arritjen e një produktiviteti më të lartë të kafshëve dhe të fitimeve më të larta, përkatësisht me më pak humbje dhe shpenzime për shkak të sëmundjeve dhe të lëndimeve të kafshëve.

Praktikat intensive bujqësore që dëmtojnë mirëqenien e kafshëve të fermës ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e emetimeve të gazrave serrë që janë shkaku kryesor i ndryshimeve klimatike, në shkatërrimin e habitateve natyrore të llojeve të egra përmes përhapjes së tokës bujqësore për kultivimin e kulturave bujqësore të nevojshme për ushqimin e kafshëve të fermës në sistemet intensive, dhe në përdorimin dhe ndotjen e burimeve ujore rreth fermave me një numër të madh të kafshëve (Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e KB-së –FAO, 2006).

Koncepti i pesë lirive është i përfshirë në bazat e të gjitha rregulloreve ndërkombëtare dhe kombëtare që lidhen me mirëqenien e kafshëve.

Në shumë zona rurale, mbijetesa e fermerëve të vegjël, zakonisht jo aq të pasur, lidhet drejtpërdrejt me mbijetesën dhe shëndetin e kafshëve që ata mbarështojnë, si dhe me cilësinë e produkteve me origjinë shtazore.

Përfitime të mëdha në apektin e efikasitetit të lartë mund të arrihen duke përmirësuar prodhimin në fermat e vogla përmes përmirësimit të të ushqyerit, përzgjedhjes së atyre racave blegtorale që i përgjigjen mirë klimës vendore, sigurimit të kujdesit adekuat veterinar dhe përmes praktikës së tillë të prodhimit që siguron që kafshët të plotësojnë nevojat e sjelljes, përkatësisht zvogëlon mundësinë e stresit dhe të lëndimëve.

Bujqësia e qëndrueshme gjithashtu duhet të jetë e qëndrueshme në prodhimin blegtoral. Sa më të mira janë kushtet për mbajtjen e kafshëve, aq me e mirë bëhet dhe gjendja e mirëqenies së tyre. Me këtë, vlera e shtuar e produkteve të këtyre kafshëve është më e lartë, gjë që ka një ndikim pozitiv si në gjendjen e përgjithshme shëndetësore të kafshëve, ashtu edhe në të ardhurat e fermerëve.

Që nga vitet 1950, blegtoria dhe praktikat e blegtorisë po ndryshojnë me shpejtësi, në mënyrë që të rritet vëllimi i prodhimit dhe kjo ka rezultuar me zbatimin e disa praktikave të reja bujqësore. Në fermat industriale, një numër i madh i kafshëve mbahet në kushte që ndikojnë negativisht në mirëqenien e tyre. Një shembull i kësaj janë lopët mjelëse, të cilat pas dy ose tre vjetëve të mjeljes intensive shpesh përjashtohen nga prodhimi për shkak të gjendjes së keqe shëndetësore (shpesh shfaqet mastiti ose çalimi). Praktikat e tilla bujqësore nuk janë të qëndrueshme në planin afatgjatë, veçanërisht për fermat bujqësore të vogla dhe të mesme.

Fakti që kafshët janë qenie të ndërgjegjshme, të cilat janë në gjendje të ndiejnë dhimbjet dhe vuajtjet në kushtet industriale, kryesisht injorohet. Kafshët shpesh nuk janë në gjendje të shprehin sjelljen normale dhe vendi ku mbahen është shpesh aq i kufizuar saqë pengon që kafsha të ngrihet ose të kthehet. Shembuj të këtij lloji të mbajtjes janë kutitë e ngushta për mbarështimin e viçave, broilerët dhe kafazet me bateri për klloçka, pastaj hapësira e kufizuar për dosa dhe shumë të tjerë.

 

Burimi: Bujqësi e Qëndrueshme për një Ballkan të qëndrueshëm

alert.al/

Dhjetë pyetje për Lul Bashën dhe të tijtë

Nga Bislim AHMETAJ

Bash në kulmin e temperaturave të larta të Korrikut, pikërisht atëherë kur temperaturat e luftës politike mes mazhorancës dhe opozitës shenojnë gradën “O” Lulzim Basha me të tijtë paskan thirrur kuvendin e Partisë së tyre.
Nuk ma zë më as goja ta them, as gishtat ta shkruaj Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë sepse ajo (PDSH-ja) ka vite që e ka humbur emrin e përvetshëm të saj. Si parti që duhej të përfaqësonte interesat e shtresave të djathta të shoqërisë shqiptare.
Prej vitesh ajo është shndërruar në përfaqësuese të disa klaneve familjare të lidhura krye këput me mazhorancën dhe oligarkinë financiare të pushtetit.
Gjithashtu ajo ka pushuar me kohë së qëni demokratike edhe pse s’ja arriti ta meritojë plotësisht mbiemrin e saj ndër vite, në të shkuarën ajo ka bërë përpjekje serioze dhe sakrifica sublime që të ishte e tillë.
Por viteve të fundit nën drejtimin e Lul Bashës dhe të tijve s’ka më asnjë lidhje me mbiemrin e origjinës që i dha Lëvizja Studentore e Dhjetorit ’90 prej nga lindi dhe mori emrin, mbiemrin dhe identitetin kombëtar si Partia Demokratike e Shqipërisë.
Me pak fjalë ajo s’është ma as parti, aq më pak demokratike dhe për më keq akoma nuk është më në shërbim të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Ajo tashmë është thjeshtë përfaqësuese e bishtit të mazhorancës së Edi Ramës, shtojcë e sektit të Sorosit në Shqipëri dhe si një “strehë vorfnore” për një grup njerëzish që për nga origjina, veprimtaria dhe qëndrimet ndër vite i përkasin të djathtës historike por edhe atyre pak individëve që spikatën me kryeultësinë e tyre përgjatë këtyre tridhjetë viteve pluralizëm politik në Shqipëri.
Ky, grupi i fundit për fat të keq ndoshta pa vullnet dhe në mënyrë naïve, për interesa të vogla, por besoj edhe nga dëshira për të qënë protagonist të ndryshimeve pozitive ka mbetur minorancë dhe po vazhdon të shërbej thjeshtë si një maskë për të mbuluar fytyrën e Lulit dhe të tijve në shërbim të “kapitalizmit te majtë botëror sorosian”, në shërbim të oktapodëve në gjakun e të cilëve është injektuar virusi i grupeve që se njeh familjen si intitucion themeltar të jetës dhe zhvillimit, që për zot njeh kryetarin e sektit dhe jo Atë që na ka falë dhe na drejton në jetën e përditshme dhe në atë të përjetshmen.
Pra ky Luli, përfaqësuesi i sektit, I ngarkuar për të udhehequr opozitën shqiptare pasi siguroj vulën e partisë edhe për katër vitet e ardhshme me një nxitim prej gjarpri, përmes një procesi mafioz të denjë për sekte dhe grupe marksist-leniniste, me po të njëjtin zell dhe me po të njëjtat procedura ka thirrur edhe kuvendin e të shtunës për të futur në “xhepin” e sektit që I përket edhe organet drejtuese të asaj që para pak vitesh quhej Partia Demokratike e Shqipërisë.
Unë për shumë kënd në Shqipëri mund të mos jem askushi, ose një njeri që merrem me letërsi, poezi, mësimdhënie, jetë sociale dhe shoqërore, por për Partinë Demokratike të Shqipërisë kam qënë dhe jam pjesë e palcës së saj.
Palcë të cilën përditë e shoh të tkurret, të thahet, të përjashtohet dhe të vdes.
Unë jam njëri ndër ata treqind e disa Anëtar të Listes që Themeluan Partinë Demokratike, pluralizmin politik shqiptarë në Dhjetor të 90-s. Por me një ndryshim palcor, pa qënë kurrë anëtar i Partisë së Punës, sic qenë shumë prej anëtarëve të asaj liste.
Por jo vetëm kaq, as në rrënjën time familjare s’kishte asnjë anëtar të asaj partie terroriste që e çoj Shqipërinë në caqet e mbijetesës.
Unë në dallim me shumë anëtar të tjerë të asaj liste s’kam pas kurrëfarë lidhje, as si individ as në bashkësinë e familjes time me sigurimin e shtetit, apo me organet e tjera të dhunës në diktaturë siç kanë pas një pjesë e atyre që kanë spikatur ndër vite në krye të punëve të shtetit dhe demokracisë.
Unë s’kam rreshtur asnjë ditë të vetme përgjatë këtyre gati 31 viteve në përpjekjet e mia për ta forcuar demokracinë në partinë demokratike por edhe përtej saj në shoqërinë tone të kontaminuar.
Edhe pse nuk ja kam dalë, s’jam ndalur kurrë, as në 96-ën kur e ndalonin Azem Hajdarin të merrte pjesë në Kuvendin e partisë që e kishte themeluar dhe drejtuar në Dhjetor, as në 97-ën kur bandat e opozitës së asaj kohe në bashkëpunim me armiqtë e Shqipërisë e dogjën atdheun nga jugu në veri.
Unë i kam rezistuar horave, hajnave, servilëve, presioneve diplomatike, shantazistëve korruptivë për 30 e sa vite vetëm e vetëm për ti qëndruar besnik lirisë së fjalës, demokracisë dhe besimit tek e verteta.
Dhe mbi të gjitha për të qënë një atdhetar i mirë dhe i përulur.
Kam qënë Anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë prej vitit 1995, në fillim si përfaqësues i Degës Studenti dhe më pa i zgjedhur me votë të drejtëpërdrejtë të delegatëve të kuvendit deri në vitin 2017.
Në kuvendin ku Partia Demokratike ju dorëzua përfundimisht sektit të udhëhequr nga Lul Basha dhe të tijve.
Në kuvendin e fundit përvecse u përjashtova (megjithese mora vota ma shumë se gjithe kryesia e Lulit) nuk mu dha as fjala që për mua ishte dhe mbetet “A-j”, shenjtëria e demokracisë.
Tashmë në partinë e Lulit dhe të tijve që është shkelur edhe “Zh-ja” jo vetëm që nuk jam delegate por nuk e kam asnjë ftesë si themelues.
Bislim Ahmetaj, si Anëtari Themelues I PDSH, ndoshta i vetmi i tepruar nga ajo listë themeluese që nuk ju ka ndarë për asnjë ditë Partisë Demokratike njëlloj, sikur kur nuk ishte dakort me Azem Hajdarin në ato pak ditë që ai ishte kryetar apo me Eduard Selamin në ato pak vite kur Sali Berisha u zgjodh President I Republikës dhe mandati i tij binte ndesh me Kushtetuten. Po të njëjtat raporte me lirinë dhe të drejtën e fjalës i kam ruajtur edhe me Tritan Shehun që e pasoj në këtë post Eduart Selamin dhe më pas për shumë e shumë vite me Sali Berishën.
Njëlloj si kur kemi qënë në pushtet po ashtu edhe në opozitë.
Por asnjëri prej tyre s’ka “guxuar” të ma mbyllë gojën, aq më pak të më përjashtoj nga Partia Demokratike e Shqipërisë.
Tash që ajo është partia e Lulit dhe e të tijve, unë nuk ndihem “I përjashtuar” prej saj, përkundrazi unë nuk dua të jem më në një parti që s’ka asnjë lidhje me lirinë, me demokracinë, me drejtësinë, barazinë para ligjit dhe shtetin ligjor, me familjen dhe krijuesin, me aspiratat perendimore te kësaj partie kur ajo lindi me sloganin “E duam Shqipërinë si gjithë Europën”.
Unë e kam treguar në vite me veprimtarinë time publike që për të tjera vlera jetoj dhe veproj ndaj s’kam ndonjë qejf mbetje për “përjashtimin” tim, por ama anëtarëve të familjes politike që i përkas kam të drejtë t’ja lëshoj disa pyetje për kuvendin e 17 Korrikut që për mua shënon vdekjen e shpirtit të lirisë së kësaj partie që u themelua si parti e lirisë dhe demokracisë.
Po të isha delegate apo i ftuar në kuvendin e nesërm do ta kërkoja fjalën edhe pse e kam provuar që Luli dhe argatët që e ndihmojnë për shkatërrimin përfundimtar të Partisë Demokratike dhe shndrrimin e saj në shtojc të sektit të pushtetit do ti kisha drejtuar disa pyetje, thuajse i sigurtë që s’do të merrja përgjigje për to, as nga ai, as nga mercenarët e tij.
Por për hir të lirisë dhe të drejtës së fjalës për të cilën unë kam sakrifikuar përvec karrjerës edhe shumë benifite përsonale dhe familjare pyetjet do ti baj publikisht, përmes atyre mediave që i publikojnë dhe medias sociale facebook që për fat akoma s’na e ka mbyllur gojën.
I bindur që s’kam me marrë asnjë përgjigje as prej atij përsonalisht, as prej përfaqësuesve të sektit tëntij këto pyetje uroj të trazojnë sadopak shpirtrat e atyre që ju dhemb Partia Demokratike njëlloj si mua që ai po jua përvetson dhe po jua shndërron në një parti klani familjar njëlloj sic ka vepruar me qindra mijëra idealist shqiptarë përgjatë këtyre viteve që kur ju dorëzua padrejtësisht drejtimi i opozitës shqiptare.
Me këto pyetje dua të ju drejtohem edhe atyre që nuk janë pjesë e drejtëpërdrejtë e Partisë Demokratike por kanë varur shpresat dhe besimin që një ditë shpresa dhe besimi i tyre do të bahen realitet përmes kësaj force politike.
Këto pyetje i bëj edhe për miqtë tanë perendimor me të cilët ti Lul, nuk gjete asnjë ditë të vetme paqe dhe koherencë për gati një dekadë sa të është besue drejtimi i opozitës së vendit.
Këto pyetje i bëj edhe për me e la dhe me e pas të qetë shpirtin tim, si thoshte i përkori Pjetër Arbnori.
Pyetja Nr. 1: Pse e pate tanë atë nxitim me u riafirmue kryetar pas humbjes dramatike të 25 Prillit, pa të shkue mendja me kërkue asnji falje antëtarësisë , pa dhënë nji dorëheqje formale pas humbjes së radhës , apo pa u “ngri” të paktën siç ta rekomonduan herën e parë???

Pyetja Nr.2: Pse organizove çdo burim njërëzor dhe material, që rezultati dëshpërues i humbjes së garës tënde individuale me Edi Ramën për kryministër të vendit në zgjedhjet e 25 Prillit të shpërblehej në zgjedhjet e brendshmë të partisë me një rezultat tmerrësisht jo të besueshëm(81%)?!?

Pyetje nr. 3: A mendon që rezultati “I fitores” tënde brenda partisë ka ndikuar në rritjen e besimit të demokratëve që pas katër vitesh mund të bëhesh prapë kryeministër?!?

Pyetja Nr.4: A thua je ba aq paranojak sa ke filluar dhe i beson konspiracioneve të Kastriot Myftarajt që vërtetë ke gjakun e diktatorit Hoxha dhe për pasoj je i shënjuar për ta sunduar këtë vend?!?

Pyetja Nr. 5: A do ti tregosh kuvendit të nesërm të cilin e ke thirrur në thyerje të çdo norme statutore dhe pa asnjë arësye urgjente, njëlloj si zgjedhjen tënde pa dorëheqje, se cili ka qënë kontributi yt në shpalljen “non grata” të Sali Berishës nga Departamenti i Shtetit Amerikan dhe cili do të jetë pozicioni i zotit Berisha në grupin parlamentar të partisë tende në legjislaturën që nis në shtator të vitit 2021 që ti e njeh dhe se njeh?!?

Pyetja Nr. 6: A do ta bësh ndonjëherë publike “marrëveshjen” e 18 Majit mes teje dhe Edi Ramës para demokratëve, rast më të mirë se kuvendi nuk besoj se mund të ketë, nesër e ke këtë shans?!?

Pyetje Nr. 7: A do të besoj kush nesër në kuvendin tënd privat që analiza nëpër degë u ba reale, pasi janë po ata, delegatët e pazgjedhur nga askush dëshmitarët e së kundërtës?!?

Pyetje Nr. 8: A din me i kallzue nesër kuvendit tënd se kush ti ka propozue ata katër pesëqind emra njerëzish që do të “votohen” si anëtar të këshillit tënd kombëtar, disa prej tyre njerëz me integritet dhe kontribute por dhjetra të tjerë numra rendor që si njeh as oborri i shtëpisë së vet, njëlloj si ata të listavë për deputet të vitit 2017 e pse jo edhe këto të 2021-it?!?

Pyetje Nr.9: A e din se sa prej asaj liste që i është propozuar për votim kuvendit tënd dhe shokëve tu janë bashkëpunëtor të sigurimit të shtetit, ish anëtarë të Partisë së Punës, apo subject i ligjit “tënd” të famshem për dekriminalizimin?!?

Dhe pyetja e fundit me Nr. 10: A do ta bësh nesër një akt që askush se ka bërë akoma në këtë vend?
A do ta japësh dorëheqjen nga kryetar i pazgjedhur i opozitës?!?
Beja kete nder Shqiperise, do te kujtohesh gjate me beso.
Hiqja të paktën një litar nga qafa njerëzve të këtij vendi të cilët edhe kaq, ju ka mjaftuar për të qënë të dëshpëruar, të tronditur dhe të pa shpresë.
Nëqoftëse do ti përgjigjesh pozitivisht pyetjes së fundit, të tjerat presin dhe mund ti fal jo vetëm unë por edhe bashkëvendasit e mi.

Tirane me dt, 16 Korrik 2021

Alert.al

Pesticidi klorpirifos në bananet e importuara nga Ekuadori

Gjatë dy viteve të fundit, BE ka ndaluar importin e frutave me pesticidin klorpirifos në vendet e saj anëtare, një pesticid që konsiderohet i dëmshëm për shëndetin e njeriut, sipas diplomatëve të BE-së.

Autoriteti Europian i Sigurisë së Ushqimit ka identifikuar shqetësimet në lidhje me efektet e mundshme gjenotoksike si dhe efektet neurologjike gjatë zhvillimit, të mbështetura nga të dhëna që tregojnë dhe efektet te fëmijët.

Vendimi i marrë nga një shumicë e vendeve anëtare, pason një ndalim të gjerë të BE-së për insekticidet, që përfundoi në janar të vitit 2020.

Por ndërkohë në Kroaci janë evidentuar disa raste të këtij pesticidi në bananet e freskëta me origjinë nga Ekuadori.

Klorpirifos mund të dëmtojë punonjësit, komunitetet si dhe mjedisin por nuk vihet re tek bananet e qëruara. Fëmijët janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj përmbajtjes toksike të këtij produkti. Ky kimik mund të ndërpresë zhvillimin e trurit dhe të dëmtojë funksionet konjitive, të matura sipas testeve të inteligjencës, sidomos kur fëmijët ekspozohen ndaj këtij pesticidi gjatë shtatzanisë apo fëmijërisë së hershme.

Studiuesit nga Kosta Rika kanë zbuluar që fëmijët që jetojnë pranë fushave të bananeve në të cilat përdoret ky pesticid kishin në trupin e tyre më shumë klorpirifos sesa fëmijët që jetonin larg tyre.

Gjithashtu punonjësit e fermave të cilët aplikojnë pesticide në mënyrë të drejtëpërdrejtë në fushë rezultuan gati të gjithë pozitivë ne analizat për këtë produkt dhe kishin përmbajtje të lartë të kësaj lënde kimike.

Një studim i vitit 2013 në krokodilët që ushqehen me peshq në Kosta Rika zbuloi që ata kishin përqendrime të larta të këtij pesticide në gjakun e tyre nëse banonin pranë fushave me banane sesa ato që jetonin larg tyre.

Burimi: RASFF 

Qendra Alert – Alert.al