Një investigim i realizuar nga Qendra “Alert” ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë e turshive të importit që tregtohen në raftet e marketeve shqiptare. Shkaku i hetimit ishte një sinjalizim në sistemin europian të sigurisë ushqimore RASFF, ku një ngarkesë turshish nga rajoni rezultoi me pesticide të ndaluara, si dhe një rast tjetër i raportuar në Gjermani për produkte të importuara nga India me përbërës të papërshtatshëm.
Në këtë kuadër, “Alert” kërkoi zyrtarisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave të dhëna mbi sasinë e turshive të importuara në Shqipëri gjatë periudhës 1 janar – 25 tetor 2023. Sipas dokumentacionit zyrtar, në vend janë importuar 13.627.049 kilogramë turshi, produkte që furnizojnë jo vetëm tregun me pakicë, por edhe sektorin Horeca.
Për të verifikuar situatën, u blenë 12 produkte turshish nga rrjete të ndryshme marketesh në Tiranë, të pajisura me kupona tatimorë, dhe mostrat u dërguan për analiza në laboratorin e akredituar “Tenius”. Analizat përfshinë testimin për mbetje pesticidesh, metale të rënda dhe parametra fiziko-kimikë si pH, aciditeti dhe kripshmëria.
Rezultatet ishin alarmante: 10 nga 12 mostra rezultuan me shkelje. Në të gjitha këto raste u identifikua të paktën një pesticid i ndaluar në Shqipëri dhe në Bashkimin Europian. Në disa mostra u konstatuan edhe pesticide të lejuara për përdorim, por në nivele që tejkalonin kufirin maksimal të mbetjeve (MRL), të përcaktuar nga legjislacioni për mbrojtjen e shëndetit publik.
Më 2 shkurt, të gjitha raport-analizat laboratorike iu dërguan zyrtarisht Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), me kërkesë për ndërhyrje të menjëhershme në treg, verifikim zyrtar dhe marrje masash për produktet problematike. Megjithatë, deri më 20 shkurt nuk pati asnjë reagim konkret nga institucioni përgjegjës për sigurinë ushqimore.
AKU nuk ishte e pranishme në studio për të dhënë shpjegime mbi masat e ndërmarra, ndërsa reagoi vetëm pas njoftimit për publikimin e rastit, përmes një shkresë ku deklaron se ka hartuar një plan monitorimi dhe se do të kryejë marrje mostrash për analiza të mëtejshme.
Rasti ngre shqetësime serioze mbi mekanizmat e kontrollit në treg dhe reagimin institucional ndaj një alerti zyrtar që përfshin produkte të konsumit të përditshëm. Duke qenë se turshitë përdoren gjerësisht si në familje ashtu edhe në restorante, prania e pesticideve të ndaluara apo mbi normë përbën një risk të drejtpërdrejtë për shëndetin e konsumatorëve.


