Menu

Oqeanet shndërrohen në laboratorë shkencorë për mbrojtjen e mjedisit

Gara Evropiane e Oqeanit, një garë detare që lidh shtatë qytete të Europës nga Deti Baltik deri në Detin Adriatik, nuk është thjesht një sfidë sportive, por edhe një mision shkencor dhe mjedisor. Të gjitha jahtet pjesëmarrëse të klasës IMOCA janë të pajisura me instrumente të avancuara shkencore për të mbledhur të dhëna jetike nga zonat e hapura të detit, ku zakonisht nuk shkojnë as anijet kërkimore e as ato tregtare.

Gjatë itinerarit që zgjat më shumë se një muaj, jahtet do të matin parametra të rëndësishëm si temperatura, kripësia, niveli i oksigjenit dhe përqendrimi i dioksidit të karbonit (CO₂). Për herë të parë në këtë garë, do të mblidhen edhe mostra për mikroplastikë dhe ADN mjedisore (eDNA) gjatë kësaj gare në det të hapur, që zhvillohet nga 10 gushti deri më 20 shtator. Kjo ndihmon studiuesit të krijojnë një pasqyrë më të qartë të shëndetit të oqeanit.

“Shkencëtarëve u mungojnë të dhëna nga shumë pjesë të oqeanit. Kjo garë po na ndihmon të plotësojmë boshllëqet në hartën globale të informacionit detar,” u shpreh Lucy Hunt, biologe detare dhe Drejtoreshë e Ndikimit Oqeanik në Gara Evropiane e Oqeanit,. “Në edicionin e fundit të garës botërore në vitin 2023, grumbulluam mbi 4 milionë pika të dhënash, ndërsa këtë vit synojmë edhe më shumë.”

Përveç pajisjeve shkencore në bord, disa skuadra do të lëshojnë në ujë të ashtuquajturat bojë lundruese, të cilat do të dërgojnë në mënyrë të vazhdueshme të dhëna meteorologjike për disa vite me radhë. Kjo ndihmon në ndërtimin e modeleve më të sakta për ndryshimet klimatike.

Mbledhja e të dhënave do të përdoret nga institucione ndërkombëtare dhe nga “Corallium , Instituti për Jetën Detare”, një qendër e re globale për ruajtjen dhe edukimin mbi oqeanin, që do të hapet në fund të këtij viti në AMAALA, në Detin e Kuq. Corallium është gjithashtu përkrahës zyrtar i Programit Shkencor të Garës Evropiane të Oqeanit për vitin 2025 dhe do të mbështesë edhe edicionin e ardhshëm të garës globale, që përfundon pikërisht në AMAALA në vitin 2027.

“Duke bashkuar sportin me shkencën, po arrijmë të kuptojmë më mirë ndikimin e ndryshimeve klimatike në oqeanet tona,” tha Dr. Stefan Raimund, këshilltar shkencor i The Ocean Race. “Këtë vit po mbledhim të dhëna të vlefshme që do të ndihmojnë në monitorimin më të plotë të shëndetit të ujërave evropiane.”

Gara përshkon këto qytete: Kiel (Gjermani), Portsmouth (Mbretëri e Bashkuar), Matosinhos-Porto (Portugali), Cartagena (Spanjë), Nice (Francë), Genova (Itali) dhe përmbyllet në Gjirin e Bokës në Mal të Zi më 20 shtator, nën sloganin “Lidhja e Europës”.

“Ky bashkëpunim është shembulli më i mirë i një modeli të ri: kur sporti bëhet mision për shkencën dhe mjedisin,” përfundon Lucy Hunt. “Deti është në krizë – dhe këto të dhëna janë thelbësore që të marrim vendime të informuara për ta mbrojtur.”

Related Posts