Menu

Helmimi në kopshtin e Gramshit/ Vezët rezultuan të kontaminuara me salmonelë, që shkaktoi infektimin e 17 fëmijëve

Helmimi i 17 fëmijëve në kopshtin nr.1 të Gramshit ka ardhur për shkak të vezëve të kontaminuara me salmonelë. Lajmi është bërë i ditur nga AKU dhe burime për Alert, ku në fletë rezulton se të pesta mostrat kanë rezultuar me bakter.

Paralelisht, kopshti vijon të jetë i mbyllur, duke vijuar me kontrollet, ndërsa hetime të mëtejshme po vijojnë nga autoritetet.

Sipas burimeve të Alert, këto vezë kanë pasur origjinë nga kompania “Xhenis”, me seli në Malësinë e Madhe, pranë Bajzës dhe me pronar Demush Çelaj.

Tre ditë më parë, AKU ka bërë të ditur se nga analizat e kryera në qumësht dhe mishin e pulës që përdoren për fëmijët, rezultatet dolën negative, pa praninë e salmonelës.

Pas shenjave të helmimit, AKU mori analiza nga 72 persona, 53 fëmijë dhe 19 anëtarë të stafit të kopshtit. Pas verifikimeve në Institutin e Shëndetit Publik, rezultatet treguan se 17 fëmijë ishin prekur nga salmonela.

Ngjarja e helmimit ka ndodhur më 20 maj, por reagimet e para zyrtare erdhën pas publikimit në media dhe rrjetet sociale. Në sqarime, institucionet thanë se ngjarja nuk u mbajt e fshehtë.

Të hënën, më 26 maj, familjarët e fëmijëve protestuan duke kërkuar siguri për fëmijët e tyre dhe vënë para përgjegjësisë personat që lejuan një situatë të tillë dhe pasiguri ushqimore.

Related Posts