Individë që do të vendosen në çdo institucion publik do të kenë detyrën e vetme që të bëjnë të mundur denoncimin e çdo akti korruptiv për të ndarë ‘të njomin nga i thatë’, siç i quajti Kryeministri Rama trë korruptuarin nga atë që e bën në mënyrë të ndershme punën e tij. Lajmin për këtë rrjet antikorrupsion që Qeveria do të ngrejë e dha sot vetë Rama në ceremoninë e nisjes së punimeve për rikontruksionin e maternitetit ‘Mbretëresha Geraldinë’.
“Ne jemi në proces të ndërtimit të një rrjeti antikorrupsion në të gjithë sistemin tonë publik. Kjo do të jetë vetëm nga ana jonë, jo ai i drejtësisë. Kjo është arsyeja që edhe në spitale do të shtrijmë deri në fund, si në të gjitha institucionet, rrjetin e individëve që do të jenë aty vetëm për këtë punë, për të ndarë dhe për të kontribuar në ndarjen e të njomit nga i thati. Lufta do të bëhet brenda. Vetëm kështu rriten të ardhurat, vlerësimit, dinjiteti dhe respekti”, tha Rama në vendosjen e gurit të themelit për ndërtimin e maternitetit të ri të Tiranës “Mbretëresha Geraldinë”, ku e pranishme është edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Kryeministri Rama e ka konsideruar si shokues deklaratën pak ditë më parë të një mjeku në Spitalin e Traumës i cili i cili tha se ‘ryshfeti’ duhet të dorëzohet te recepsioni. Rama tha se kjo vërteton edhe domosdoshmërinë e lëvizjes së re të qeverisë kundër korrupsionit.
“Një mjek që kërkonte legalizimin e ryshfetit. Është vërtet mbresëlënës për nga niveli i kurajos dhe për nga paturpësia e propozimit. Patjetër që niveli i shpërblimit të mjekëve duhet rritur dhe ne do ta rrisim ashtu sikundër e kemi rritur. Është një zotim që ne e kemi bërë që pagat për bluzat e bardha të rriten 40%. Të paguhen edhe sipas mundit, volumit dhe cilësisë së shërbimit që bëjnë individualisht. Të thuhet që ka ardhur koha të legalizojmë ryshfetin është vërtet një mesash kuptimplotë për domosdoshmërinë e lëvizjes antikorrupsion në të gjithë sistemin tonë shtetëror që ka filluar të ndihet edhe më thellë. Nuk mund të ketë barazi për të gjithë bluzat e bardha se ‘të gjithë janë njësoj’ dhe të gjithë fusin duart në xhepat e pacientëve. Kjo nuk është e vërtet”, tha Rama.
alert.al/

