Një alarm i ngritur në sistemin europian të sigurisë ushqimore për raste me pesticide në produkte turshi në rajon u kthye në pikënisjen e një investigimi të thelluar nga emisioni “Alert”, moderuar nga Granit Sokolaj. Duke pasur parasysh se turshitë janë një nga produktet më të konsumuar në tryezën shqiptare dhe importohen në sasi të mëdha çdo vit, Qendra “Alert” vendosi të verifikojë situatën konkrete në tregun vendas.
Hapi i parë ishte kërkesa zyrtare drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për të marrë të dhëna mbi volumin e importit. Shifrat rezultuan domethënëse: vetëm gjatë vitit 2023 në Shqipëri janë importuar mbi 13.6 milionë kilogramë turshi. Produktet vijnë nga vende të ndryshme, përfshirë shtete të Bashkimit Europian dhe Azisë, ndërsa në disa raste vendi i importit nuk përkon domosdoshmërisht me vendin e origjinës së prodhimit.
Në këtë kontekst, “Alert” ndërmori verifikimin praktik në terren. U blenë 12 mostra turshish importi nga rrjete të mëdha supermarketesh në Tiranë, me kuponë tatimorë të rregullt për të garantuar transparencë dhe gjurmueshmëri të plotë. Mostrat u dërguan për analiza në një laborator të akredituar, ku iu nënshtruan testimeve për një gamë të gjerë pesticidesh, si dhe për parametra të tjerë si metale të rënda, pH, aciditet dhe kripshmëri.
Rezultatet e analizave ishin shqetësuese. Nga 12 mostra të analizuara, 10 rezultuan me mbetje pesticidesh. Në të gjitha këto 10 mostra u identifikua të paktën një pesticid i ndaluar për përdorim në Shqipëri dhe në Bashkimin Europian. Në disa raste u konstatuan edhe pesticide të lejuara, por në nivele që tejkalonin Nivelin Maksimal të Mbetjeve (MRL), kufiri i përcaktuar nga legjislacioni për mbrojtjen e shëndetit publik. Sipas ekspertëve, tejkalimi i MRL përbën tregues të drejtpërdrejtë rreziku për konsumatorin, veçanërisht kur produkti është i konsumit të përditshëm.
Pas përfundimit të analizave, më 2 shkurt, Qendra “Alert” i dërgoi zyrtarisht Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) 12 raport-analizat laboratorike, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme në treg, marrje mostrash zyrtare dhe, nëse konfirmohen rezultatet, tërheqje të produkteve nga raftet. Megjithatë, për më shumë se dy javë nuk pati asnjë reagim publik apo masë konkrete nga ana e institucionit përgjegjës për sigurinë ushqimore.
Emisioni “Alert” ftoi zyrtarisht AKU-në për të qenë pjesë e debatit në studio dhe për të sqaruar publikun mbi hapat e ndërmarrë, numrin e inspektimeve në terren dhe mostrat e marra pas njoftimit. Por institucioni nuk dërgoi përfaqësues dhe nuk ktheu përgjigje të detajuar brenda afatit, ndërsa vetëm pas njoftimit se çështja do të bëhej publike konfirmoi se rasti ishte marrë në shqyrtim dhe se ishte hartuar një plan masash, pa dhënë afate konkrete dhe pa publikuar rezultate zyrtare të analizave të veta
Në studio, eksperti i sigurisë ushqimore Kaplan Sula analizoi rezultatet laboratorike dhe theksoi se situata kërkon reagim të menjëhershëm institucional. Sipas tij, kur 10 nga 12 mostra rezultojnë me mbetje pesticidesh, përfshirë substanca të ndaluara dhe tejkalime të MRL, protokolli është i qartë: duhet të merren mostra të reja zyrtare në terren, të analizohen në laboratorë të akredituar dhe, nëse konfirmohen shkeljet, produktet të tërhiqen menjëherë nga tregu për të shmangur ekspozimin e konsumatorëve.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për intensitetin e kontrolleve në terren, duke theksuar se në raste alarmi institucionet duhet të kalojnë nga rutina e planeve vjetore në regjim emergjent kontrolli.
Ndërsa në pamundësi për t’u bashkuar fizikisht në studio, në pjesën e tretë të emisionit u transmetua një intervistë me një tjetër ekspert të fushës, i cili analizoi aspektin teknik të gjetjeve. Ai theksoi se prania e pesticideve në produktin final mund të lidhet jo vetëm me përdorimin në fazën e kultivimit, por edhe me procesin e përpunimit, magazinimit dhe kontrollit në zinxhirin e furnizimit. Sipas tij, kur shumica e mostrave dalin me problematika, reagimi duhet të jetë proporcional me riskun, me shumëfishim të analizave dhe verifikim të dyfishtë të origjinës dhe procesit të prodhimit.
Investigimi i “Alert” e kthen çështjen e turshive nga një produkt i zakonshëm i tryezës në një problem potencial të sigurisë ushqimore me ndikim të gjerë, duke pasur parasysh volumin e lartë të importit dhe konsumit. Emisioni theksoi se qëllimi i publikimit të analizave është transparenca dhe mbrojtja e konsumatorit, ndërsa ndjekja e këtij rasti do të vijojë deri në sqarimin e plotë të përgjegjësive dhe masave konkrete në treg.



