Qeveria propozon një model të ri për strehimin e përballueshëm, me dy skema kryesore: Marrjen e një banese me qira me të drejtë blerje dhe kreditë me interes 0%. Ndryshimet e propozuara në ligjin për strehimin synojnë të ndihmojnë familjet që nuk arrijnë të blejnë një banesë në tregun e lirë, për shkak të të ardhurave të kufizuara apo mungesës së garancive financiare.
Programi i parë, “Qira me të drejtë blerjeje”, parashikon që përfituesit të jetojnë në një banesë sociale kundrejt pagesës së qirasë, ndërsa një pjesë e shumës së paguar do të llogaritet në çmimin e blerjes së saj. Kështu, pagesat mujore nuk do të shërbejnë vetëm për përdorimin e banesës, por do të kontribuojnë edhe në blerjen e saj të ardhshme.
Skema e dytë parashikon kredi me interes 0% dhe mbështetje për familjet që kanë të ardhura të mjaftueshme për të shlyer një kredi, por nuk disponojnë kolateralin apo shumën e nevojshme për pagesën fillestare. Përmes marrëveshjeve me institucionet financiare, qeveria synon të garantojë një pjesë të kredisë, duke lehtësuar aksesin në financim.
Sipas projektligjit, nga këto programe mund të përfitojnë familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme që nuk përballojnë çmimet e tregut, të rinjtë në fillim të karrierës, çiftet dhe familjet e reja, familjet me një prind dhe fëmijë të mitur, punonjësit e shërbimeve publike dhe profesioneve prioritare, personat me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre, si dhe qytetarët e rikthyer nga emigracioni.
Megjithatë, efektiviteti i këtyre skemave do të varet nga mënyra se si do të zbatohen, numri i banesave që do të vihen në dispozicion dhe kriteret konkrete të përfitimit. Mbetet për t’u parë nëse programet do të ofrojnë një alternativë reale për familjet që përballen me çmime të larta të banesave dhe vështirësi për të siguruar një shtëpi në pronësi.
Qendra Alert/Alert.al


