I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, prof.Ilir Kristo dekan i fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit në UBT ka folur për kultivimin e grurit, si ka ndryshuar situata në ditët e sotme, për rolin që luajti pandemia e covid-19 dhe lufta në Ukrainë.
“Që të diskutojmë për problemin e grurit, ja vlen në çdo situatë. Në mbyllje të sistemit të kaluar ne kemi ardhur me 200 mijë hektarë grurë, prodhonim 600 e ca mijë tonë, kemi patur 90 mijë hektarë miser, 300 mijë hektarë kanë qenë drithërat bazë të Shqipërisë që mbulonin nevojat e vendit. Këto dy kultura zinin 50% të sipërfaqes së tokës bujqësore, nëse heqim pjesën e pemtarisë. Sot, grurë kemi rreth 55 mijë hektarë, nuk zë as 25% të sipërfaqes që ka pas zënë. Rendimenti mesatar i grurit ka qenë 29-30 kuintal për hektarë, sot raportohet 40 kuintal për hektarë. Në këtë situatë importet e grurit kanë qenë ato që mbulojnë nevojat e vendit. Pse ka ardhur kjo situatë? Ndarja e tokës bujqësore në atë model që është bërë i konfiguroi fermat tona në 1.2-1.5 hektarë mesatarja, sot raportohen 3500 mijë ferma bujqësore, 450 mijë toka të kultivuara me ate vlerë për grurin dhe misrin. Analizë ekonomike, 1.5×4 ha grurë që ka një familje fermere, kjo s’mund t’i sigurojë të ardhurat për të përmbushur një vit kalenderik, kjo është situata ku jemi. Fermerët duke ndjekur këtë trend janë fokusuar një pjesë e mirë drejt kulturave intensive, në Berat, Lushnje, Fier, pak Shkodra, Elbasani janë futur tek perimet në sera. Një pjesë e mirë e fermerëve ka gjetur këtë zgjidhje për të siguruar buxhetin familjar. Gruri, nisi stresi në kohën e pandemisë, u përkeqësua edhe me situatën e luftës. Të dyja si Ukraina dhe Rusia kanë 25% të eksporteve boterore, këto dy eksportues të mëdhenj kanë ndikim tek ne dhe patjeter që problemi do të ndihet edhe tek ne”-deklaroi prof.Ilir Kristo.
Qendra Alert/Alert.al


