Nga janari 2027, 54 produkte ushqimore do të përfitojnë ulje të TVSH-së nga 20% në 6%. Një lehtësi fiskale që qeveria e prezanton si lehtësim për xhepat e qytetarëve, por që ngre një pikëpyetje thelbësore: A do të përkthehet realisht në çmime më të ulëta në dyqane apo përfitimi do të mbetet te tregtarët?
Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj ka paralajmëruar monitorim më të rreptë të tregut për të garantuar që ulja e taksës të reflektohet te konsumatorët. Për këtë qëllim, qeveria synon të përdorë edhe platformën “Pasqyra e Çmimeve”, përmes së cilës do të krahasohen dhe ndiqen çmimet e produkteve.
“Monitorimi i tregut, transparenca e çmimeve do të jenë pjesë të rëndësishme të zbatimit të kësaj mase, me qëllim që të sigurohemi që politika e ndërmarrë nga qeveria shqiptare të shkojë realisht në xhepat e çdo qytetari shqiptar. ‘Pasqyra e Çmimeve’ e cila është prezantuar në vjeshtën e këtij vitit synon pikërisht të krijojë një mundësi për krahasimin dhe ndjekjen e këtyre çmimeve duke ofruar më shumë informacion për konsumatorët” tha Ibrahimaj.
Por, monitorimi nuk do të kufizohet vetëm te produktet ushqimore. Në Komisionin e Burimeve Natyrore, Ibrahimaj pranoi se çmimet e fruta-perimeve mbeten një problematikë e vështirë për t’u kontrolluar, pasi ndryshojnë disa herë edhe brenda së njëjtës ditë. Për këtë arsye, ministrja paralajmëroi një rregullim ligjor më strikt, që synon të rrisë transparencën dhe kontrollin mbi çmimet.
Edhe te karburantet qeveria po shqyrton një mekanizëm të përhershëm transparence. Pas heqjes së taksës së qarkullimit, ulja prej 27 lekësh, që bashkë me TVSH-në arrin rreth 32.3 lekë për litër, duhet të reflektohet në çmimin që paguajnë qytetarët. Si mekanizëm për këtë po shqyrtohet ruajtja e përhershme e Bordit të Transparencës ose përfshirja e këtij funksioni në platformën e çmimeve.
Ndërkohë, gjatë prezantimit të buxhetit të institucionit, Ibrahimaj bëri të ditur se për vitin 2027 janë parashikuar 28.1 miliardë lekë për financimin e diferencës së skemës së sigurimeve shoqërore, ndërsa në vitin 2029 kjo transfertë pritet të arrijë në 30.4 miliardë lekë.
Premtimi për ulje taksash është bërë. Sfida mbetet te zbatimi, nëse qytetarët do ta ndiejnë realisht lehtësimin në faturën e blerjeve apo nëse ulja fiskale do të përthithet nga zinxhiri tregtar.
Qendra Alert/Alert.al


