Menu

EKSKLUZIVE/ Raporti i KLSH 2018-2020: Inspektorët e AKU lejuan në treg pesticide dhe insekticide pa analiza, loja me mostrat e marra

Inspektorët e DRAKU Tiranë kanë marrë mostra të pesticideve dhe insekticideve të ardhura nga jashtë dhe nuk kthenin përgjigje për analizat e kryera. Këto produkte rezultojnë të jenë jashtë çdo mbikëqyrje nga DRAKU Tiranë. Pra, konsumatorët janë ekspozuar ndaj rrezikut të marrjes së substancave të rrezikshme përmes frutave dhe perimeve, për shkak të përdorimit nga fermerët të kimikateve të pakontrolluara.

Sipas auditimit nga KLSH* të praktikave të inspektimeve për subjektet që ushtrojnë veprimtarinë e importit dhe tregtimit të Produkteve për Mbrojtjen e Bimëve (PMB), konstatohet se mungon lista e produkteve që tregtohen duke mos vërtetuar në qoftë se këto produkte janë brenda listës së miratuar nga Ministria e Bujqësisë.

Nuk gjenden përgjigjet për dy insekticide të dyshimta

Nga shqyrtimi i praktikës së inspektimit datë 12 qershor 2018, del se është kryer marrja e mostrave bazuar në planin vjetor. KLSH konstaton se janë marrë mostra për dy produkte, përkatësisht PYRINEX 48 EC dhe PISION për analizimin e lëndës aktive dhe janë dërguar për analizim tek ISUV.

Produktet e mostrave të marra janë të regjistruara për t’u  importuar dhe tregtuar në RSH. Gjatë shqyrtimit të praktikave të tjera nuk rezultojnë përgjigjet për analizën e këtyre produkteve.

Nga një kontroll i bërë në listën e PMB të Ministrisë së Bujqësisë për vitin 2021, rezulton se këto dy produkte, të cilat nuk përdoren në Bashkimin e Evropian, nuk lejohet të importohen në Shqipëri, por mund të tregtohen akoma brenda vendit. Theksojmë se këto insekticide janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut.

PMB vijnë nga Izraeli, Greqia e Italia, nuk merret mostra për analizë

Nga shqyrtimi i praktikës së inspektimit datë 28 shkurt 2019 për

subjektin me aktivitet “Tregtimi me pakicë i PMB-ve”, konstatohet se është furnizuar me 3 produkte PMB përkatësisht Merpan 80EG(5000kg), Shavit F(2000kg) dhe Mavrik 2F(600Litër), të importuara nga Izraeli në Pikën e kalimit Kufitar Port-Durrës në datën 14.02.2019. Gjithashtu, i njëjti subjekt ka të regjistruara 1 produkt PMB përkatësisht Carakol (20000kg) të importuar nga Italia në PIK Port-Durrës në datën 15 shkurt 2019 dhe 2 produkte PMB Ecoram 20EP dhe Nitropol S të importuara nga Greqia në datën 20 shkurt 2019.

Për produktet PMB të importuara në RSH bazuar në VKM-në “për miratimin e rregullave për importimin. tregtimin, transportin, ruajtjen, përdorimin dhe asgjësimin e produkteve për mbrojtjen e bimëve”, duhet të ishte bërë marrja e mostrave për analizë. Veprim i cili nuk është kryer.

Sipas ligjit, kontrolli cilësor i produkteve për mbrojtjen e bimëve bëhet për PMB-të, që importohen, mostrat e të cilave merren nga inspektorët në pikat e kalimit kufitar, për çdo parti të PMB-së.

Mostrat u dërguan në ISUV  

Nga shqyrtimi i praktikës së inspektimit më datë 19 mars 2019, konstatohet se është bërë marrje mostre për 2 produkte PMB, përkatësisht Merpan 80 EG dhe Aviator. Produktet janë dërguar për analizim tek Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV), por nuk ka përgjigje për rezultatet e analizave. DRAKU nuk ka njoftuar subjektin për rezultatet e analizës.

Kështu ka ndodhur edhe në datën 24 prill 2019, ku KLSH konstaton se është bërë marrje mostre për produkt PMB, përkatësisht Pyrinex 48EC. Mostrat e produkteve janë dërguar për analizim tek ISUV, por nuk ka përgjigje për rezultatet e analizave.

Pse nuk bëhen analizat e PMB-ve

“Nuk është kryer analizimin i PMB për vitin 2018 në asnjë nga subjektet e inspektuar, nga laboratori i akredituar siç parashikohet në ligj. Moskryerja e analizimit ka bërë të mundur hedhjen në treg të PMB që nuk i nënshtrohen asnjë analize laboratorike të formulimit për të parë vetitë e tyre fiziko – kimike, përbërjen e lëndës vepruese  dhe përmbajtjen e saj në %, përbërjen dhe përbajtjen e lëndëve mbushëse (inerte) si dhe përbërjen e aditiveve që ju shtohen formulimeve”, konstatohet në raportin e KLSH.

Rrjedhimisht këto PMB nuk kalojnë paraprakisht në testet laboratorike dhe në terren për të parë veprimin e tyre në kushtet aktuale të vendit tonë.

*KLSH ka kryer një  konktroll në Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Tiranë (DRAKU) për periudhën nga data 1 janar 2018 deri 30 dhjetor 2020. Nga kontrolli rezultojnë shkelje të rënda financiare, të Ligjit për ushqimin dhe vendimeve të qeverisë për kontrollin e cilësisë së produkteve ushqimore, duke mos mbrojtur interesin e konsumatorit.

Qendra Alert

alert.al/

Related Posts