Në qytetin e Cërrikut nisi sot një tryezë dyditore dialogu mes politikëbërësve, fermerëve dhe sipërmarrësve ruralë, në funksion të vizionit afatgjatë “Bujqësia 2030” dhe për të përforcuar përgatitjet e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ky aktivitet, i organizuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, synon të krijojë një platformë bashkëpunimi mes aktorëve kryesorë të sektorit bujqësor, për të adresuar sfidat aktuale dhe për të ndërtuar politika të qëndrueshme dhe të orientuara drejt standardeve europiane.
Në takim morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, ministra të tjerë të kabinetit qeveritar, deputetë të zonës dhe përfaqësues të pushtetit vendor, si dhe qindra fermerë, sipërmarrës dhe aktorë të tjerë nga gjithë Shqipëria rurale.
Ministrja Anila Denaj, gjatë fjalës së saj, u ndal tek rezultatet e arritura gjatë dekadës së fundit në sektorin e bujqësisë, duke përmendur trefishimin e sipërfaqeve të mbjella në sera, pesëfishimin e eksporteve bujqësore që tashmë shkojnë në mbi 80 tregje ndërkombëtare, si dhe rritjen e konsiderueshme të mbështetjes financiare për fermerët. Ajo gjithashtu theksoi investimet në infrastrukturë, teknologji dhe siguri ushqimore si tregues të progresit në këtë sektor.
“Këto dy ditë janë një hap konkret për të dëgjuar zërin tuaj, për të identifikuar problemet reale që përballoni çdo ditë dhe për të ndërtuar së bashku rrugët e zhvillimit. Qëllimi ynë është i qartë: të ndërtojmë një bujqësi moderne, konkurruese dhe pjesë të familjes europiane,” u shpreh Denaj, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit midis politikëbërësve, komunitetit akademik dhe sipërmarrjes rurale.
Gjatë aktivitetit do të zhvillohen diskutime në grupe pune tematike, ku pjesëmarrësit do të ndajnë ide dhe propozime mbi çështje të tilla si zhvillimi i agroturizmit, përpunimi bujqësor, teknologjitë e reja në bujqësi, financimet, siguria ushqimore dhe menaxhimi i burimeve natyrore.
Në përfundim të tryezës, më 3 korrik 2025, do të prezantohen konkluzionet dhe rekomandimet për secilën temë të trajtuar, të cilat pritet të shërbejnë si bazë për hartimin e politikave dhe ndërhyrjeve konkrete në kuadër të strategjisë “Bujqësia 2030”.
Kjo nismë përfaqëson një përpjekje të drejtpërdrejtë për të përfshirë zërin e fermerëve në vendimmarrje dhe për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi për një të ardhme më të qëndrueshme të bujqësisë shqiptare.


