Menu

Alarm për spatulën e kuzhinës, përmban substancë të rrezikshme në ushqim

Një produkt që përdoret çdo ditë në kuzhinë rezulton të mos përmbushë standardet e sigurisë për kontaktin me ushqimin. Bëhet fjalë për spatulën të tregtuar nga operatori ekonomik ARTEG GROUP, për të cilën është publikuar një alarm ndërkombëtar në sistemin RASFF, me numër reference 8811559.

Sipas njoftimit të Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT), kontrollet laboratorike të kryera nga autoritetet kompetente në Belgjikë kanë evidentuar tejkalim të kufirit të lejuar të migrimit të substancës kimike 4,4’diaminodiphenylmethane (MDA).

Kjo do të thotë se gjatë kontaktit me ushqimin, materiali mund të çlirojë këtë substancë në nivele mbi normat e lejuara. Produkti është klasifikuar në sistemin RASFF si risk jo serioz për shëndetin e njeriut, por konstatimi ka sjellë marrjen e masave për tërheqjen e tij nga tregu.

Produkti i identifikuar mban emërtimin në etiketë “Nylon Serving Spatula 33cm”, me numër produkti 1100010 dhe barkod EAN 5413821079684.

Pas njoftimit, ARTEG GROUP ka deklaruar tërheqjen e produktit nga tregu dhe nisjen e kthimit nga konsumatorët.

Personat që e kanë blerë këtë spatul duhet të ndërpresin përdorimin e saj në kontakt me ushqimin dhe ta kthejnë pranë dyqaneve ARTEG GROUP. Kompania ka bërë të ditur se do të kryejë rimbursimin e plotë të çmimit të blerjes.

Rasti rikthen vëmendjen te siguria e produkteve të përdorimit të përditshëm në kuzhinë dhe rëndësia e kontrolleve për materialet që bien në kontakt të drejtpërdrejtë me ushqimin.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts