Menu

Rrezik kontaminimi mikrobiologjik, tërhiqen nga tregu 11 lloje mustardesh

Ministria e Shëndetësisë në Itali ka njoftuar tërheqjen paraprake nga tregu të të gjitha loteve dhe të gjitha datave minimale të skadencës (TMC) të 11 llojeve të mustardeve me markën “Cascina Balcarino”, për shkak të një rreziku të mundshëm të kontaminimit mikrobiologjik.

Sipas njoftimit zyrtar, tërheqja përfshin të gjitha variantet e produkteve të kësaj marke, konkretisht: Mustardën klasike, atë me fiq, me mollë, me mollë dhe dardhë, me dardhë, me perime, me kungull etj.

Në njoftimin e publikuar nga Ministria e Shëndetësisë nuk janë përfshirë fotografi të produkteve të prekura nga masa e tërheqjes.

Prodhuesi i produkteve është kompania “Cascina Balcarino di Manfredini Gianmarco”. Fabrika ku prodhohen këto produkte ndodhet në rrugën Castelbarco 53, në Orzinuovi, në provincën e Breshias, Itali.

Ky nuk është rasti i parë që kompania përballet me një tërheqje produktesh për arsye të sigurisë ushqimore. Më herët, e njëjta kompani kishte njoftuar tërheqjen e një loti reçeli me boronica, pas konstatimit të pranisë së bakterit Salmonella spp.

Për arsye parandaluese, kompania u bën thirrje konsumatorëve që të mos konsumojnë asnjë nga llojet e mustardeve të përfshira në njoftim. Personat që i kanë blerë këto produkte këshillohen t’i kthejnë ato në pikën e shitjes ku i kanë blerë.

Tërheqja e të gjitha loteve dhe datave të skadencës tregon se masa nuk kufizohet vetëm në një seri të caktuar produktesh, por përfshin të gjithë gamën e mustardeve të markës së përmendur. (IlFattoAlimentare)

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts