Në një lidhje Skype për emisioni “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Prof.Dr. Kristaq Berxholi, profesor i mjekësisë veterinare ka folur për antibiotikët në vezë, kontrollet që duhet ushtruar në vezët e importit, të cilat duhet të vijnë vetëm nga vende të Bashkimit Europian.
“Problematika e antibiotikëve në vezë është shumë e rëndësishme për mua. Siguria ushqimore është problemi kryesor në të gjithë botën dhe ne duhet të ecim me hapin e botës. Ne kemi një sërë problematikash që ende nuk i kemi sqaruar. Çështja e vezëve është shumë problematike. Në vendin tonë hyjnë shumë vezë nga vende të ndryshme. Në bazë të legjislacionit, në Shqipëri duhet të vijnë vezë vetëm të importuara nga vendet e BE-së, vezë të kategorisë A dhe B. Vezët e kategorisë A janë vezë të freskëta që përdoren për konsum të popullatës, ndërsa të kategorisë B kanë kohë më të gjatë qëndrimi mbi 10 ditë dhe do përdoren për përpunim. Në Shqipëri duhet të vijnë vezë nga vende të BE, por disa herë kanë ardhur edhe nga vende të treta si Turqia dhe Serbia. Ndaj është detyrë e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) që ta sqarojë, ndoshta mund të kenë stabilimente të miratuara nga BE. Nëse janë duhet të deklarojnë se cilat janë, ku janë vendosur, kriteret që kanë etj, mos sqarimi i tyre duket paksa i çuditshëm. Jam i mendimit se pavarësisht se të gjitha produktet ushqimore vijnë nga Bashkimi Europian nuk duhet të kalojnë pa kontroll dhe këtu futen edhe vezët. Nga çfarëdo vendi që vijnë duhen kontrolluar. Nuk është problemi i mosbesimit tek institucionet e BE, por ka vite që ka shumë problem me sigurinë ushqimore. Për vezët që vijnë nga importi duhet të shtohen kontrollet”-deklaroi Berxholi.
Qendra Alert/Alert.al


