Në emisionin “Alert” të moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, Yllka Allaraj, Inspektore e Ushqimit në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU), u shpreh se situata e gripit të shpendëve po menaxhohet me masa të menjëhershme në terren.
Ajo theksoi se AKU është përgjegjëse për sigurinë e produkteve të vezëve, duke garantuar se të gjitha produktet e bllokuara do të eliminohen. Ndërkohë, për eliminimin e karkasave të shpendëve është përgjegjës Autoriteti Veterinar dhe Mbrojtjes së Bimëve.
Inspektorët e AKU janë të angazhuar në të gjithë territorin e vendit, duke monitoruar operatorët e biznesit ushqimor që tregtojnë vezë dhe stabilimentet e mbarështimit të shpendëve. Allaraj sqaroi se kontrollet po zhvillohen edhe gjatë fundjavës, në bashkëpunim me Autoritetin Veterinar dhe Mbrojtjes së Bimëve, për të garantuar sigurinë e konsumatorëve.
Duke folur për rrezikun e mundshëm për shëndetin publik, ajo siguroi se nuk ka asnjë studim që tregon se produktet e prekura nga influenca aviare përbëjnë rrezik për konsumatorin. Për këtë arsye, qytetarët nuk duhet të bien pre e panikut, pasi situata është nën kontroll.
Masa të menjëhershme u morën që në datën 3 mars, kur u diagnostikua rasti i influencës aviare në një stabiliment mbarështimi shpendësh. AKU, në koordinim me Autoritetin Veterinar dhe Mbrojtjes së Bimëve, ka ndërhyrë menjëherë për të kufizuar përhapjen e virusit dhe për të siguruar që produktet e rrezikuara të mos dalin në treg.emisioni plote https://www.youtube.com/watch?v=9TnPySXsj5Q


