Menu

Shoqatat kundërshtojnë paketën fiskale, Zusi: Godasin prodhimin vendas

Ndryshimet fiskale të propozuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë me paketën fiskale 2022 janë kundërshtuar nga shoqatat prodhuese dhe të biznesit.

Heqja e TVSH-së të rimbursueshme për blerjet nga 6% që është aktualisht, vendosja e akcizës 6 lekë/litri për gazin për qëllime biznesi, heqja e rimbursimit të akcizës së lëndëve djegëse për industrinë, të cilat përdoren për nevoja teknologjike të prodhimit të produkteve në këta sektorë (farmaceutika, tullat, çimeto, birra dhe nafta bruto), si dhe përjashtimi nga TVSH-ja për importimin e makinerive dhe pajisjeve në funksion të realizimit të kontratave të investimeve me vlerë të barabartë ose më të madhe se 500 milionë lekë nga 50 milionë lekë që është aktualisht janë kundërshtuar nga shoqatat e biznesit në takimin konsultativ për Paketën Fiskale me ministren e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

Presidenti i Qendrës të Eksporteve Shqiptare, Alban Zusi tha se këto ndryshime fiskale të propozuara godasin në terësi agroindustrinë bujqësore dhe ushqimore. Zusi pohon se rritja e taksave do të shtojë kostot e prodhimit vendas, do të rrisë produktet  e importit dhe çmimet e produkteve ushqimore. “Ndryshimet e propozuara nëse miratohen godasin rëndë gjithë agroindustrinë, përfshirë edhe atë ushqimore. Kostot për prodhimin vendas do të shtohen, nuk do të jenë të konkurrueshme. Rritja e taksave do të ndikojë edhe të rënia e eksporteve. Të gjitha ndryshimet godasin prodhimin vendas. Heqja e TVSH-së të rimbursueshme 6% rrit koston e prodhimit vendas. Në draft thuhet se skema do të zëvendësohet me skema subvencioni, por deri tani nuk është prezantuar asnjë skemë. Ndryshimet në projektligjin për akcizën do të shtrenjtojnë akoma më shumë gazin që përdorin prodhuesit. Përjashtimi nga TVSH-ja për importin e makinerive për investimet automatikisht rrit koston e blerjes të tyre”, nënvizon Zusi. Nëse ndryshimet fiskale të propozuara do të miratohen, kreu i Qendrës të Eksporteve Shqiptare paralajmëron se nga 1 janari 2022 do të ndikojë të rritja e çmimeve. “Miratimi i paketës fiskale do të sjellë rritje të çmimeve për të gjitha produktet ushqimore me të paktën 30% nga 1 janari 2022. Prodhuesit nuk mund të përballojnë rritjen e taksave, teksa kostot e tyre janë shtuar nga rritja e çmimit të karburanteve, gazit, energjisë dhe lëndëve të para. Rritja e çmimeve do të ketë edhe impakt social te shoqëria, pasi shtrenjtimi i çmimeve nuk do të përballohej”.

Ndryshimet e propozuara me paketën fiskale janë kundërshtuar edhe nga industria e prodhimit të tullave dhe çimentove, përpunuesit e qumështit dhe agroindustria bujqësore. Grupet e interesit në takimin e ardhshëm me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë pritet të prezantojnë rekomandimet e tyre. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts