E ftuar në emisionin “Alert” në News24, Nada Dollani, eksperte dhe pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë foli për risitë që sjell Ligji i ri për Mbrojtjen e Konsumatorit, duke u ndalur te përgjegjësitë e tregtarëve, reklamimi i produkteve dhe shërbimeve, si dhe sfidat e tregtisë digjitale.
Një vëmendje të veçantë Dollani i kushtoi reklamimit nga influencuesit në rrjetet sociale, duke theksuar se konsumatorët duhet të informohen qartë kur një rekomandim apo koment është i sponsorizuar. Sipas saj, në rastet kur një person paguhet për të promovuar një produkt, ky fakt duhet të bëhet transparent për publikun.
“Reklamimi nuk mund të përdoret për të mashtruar konsumatorin, as përmes influencuesve dhe as përmes pretendimeve të pavërtetuara për produktet” tha Dollani.
Ligji parashikon edhe vlerësimet dhe komentet e publikuara në platformat online, të cilat duhet të jenë autentike dhe të pasqyrojnë përvojën reale të konsumatorëve që kanë blerë apo përdorur produktin ose kanë marrë shërbimin.
Një tjetër çështje e rëndësishme që trajton ligji është reklamimi i suplementeve ushqimore në mediat online apo tradicionale. Dollani theksoi se nuk lejohet promovimi i produkteve me pretendime se shërojnë sëmundje, veçanërisht ato të pashërueshme, në mungesë të bazës dhe provave të vlefshme shkencore.
Sipas ekspertes, çdo pretendim për efektet apo përfitimet që ofron një produkt duhet të jetë i mbështetur në prova dhe jo të përdoret si një instrument për të orientuar apo mashtruar konsumatorët.
Ligji i ri vendos rregulla edhe për mënyrën se si renditen produktet dhe shërbimet në motorët e kërkimit. Në rastet kur tregtarët paguajnë për të shfaqur produktet e tyre në fillim të listës, konsumatorët duhet të informohen për këtë praktikë, si dhe për parametrat që ndikojnë në renditjen e rezultateve.
Dollani u ndal gjithashtu te pretendimet ekologjike në reklamimin e produkteve, duke nënvizuar se deklaratat se një produkt është miqësor me mjedisin apo kontribuon në mbrojtjen e tij duhet të jenë të verifikueshme dhe të mbështetura në vlerësime e prova nga ekspertët.
Sipas saj, Ligji i ri për Mbrojtjen e Konsumatorit synon të krijojë një marrëdhënie më transparente mes konsumatorëve dhe tregtarëve, duke përshtatur mbrojtjen ligjore me zhvillimet e tregtisë digjitale dhe mënyrat e reja të reklamimit dhe shitjes së produkteve apo marrjes së shërbimeve.
Qendra Alert/Alert.al


