Sipërmarrjet që grumbullojnë dhe eksportojnë produkte shqiptare po orientohen drejt skemave të financimit me Garanci Sovrane, ndërsa Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, prezantoi këtë mundësi gjatë një vizite në një biznes familjar në Bradashesh të Elbasanit.
Prej më shumë se 30 vitesh, kjo sipërmarrje merret me grumbullimin dhe tregtimin e bimëve medicinale dhe aromatike, duke bashkëpunuar me rreth 400 fermerë në të gjithë vendin dhe duke eksportuar rreth 400 tonë produkte në vit, kryesisht drejt tregjeve europiane.
Gjatë takimit me drejtuesin e biznesit, në fokus ishte mundësia e zgjerimit të aktivitetit përmes investimeve në makineri dhe teknologji të reja, si dhe përfitimi nga Kredia e Butë me Garancinë Sovrane.
“Garancia Sovrane është në mbështetjen tuaj. Pikërisht biznesin që ju keni e mbulon shumë mirë për makineritë dhe ju dyfishoni të gjithë sipërmarrjen tuaj. Është deri në një shumë prej 2 milionë eurosh, me një garanci të shtetit, me 2 deri në 3%” u shpreh ministri Salla.
Ai theksoi se institucionet janë të gatshme të asistojnë sipërmarrjet gjatë procedurave të aplikimit, me qëllim lehtësimin e procesit dhe shmangien e problematikave me dokumentacionin.
“Nëse do t’ju duhet ndihmë, ne jemi të gatshëm t’ju asistojmë për të gjitha procedurat që nevojiten, në mënyrë që të mos keni problematika në dokumentacion apo në procedurat që do të ndiqen për të përfituar nga Garancia Sovrane” tha Salla.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte skema e kompensimit prej 10% të faturave të shitjes për fermerët që furnizojnë biznesin me bimë medicinale. Sipas ministrit, kjo mbështetje synon të nxisë formalizimin e transaksioneve dhe të ardhurat e fermerëve që bashkëpunojnë me sipërmarrjet përpunuese.
“Përveç pagesës që kryeni ju, edhe shteti jep 10% për çdo faturë. Kjo ka rëndësi, sepse deri tani, sipas të dhënave të tatimeve, ka kaluar 14 milionë euro në gjashtëmujorin e parë” u shpreh ministri.
Nga ana e tij, biznesmeni vlerësoi ndikimin e kompensimit te fermerët bashkëpunëtorë, duke theksuar se kjo skemë i nxit të rrisin prodhimin dhe të vijojnë furnizimin me lëndë të parë.
“Çela Herbal” grumbullon mbi 100 lloje bimësh medicinale dhe aromatike, të cilat eksportohen në vende si Gjermania, Polonia, Italia, Franca dhe Greqia. Në përfundim të vizitës, Salla përsëriti angazhimin për mbështetjen e bizneseve që investojnë në përpunimin dhe eksportin e produkteve shqiptare.
“Duam që ju të punoni dhe ta dyfishoni punën tuaj, së bashku me 400 fermerët që keni në të gjithë Shqipërinë” përfundoi ministri Salla.
Qendra Alert/Alert.al


