Shqiptarët shpenzojnë një pjesë shumë më të madhe të buxhetit të tyre për ushqime, krahasuar me qytetarët e Bashkimit Europian. Edhe pse vlera e shpenzimeve për këtë kategori është relativisht e afërt me mesataren europiane, konsumi i përgjithshëm në Shqipëri mbetet shumë më i ulët, duke ekspozuar peshën e rëndë që zënë nevojat bazë në ekonominë familjare.
Të dhënat e Eurostat për vitin 2025 tregojnë se konsumi individual aktual në Shqipëri arrin në 8,656 euro për banor në vit, kundrejt 27,463 eurove në mesataren e BE-së. Pra, niveli i konsumit për frymë në Shqipëri është vetëm rreth 32% e atij europian.
Megjithatë, për ushqime dhe pije joalkoolike një shqiptar shpenzon mesatarisht 2,513 euro në vit, ndërsa një qytetar i BE-së 2,847 euro. Diferenca është vetëm 13%, pavarësisht hendekut të madh në nivelin e përgjithshëm të konsumit.
Ky kontrast bëhet edhe më i dukshëm kur krahasohet pesha e ushqimeve në buxhetin e konsumit. Në Shqipëri, kjo kategori zë 29% të konsumit individual, ndërsa në Bashkimin Europian vetëm 10.4%. Me fjalë të tjera, ushqimet rëndojnë buxhetin e shqiptarëve 2.8 herë më shumë se mesatarja europiane.
Shifrat tregojnë se familjet shqiptare detyrohen të përqendrojnë një pjesë shumë më të madhe të konsumit te nevojat bazë, duke pasur më pak hapësirë financiare për strehimin, transportin, argëtimin dhe kategori të tjera të jetesës.
Qendra Alert/Alert.al


