Menu

Qëllimi i mirë i bashkon në Zvicër emblemën e biznesit dhe filantropisë shqiptare, Lazim Destani me diplomatë, bëmirës dhe shkencëtarë

Ti bësh 2000 km rrugë me të vetmin qëllim, që t’i bashkohesh një takimi të mire, në një natë të veçantë edhe kjo është plus një shenjë, se je bëmirës me plot kuptimin e fjalës. Këtë e bëri mbrëmë, emblema e afarizmit dhe filantropisë shqiptare, Z.Lazim Destani. Ai iu bashkua aktivitetit dhe iftarit të organizuar në Zvicër nga shtatë biznesmenë si pjesë e Rrjetit të Miqësisë. Kur kanë mbetur më pak se 10 ditë nga fundi i Muajit të Ramazanit, afaristët që veprojnë në Zvicër si Z.Florim Useini, Visar Robelli, Shaqir Alushaj, Meti Krasniqi, Nadi Zendeli, Ibrahim Çekaj dhe Kastriot Basha, dëshmuan mirësinë e tyre  dhe dy netë më parë në xhaminë “Drita” në Emmenbrücke, shtruan edhe një darkë për mysafirë të shumtë. Që në fillim duhet përshëndetur nisma e Z. Useini, njëherësh edhe kryetar nderi i Rrjetit të Biznesve Shqiptare në Zvicrë Qendrore me shoktë e tij dhe me një bashkëpunim edhe me drejtuesit e xhamisë me kryetarin Z. Fadil Asani, një veprimtar i njohur për të gjithë që organizuan iftarin që do të mbahet në kujtimet tona ndër më të mirat, shkruan “Bota Sot”. Në darkën e iftarit, merrnin pjesë nër të tjerë dhe përveç Z.Destani, dhjetra personalitete të fushës së biznesit, diplomacisë, shkencës, si dhe diasporës shqiptare në Zvicër.

Kontributi madhor edhe i xhamive shqiptare në Zvicër dhe jo vetëm për çështjen kombëtare dihet se ka qenë i madh, është dhe do të jetë. Për çdo natë në xhami në namazin e Taravive janë mbi 500 e më shumë, varësisht prej hapësirave që kanë xhamitë. Llogaritet që në Zvicër janë jo më pak se 86 xhami dhe thuajse të gjitha janë prona të shqiptarëve, pra pronë e xhamisë. Mërgata shqiptare, Zvicrën e sheh si atdhe të dytë dhe padyshim se, edhe shteti zviceran dhe populli i saj i ka mirëpritur dhe respekton besimin e secilit. Z.Fadil Asani, kryetari i xhamisë Drita, së bashku me kryesinë dhe anëtarë të tjerë të xhamisë pritnin musafirët e shumtë që vinin të ftuar nga Rrjeti i Miqësisë.

Kryetari i xhamisë, Z.Fadil Asani, i njohur të pranishmit me arritjet e xhamisë dhe falendëroi kryesinë, anëtarët e xhamisë si dhe miqtë për ftesat dhe organizimin.

Ambasadori i Maqedonisë së Veriut, Z.Rexhep Demiri dhe Z.Vigan Berisha, Shef i Misionit në Konsullatën e Kosovës në Zyrih përshëndetën aktivitetin dhe falenderuar organizatorët.

Më pas, fjalën e mori filantropi dhe biznesmeni i shquar shqiptar nga Tetova, Z.Lazim Destani. “Faleminderit e përshëndetje Florim dhe ju së bashku që shtruat këtë iftar dhe kryesinë e xhamisë për mikëpritjen. Jam shumë i lumtur që në mesin tuaj po shoh më shumë të rinjë. E ardhmja jonë është rinia. Na duhet të punojmë edhe ma shumë dhe të jemi të bashkuar. Kujtoj kohërat e hershme se si ishte muaji i Ramazanit në tokat tona. Ajo kohë e artë shumë e bukur. Ishim të gjithë së bashku. Prindërit tanë shtronin iftare të shumta. Ishim çdo natë së bashku me familjarë e miq. Tani jemi në mërgatë, por edhe këtu nuk po mungojnë ato kujtime, sepse po sonte mu kujtua ajo kohë. Sa bukur që po ju shoh të bashkuar. Po shoh ambasadorin, shefin e konsullatës, imamë, e shkenctarë edhe të besimit, patriotë dhe ju vëllezër që me djersën tuaj e fitoni pasurinë. Të vazhdojmë së bashku. Të investojmë më shumë në arsim, shkencë, kulturë dhe sport, sepse janë faktorë vendimtarë për përparimin e një shoqërie apo për zhvillimin e gjithanshëm të një vendi. E konsideroj si detyrë humanitare dhe patriotike mbështetjen e vazhdueshme dhe progresive të aktiviteteve e projekteve nga këto sfera. Të kemi arritje e rezultate sa më të larta. Besoj fort se komunitetet dhe familjet janë më të fuqishme, kur për qëllime të përbashkëta punojnë së bashku. Kam ndjekur e ndjek rrugë të ndryshme për t’i bërë bashkë njerëzit dhe institucionet, duke synuar partnerizimin dhe avancimin e zhvillimit ekonomik e shoqëror. Në shërbim të këtij misioni marr pjesë në mënyrë aktive në evente kombëtare e ndërkombëtare për promovimin dhe ngritjen e ndërgjegjes rreth bashkëpunimeve të kësaj natyre. Ju pafsha bashkë të dashur vëllezër!“ – u shpreh Destani.

Siç e dimë edhe modestinë e Z.Destani, një pjesë nga të ardhurat e tyre dhe familja e tij për çdo vit e ndajnë për bamirësi si dhe për mbështetjen e iniciativave nga sfera e arsimit, shkencës, artit, sportit, e të aktiviteteve të ndryshme kulturore.

Diplomatë, shkenctarë, aktivistë të diasporës shqiptare në Zvicër, por edhe më gjerë, duke falenderuar organizatorët e mikpritësit, bënë thirrje që shqiptarët të jenë kurdoherë të bashkuar dhe të vëmendshëm ndaj trojeve shqiptare.

 

Related Posts