Paketës Fiskale 2027 i shtohen kundërshtimet nga komuniteti i biznesit. Dhomat e Tregtisë kërkojnë rishikimin e disa prej ndryshimeve të propozuara nga qeveria, duke paralajmëruar se rritja e barrës tatimore, mungesa e konsultimit dhe paparashikueshmëria e politikave fiskale mund të dëmtojnë investimet dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë.
Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë, Punësimit dhe Financave, përfaqësuesit e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Dhomës Britanike të Tregtisë dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë kërkuan që ndryshimet të mos miratohen pa analiza të plota të ndikimit ekonomik. Sipas tyre, prioritet duhet të jetë zgjerimi i bazës së tatimpaguesve dhe lufta kundër informalitetit, dhe jo rritja e taksave për bizneset që janë tashmë në sistem.
Në fokus të kundërshtive janë rritja e tatimit mbi dividendin, ndryshimet në normat e TVSH-së dhe ulja e pragut të regjistrimit në TVSH. Përfaqësuesit e biznesit kërkuan shtyrjen e zbatimit të disa masave, si dhe parashikimin e dispozitave tranzitore për të shmangur efektet e menjëhershme mbi kontratat dhe detyrimet ekzistuese.
Dhoma Amerikane kërkon shtyrjen e ndryshimeve për dividendin dhe hotelerinë
Dhoma Amerikane e Tregtisë kërkoi që ndryshimet në legjislacionin fiskal të shoqërohen me rregulla të qarta tranzitore, veçanërisht për tatimin mbi dividendin, tatimin mbi pagën dhe TVSH-në në sektorin e hotelerisë.
Alketa Uruçi, përfaqësuese e Dhomës Amerikane dhe anëtare e Këshillit Tatimor, ngriti si shqetësim trajtimin e dividendëve që u përkasin viteve të mëparshme, kur norma tatimore ishte 8%. Sipas saj, ligji duhet të përcaktojë qartë nëse këto të ardhura do të tatohen sipas normës që ishte në fuqi në momentin kur u krijuan.
Një tjetër paqartësi lidhet me të vetëpunësuarit që, për shkak të marrëdhënies me një klient të vetëm, trajtohen për efekt tatimor si të punësuar. Uruçi kërkoi përcaktimin e qartë të momentit të hyrjes në fuqi të normave të reja progresive, duke marrë parasysh se detyrimet për vitin 2026 paguhen në mars të vitit 2027.
Por kundërshtimi më i fortë lidhet me ndryshimet e TVSH-së në hoteleri. Dhoma Amerikane kërkon që ato të mos hyjnë në fuqi gjatë sezonit pranverë-verë 2027, pasi strukturat akomoduese kanë lidhur paraprakisht kontrata me agjencitë e huaja dhe kanë shitur kapacitetet e tyre për sezonin e ardhshëm.
“Bizneset në hoteleri nuk punojnë me klientë që u trokasin në derë. Ato kanë kapacitete që i kanë shitur paraprakisht te agjencitë e huaja”, deklaroi Uruçi, duke argumentuar se ndryshimi i menjëhershëm i kushteve fiskale mund të krijojë probleme për kontratat dhe çmimet e dakordësuara.
Përfaqësuesja e Dhomës Amerikane kritikoi gjithashtu kohën e kufizuar të konsultimit me biznesin. Sipas saj, paketa fiskale iu vu në dispozicion vetëm dy ditë përpara diskutimit me ministrin, një afat i pamjaftueshëm për të mbledhur dhe përcjellë shqetësimet e anëtarëve.
Uruçi theksoi se biznesi nuk kundërshton masat në mbështetje të familjeve në nevojë dhe as uljen e TVSH-së për produktet e shportës, por vë në pikëpyetje mënyrën se si financohet kjo politikë.
“Problematika qëndron te fakti se ulja e TVSH-së shoqërohet me rritjen e saj për të gjitha mallrat e tjera. Kjo nuk financohet nga buxheti apo nga ulja e informalitetit, por paratë merren sërish nga qytetarët shqiptarë dhe bizneset përmes rritjes së normës me një pikë përqindje”, u shpreh ajo.
Në thelb, kërkesa e komunitetit të biznesit është për një politikë fiskale më të parashikueshme, me konsultime reale dhe me kohë të mjaftueshme për përshtatjen e kompanive ndaj ndryshimeve ligjore.
Qendra Alert/Alert.al


