Menu

“Pasaportat e arta” fusin në sherr Shqipërinë me BE-në

Cilat janë përfitimet dhe rreziqet nga “pasaporta e artë”? Ky është debati që po zhvillohet në Shqipëri, ndërsa për Bashkimin Evropian është më se e qartë se ky projekt duhet ndalur.

Sipas BE-së, rreziqet prej kësaj pasaporte janë të shumta dhe ato lidhen me ekonominë, por edhe me sigurinë.

“Pasaporta e artë” mund t’i jepet një shtetasi të huaj që investon një shumë të caktuar parash në vendin përkatës.

Në Shqipëri, nisma nuk është finalizuar ende dhe nuk dihen as kriteret për ta përfituar atë dhe as shuma që duhet investuar.

Në Raportin e Progresit për Shqipërinë, të përpiluar nga Komisioni Evropian, thuhet: “Skema të tilla paraqesin rreziqe në lidhje me sigurinë, pastrimin e parave, evazionin fiskal, financimin e terrorizmit dhe infiltrimin nga krimi i organizuar dhe janë të papajtueshme me legjislacionin e BE-së. Si vend kandidat për anëtarësim në BE, Shqipëria duhet të përmbahet nga zhvillimi i një skeme të tillë”.

Më herët, në muajin gusht, të gjitha këto shqetësime i përcolli edhe zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero-Hernandez.

Shtetësia shqiptare, deri në korrik të vitit 2020, jepej vetëm nga presidenti i Republikës së Shqipërisë. Nga ajo kohë, ky “monopol” u hoq përmes ndryshimeve në Ligjin për shtetësinë dhe në dhjetor të vitit 2020, pastaj, u krijua Agjencia e Programeve të Veçanta të Shtetësisë.

Më 29 korrik të këtij viti, Këshilli i Ministrave i Shqipërisë mori vendimin që dy kompani të huaja të ofrojnë dy shërbime: atë të reklamimit të pasaportës shqiptare dhe të kontrollit të figurës së personit që do të kërkojë të marrë pasaportë shqiptare.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts