10 miliardë lekë investime për ujitjen, kullimin dhe mbrojtjen nga përmbytjet gjatë viteve 2025-2027. Shifra u bë publike nga ministri i Bujqësisë, Andis Salla, në konferencën “ALBANIA WATER 2030”, ku premtoi modernizim të infrastrukturës dhe zgjidhje afatgjata për sektorin bujqësor.
Sipas ministrit, mbi 3 miliardë lekë financohen çdo vit për këto tri fusha, me synimin për të përmirësuar shërbimin ndaj fermerëve dhe për të rritur qëndrueshmërinë e prodhimit bujqësor.
Por, sfida nuk qëndron vetëm te shuma e parave të deklaruara, por te rezultatet që këto investime do të prodhojnë në terren. Fermerët përballen me dy probleme të përsëritura: Mungesën e ujit gjatë periudhave të thata dhe rrezikun e përmbytjeve gjatë reshjeve intensive.
Salla tha: “Ndërhyrjet nuk do të kufizohen vetëm në rehabilitimin e infrastrukturës ekzistuese, por do të përfshijnë rritjen e kapaciteteve ujëmbledhëse dhe kalimin drejt sistemeve moderne të ujitjes me presion”.
Si shembuj të projekteve në këtë drejtim, ministri përmendi ndërhyrjet e mbështetura nga Banka Botërore në Divjakë dhe në zonën Mursi–Konispol, si dhe investimet në sistemet e kullimit në Maliq dhe Torovicë.
Një tjetër element i prezantuar ishte bashkëpunimi me Universitetin Bujqësor të Tiranës për studime shkencore, identifikimin e problematikave në terren dhe monitorimin e rezultateve të investimeve.
Megjithatë, përtej deklaratave dhe projekteve të prezantuara, mbetet thelbësore të shihet se sa nga këto 10 miliardë lekë do të përkthehen në infrastrukturë funksionale dhe sa do të ndryshojnë realisht kushtet e punës për fermerët.
Sepse për bujqësinë, investimi nuk matet me miliardat e deklaruara në konferenca, por me hektarët që ujiten, tokat që nuk përmbyten dhe prodhimin që arrin të shpëtohet.
Qendra Alert/Alert.al


