Menu

Ndotja nga plastika, si po depërton tek konsumatori?

Ndotja nga plastika është aq e përhapur saqë po depërton edhe deri te frutat dhe perimet që konsumojmë, gjatë procesit të tyre të rritjes.

Grimcat mikroplastike e kanë infiltruar çdo pjesë të planetit. Ato janë gjetur të fundosura brenda organeve të kafshëve që jetojnë në llogoret më të thella oqeanike dhe në ujin e pijshëm kudo nëpër botë. Ndotje nga plastika është evidentuar në plazhet e ishujve të largët dhe të pabanuar dhe shfaqet edhe në mostrat e ujit detar në të gjithë planetin. Një studim vlerësoi se ka rreth 24.4 trilion fragmente mikroplastike në shtresat e sipërme të oqeaneve të botës.

Por, ato nuk ndodhen vetëm në ujë – ato janë të përhapura gjerësisht edhe në tokë dhe madje mund të përfundojnë edhe në ushqimin që hamë. Padashur, ne mund të konsumojmë fragmente të vogla plastike me pothuajse çdo kafshatë.

Në vitin 2022, analiza nga Grupi i Punës për Ambientin, një organizatë jofitimprurëse mjedisore, zbuloi se llumi i ujërave të zeza ka kontaminuar pothuajse 20 milionë hektarë tokë bujqësore në SHBA me substanca perfluoroalkile dhe polifluoroalkile (PFAS), të njohura edhe si “kimikate të përhershme”, të cilat zakonisht gjenden në produktet plastike dhe nuk shpërbëhen në kushte normale mjedisore.

Llumi i ujërave të zeza është nënprodukti që mbetet pas pastrimit të ujërave të zeza brenda një vendbanimi. Meqenëse asgjësimi kushton shtrenjtë dhe ajo substancë është e pasur me lëndë ushqyese, llumi përdoret zakonisht si pleh organik në SHBA dhe Evropë. Në Evropë, kjo ndodh pjesërisht për shkak të direktivave të BE-së që promovojnë metodat më të gjelbra për menaxhimin e mbeturinave. Rreth 8-10 milionë tonë llum i ujërave të zeza prodhohen çdo vit në Evropë dhe afërsisht 40 për qind shpërndahet në tokat bujqësore.

Për shkak të kësaj praktike, toka bujqësore në Evropë mund të jetë rezervuari më i madh global i mikroplastikës, sipas një studimi nga Universiteti i Cardiff-it. Kjo do të thotë se nga 31.000 deri në 42.000 ton mikroplastikë, ose 86 trilion deri në 710 trilion grimca mikroplastike, e ndotin tokën bujqësore në Evropë çdo vit.

Studiuesit zbuluan se deri në 650 milionë grimca mikroplastike, me përmasa midis 1mm dhe 5mm hynin çdo ditë në një impiant për trajtimin e ujërave të zeza në Uellsin jugor, në Mbretërinë e Bashkuar. Të gjitha këto grimca përfundonin në llumrat e ujërave të zeza, duke përbërë afërsisht 1 për qind të peshës totale, në vend që të largoheshin me ujin e pastër.

Qendra Alert/Alert.al

 

Related Posts