Menu

Ligji i ri për konsumatorin, Bilali: Agjencia do të ketë rol rregullator dhe koordinues

E ftuar në emisionin “Alert” në News24, Alma Bilali këshilltare ligjore pranë projektit SANECA II/GIZ, foli për risitë që sjell Ligji i ri për Mbrojtjen e Konsumatorit, krijimin e Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe sfidat që shoqërojnë zbatimin e tij në praktikë.

Bilali theksoi se sfida nuk qëndron vetëm te miratimi i rregullave të reja, por edhe te përthithja dhe zbatimi i tyre në terren, në përputhje me standardet europiane.

Një nga ndryshimet e rëndësishme të ligjit është krijimi i Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen e Konsumatorit. Bilali sqaroi se institucioni i ri nuk cenon kompetencat e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit (AMK), strukturë në varësi të Bashkisë së Tiranës. Ajo theksoi se krijimi i agjencisë kërkon përcaktimin e qartë të roleve dhe përgjegjësive të aktorëve shtetërorë që do të angazhohen në zbatimin e ligjit.

“Me krijimin e agjencisë ruhen disa aspekte të ligjit të vjetër, ndërsa përcaktohet roli i aktorëve kyç dhe i strukturave shtetërore në zbatimin e tij. Shndërrimi i mbrojtjes së konsumatorit në një agjenci të re ka kërkuar diskutime dhe jemi ndeshur me kritika për të gjetur modelin e duhur, pasi bëhet fjalë për një ligj me një gamë të gjerë dhe komplekse çështjesh” u shpreh Bilali.

Ajo nënvizoi se institucioni i ri nuk do të ketë vetëm funksion zbatues, por edhe rol rregullator në fushën e mbrojtjes së konsumatorit.

“Ka një ndarje të mirë të kompetencave. Agjencia nuk do të jetë vetëm për efekt të zbatimit të ligjit, por do të jetë edhe një strukturë rregullatore, që do të ketë në thelb fushën e mbrojtjes së konsumatorit” u shpreh Bilali.

Agjencia do të shërbejë gjithashtu si pikë kontakti me institucionet dhe vendet e tjera, duke pasur një rol të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar.

Në përfundim, Bilali theksoi se sfidat e mbrojtjes së konsumatorit kanë dimension global dhe se përtej kuadrit ligjor dhe ndarjes së përgjegjësive institucionale, rëndësi të veçantë kanë informimi dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për të drejtat e tyre. Zbatimi efektiv i ligjit kërkon bashkëpunim mes institucioneve dhe angazhim për të garantuar mbrojtje reale të konsumatorëve.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts