Menu

Konsumatorët dhe zgjidhja e ankesave nga Linja e Gjelbër e Qendrës ALERT, prezantohen rezultatet e një viti dhe pyetësori për konsumartorët

Mbrojtja e konsumatorëve dhe adresimi i shqetësimeve të tij mbeten thelbësore për një treg të drejtë dhe të sigurt. Në këtë kuadër, në ambientet e Europe House në Tiranë, u zhvillua aktiviteti “Prezantimi i gjetjeve të ankesave të konsumatorëve dhe shqetësimeve të ngritura nëpërmjet pyetësorit”, ku u prezantuan të dhëna dhe analiza mbi problematikat kryesore të evidentuara nga vetë konsumatorit, nëpërmjet Linjës Kombëtare Jeshile për Mbrojtjen e Konsumatorëve, 08002626.

Aktiviteti u çel nga Drejtori Ekzekutiv i Qendrës ALERT, Z. Granit Sokolaj, i cili prezantoi projektin “Linja e Gjelbër për Mbrojtjen e Konsumatorit – Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri përmes fuqizimit të OSHC-ve lokale”, duke theksuar rëndësinë e trajtimit të ankesave të konsumatorëve dhe përdorimit të tyre si bazë për përmirësimin e politikave dhe praktikave institucionale.

Më pas, fjalën e mori Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), Z. Gledis Gjipali, partner në projekt, i cili vlerësoi fokusin e nismës në mbrojtjen e konsumatorit dhe kontributin konkret që projekti jep në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Në vijim, Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Z. Enkelejd Musabelliu, përshëndeti nismën duke theksuar rëndësinë e rritjes së ndërgjegjësimit të konsumatorëve dhe forcimit të rolit të tyre në një treg transparent dhe konkurrues.

Fjalën e mori gjithashtu Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Z. Fatmir Guri, i cili vlerësoi projektin dhe theksoi rëndësinë e informimit të konsumatorit, duke nënvizuar vizionin për një konsumator shqiptar të mbrojtur dhe të ndërgjegjshëm, në përputhje me standardet evropiane.

Në përmbyllje, Menaxherja e Projektit për Sigurinë Ushqimore, Veterinarinë dhe Peshkimin pranë Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Znj. Elisa Teneqexhi, vlerësoi fokusin e projektit dhe riafirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Europian për mbrojtjen e konsumatorit dhe avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit në BE.

Aktiviteti u shoqërua me një diskutim të hapur mes pjesëmarrësve, ku përfaqësues të institucioneve, shoqërisë civile dhe aktorë të tjerë relevantë shkëmbyen mendime dhe sugjerime mbi gjetjet e prezantuara, sfidat aktuale dhe nevojën për bashkëpunim të mëtejshëm në forcimin e mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve.

Gjatë aktivitetit, u prezantuan të gjithe ankesat e konsumatoreve pranë Linjës së Gjelbër dhe në rrugët tjera të komunikimit me Qendrën ALERT, natyra e ankesave, efikasiteti në zgjidhjen e tyre, si dhe u prezantuan gjetjet e pyetësorit për konsumatorët dhe perceptimet e tyre.

*Ky aktivitet u zhvillua zhvillohet në kuadër të projektit “Linja e Gjelbër për Mbrojtjen e Konsumatorit – Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri nëpërmjet fuqizimit të OSHC-ve lokale”, financuar nga Bashkimi Evropian (IPA III/2024), dhe po zbatohet nga Qendra ALERT në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA).

Related Posts