Menu

Studentët e Akademisë së Policisë nuk u helmuan nga mungesa e sigurisë ushqimorë, por probleme në zinxhirin e higjienës. ISHP pritet të dalë me rekomandime

Helmimi i studentëve në Akademinë e Policisë pak ditë më parë, u shkaktua nga probleme në zinxhirin e higjienës që kanë lidhje me personelin ose me ujin dhe jo të sigurisë ushqimore. Kështu raportojnë burime nga Instituti i Shëndetit Publik, referuar dhe rezultatit të analizave të nxjerra nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), pas mostrave të dërguara aty nga inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Burime nga AKU konfirmojnë se, nga raport-analizat e mbërritura nga ISUV, nga të gjitha produktet e mostruara e të dërguara në ISUV, makaronat e gjetura në mensën e studentëve në mbrëmjen e 8 majit, kanë rezultuar me prani të Escherichia Coli beta-glukuronidase positive dhe Staphylococcus Koagulase positive në të pesë njësitë e mostrimit të analizuara.

Ndërsa në mostrat tjera që ruhen nga vetë Akademia e Policisë dhe kompania e kateringut, si dhe produktet e gjetura në frigoriferët e saj, të papërpunuara, djathë, kos, vezë dhe sallam, kanë rezultuar konform dhe nuk kanë pasur probleme, duke treguar se, helmimi i 30 studentëve është shkaktuar nga zinxhiri i higjienës dhe jo sigurisë ushqimore.

“Prania e këtyre treguesve mikrobiologjikë evidenton dyshime të arsyeshme për mangësi në respektimin e kushteve higjieno-sanitare gjatë përgatitjes, trajtimit, ruajtjes dhe/ose shpërndarjes së produktit ushqimor përkonsum, bazuar ne nenin 12 Ligjit Nr.9863, datë 28.01.2008 “Për Ushqimin”, (i ndryshuar)“, thuhet nga AKU dhe ISUV.

Burime nga ISHP i thanë Qendrës ALERT se, do të dilet në konkluzione përfundimtare shumë shpejt dhe kompanisë së kateringut do t’i lihen 2 javë kohë në forcimin e sistemit të kushteve higjieno-sanitare. Megjithëse nuk ka ende një rezultat konkret publik nga ISHP dhe Higjiena, dyshohet se problemi ka ardhur nga pakujdesi në higjienën personale të personit të shpërndarjes së ushqimit për studentët, ose/dhe me ujin.

Ndërkohë sot, mensa ku ushqehen studentët në Akademinë e Policisë po i nënshtrohet dezinfektimit dhe ata po marrin ushqim në një tjetër ambient nga i njejti furnitor i kateringut.

Kujtojmë që më 8 maj në orët e mbrëmjes, 51 studentë të Akademisë së Policisë në Tiranë reklamuan shenja helmimi dhe u paraqiten në QSUR, nga të cilëtm, 30 morën mjekim ambulator, 28 u larguan nga aty brenda 2 orëve, dy studentë që paraqisnin shenja helmimi apo lodhje më të theksuar u mbajtën gjithë natën, ndërsa 21 të tjerë nuk kishin nevojë për trajtim.

Menjëherë pas njoftimit, në ambientet e Akademisë së Policisë dhe të kompanisë së kateringut Sori-AL, u paraqiten 3 inspektorate, AKU, ISHSH dhe ISHP, ku u morën kampionët e analizave të ushqimit të mbetur, që në Akademi, ato që u gjetën në një tavë ishin makaronat e darkës, nga dreka nuk janë gjetur mbetje ushqimi, përveç mostrave që mbahen për raste kur shfaqen probleme, si dhe produktet e pagatuara, djath Zepa, sallam KMY, vezë Ovvital dhe kos Zepa. Këto të fundit, sipas ISUV dhe AKU kanë rezultuar pa probleme.

Njëherësh, teksa mostrat po analizoheshin, AKU njoftoi zyrtarisht veç të tjerash, se kushtet higjieno-sanitare si kuzhinë, ashtu dhe në mensë, ishin konform kritereve dhe legjislacionit.

Qendra ALERT, si një organizatë në mbrojtje të konsumatorëve, shpreh kënaqësinë që asnjë nga studentët e Akademisë së Sigurisë nuk pati pasoja serioze në shëndet.

© Qendra ALERT

Related Posts