Udhëtimi me autobus mund të kushtojë më shumë për qytetarët, nëse operatorët e transportit publik nuk përfitojnë lehtësi fiskale. Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas kërkon uljen e TVSH-së në 6%, duke paralajmëruar se rritja e barrës fiskale do të ushtrojë presion mbi çmimin e biletave dhe abonimeve.
Në një letër drejtuar Kuvendit, në kuadër të diskutimeve për paketën fiskale dhe buxhetin e vitit 2027, operatorët kundërshtojnë rritjen e TVSH-së nga 20 në 21%. Sipas tyre, transporti publik është një shërbim bazë dhe duhet të trajtohet me një normë të reduktuar tatimore, për të mos rënduar më tej qytetarët.
Rreth 450 deri në 500 mijë persona përdorin transportin publik në të gjithë vendin. Për këtë arsye, shoqata paralajmëron se çdo rritje e kostove për operatorët mund të reflektohet drejtpërdrejt te përdoruesit e këtij shërbimi, veçanërisht te studentët, pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta.
“Duke marrë parasysh rritjen e kostove të karburantit dhe të shpenzimeve të jetesës, Shoqata vlerëson se çdo rritje shtesë e barrës fiskale mbi transportin publik duhet të analizohet në raport me ndikimin te qytetarët dhe aftësinë financiare të operatorëve” thuhet në letrën drejtuar Kuvendit.
Por, kërkesat e operatorëve nuk ndalen vetëm te TVSH-ja. Ata kërkojnë gjithashtu përjashtimin e autobusëve të licencuar nga taksa e re vjetore e qarkullimit, si dhe përjashtimin nga akciza të karburantit që përdoret për transportin publik ose ngritjen e një skeme rimbursimi.
Sipas shoqatës, rritja e vazhdueshme e çmimeve të karburantit, pagave dhe shpenzimeve të mirëmbajtjes po vështirëson aktivitetin e kompanive, të cilat nuk kanë mundësi të ndryshojnë në mënyrë të njëanshme tarifat e biletave dhe abonimeve.
Në këto kushte, operatorët kërkojnë zhvillimin e një seance dëgjimore në Kuvend dhe një analizë të posaçme për efektet që ndryshimet fiskale të vitit 2027 do të kenë mbi sektorin dhe qytetarët. Në të kundërt, barra e kostove shtesë rrezikon të përkthehet në një tjetër shpenzim për mijëra familje që varen çdo ditë nga transporti publik.
Qendra Alert/Alert.al


