Ndryshimet në qeveri 4 muaj para zgjedhjeve kanë nxitur jo pak debate në media sa i përket zyrtarëve të rinj të emëruar. Niko Peleshi, ish-ministri i Bujqësisë do të drejtojë dikasterin e Ministrisë së Brendshme. Rikthimi i Peleshit në kabinetin e qeverisë ka risjell në kujtesën e ekspertit Ervin Resuli skandalin e asaj kohe me insekticidin “Silikon Mix”, i cili tregëtohej si pleh bujqësor. Më 10 shtator 2017, Peleshi mori postin në Ministrinë e Bujqësisë, ndërsa afro 2 vite më vonë u kërkua nga Prokuroria hetimi për Niko Peleshin, i cili lejoi hedhjen në treg të një ngarkese të bllokuar të insekticidit Silikon Mix. Në këto kushte, eksperti i bujqësisë Ervin Resuli kërkon nga strukturat e reja të drejtësisë të hetohet rasti në fjalë.
Resuli shkruan në rrjete sociale:
⭕”Silikon Mix” ku është SPAK-u ?
Hetimi për ish-Ministrin Peleshi !
3 shtator 2019 ‼
📍TIRANË- Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku ka kërkuar nisjen e hetimeve për ish-ministrin e Bujqësisë, Niko Peleshi. Peleshi akuzohet se ka lejuar nëpërmjet një urdhri rifutjen sërish në treg të një ngarkese prej 4600 litrash të një kimikati të njohur si “Silikon Mix”, gjatë kohës kur ishte ministër. Përmes një shkrese që kryeprokurorja Arta Marku i ka dërguar Prokurorisë së Tiranës, thuhet se ndaj Peleshit ka dyshime se ka lëshuar urdhrin për zhllokimin e këtij insekticidi, i cili përdoret në kultivimin e frutave dhe perimeve.
“Bashkëlidhur ju dërgojmë për vlerësim ligjor sipas kompetencës, të dhëna të printuara nga mediat audiovizive ku përfshihen dyshime në lidhje me shpërdorimin e detyrës prej shtetasit Niko Peleshi. Konkretisht, nga publikimet e fundit rezulton se ish-Ministri i Bujqësisë, ka lëshuar në kundërshtim me ligjin urdhrin për zhbllokimin e insekticidit Silikon Mix, i cili përdoret në kultivimin e frutave dhe perimeve, me pasoja të dëmshme. Në mbështetje të neneve 38 dhe 50/1 të ligjit “Për organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, pa cenuar sekretin hetimor, kërkojmë informacion në lidhje me mënyrën e trajtimit të materialit”, thuhet në shkresë.
📍Por përse akuzohet konkretisht Peleshi?
Në tetor të 2017 Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i drejtuar nga Agim Ismaili, sot drejtor i Burgjeve mori masa administrative ndaj një subjektit furnizues të “Silikon Mix”, duke e gjobitur në vlerën 60.000 lekë dhe duke bllokuar 4600 litra nga ky kimikat.
Me një shkresë drejtuar AKU-së, Peleshi parashtronte se bllokimi i ngarkesës është bërë jo në zbatim të ligjit, pasi sipas KLSH, për të zhbllokuar ngarkesën duhet të pritej bërja e analizave. KLSH thekson në raport se ky produkt duhet të analizohej nga QTTB-ja dhe se arsyeja e refuzimit të kryerjes së analizave është jo-argumentuese. Sipas saj duhet të kryheshin analizat për të përcaktuar sërish se çfarë mban ky kimikat.
📍Çfarë është Silikon Mix dhe ku përdoret?
‘Silicon Mix’ është një pesticid i cili përdoret shpesh nga fermerët që kultivojnë qershi për të vrarë insektet pak para vjeljes së frutave. Ai quhet Silicon Mix, por në etiketë shënohet si pleh bujqësor. Debate në rrjetet sociale është fokusuar tashmë nëse Silikon Mix deformon ADN-në e njeriut dhe përdorimi sjell efekte të tjera anësore.
Qendra Alert / Alert.al