Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndaluar importin e kafshëve të gjalla dhe produkteve të tyre nga Hungaria, pasi në këtë shtet është konfirmuar shpërthimi i sëmundjes Afta Epizootike (FMD).
Sipas njoftimit zyrtar nga autoritetet hungareze dhe sistemit të BE-së për sëmundjet e kafshëve (ADIS), sëmundja është shfaqur në një zonë kufitare me Sllovakinë. Për këtë arsye, bazuar në rregullat ndërkombëtare të Organizatës Botërore të Shëndetit të Kafshëve (WOAH), Ligjin e Shëndetit të Kafshëve të BE-së dhe Ligjin e Veterinarisë në Kosovë (21/2004), është vendosur ndalimi i importit të gjedhëve, deleve, dhive, derrave dhe produkteve të tyre nga Hungaria.
Afta Epizootike është një sëmundje virale shumë ngjitëse, e cila prek kafshët me thundra të çara, si lopët, delet, dhitë dhe derrat. Simptomat përfshijnë ethe dhe flluska në gojë, thundra dhe lëkurë, duke shkaktuar vuajtje te kafshët dhe humbje ekonomike për blegtorët. Sëmundja nuk paraqet rrezik për njerëzit, por mund të dëmtojë rëndë sektorin e blegtorisë dhe tregtinë e kafshëve.
Kosova vazhdon të mbajë statusin e saj si vend i lirë nga Afta Epizootike dhe autoritetet janë në gatishmëri për të parandaluar çdo rrezik të përhapjes së sëmundjes.


