Menu

RASFF

Takim mes AKU dhe AUV për standardet evropiane të sigurisë ushqimore

Kosova dhe Shqipëria kanë dakordësuar masa të reja për lehtësimin e tregtisë ushqimore dhe harmonizimin e procedurave të kontrollit, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian. Marrëveshja u arrit gjatë takimit në Prishtinë mes Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, Bekim Hoxha, dhe Drejtoreshës së Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit të Shqipërisë, Blerina Gjylameti.

Në qendër të diskutimeve ishin reduktimi i barrierave administrative mes dy vendeve, harmonizimi i certifikatave sipas modeleve më të fundit të BE-së, koordinimi për trajtimin e njoftimeve RASFF, si dhe bashkëpunimi për njohjen reciproke të analizave laboratorike dhe produkteve që rieksportohen mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Drejtori i AUV-së, Bekim Hoxha, vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm mes dy institucioneve në fushën e kontrollit ushqimor, duke theksuar se lehtësimi i procedurave për bizneset do të shkojë paralelisht me ruajtjen e standardeve të sigurisë për konsumatorët në të dy anët e kufirit. Ai bëri të ditur se Kosova ka arritur rreth 90% të procesit të digjitalizimit të shërbimeve dhe kontrolleve, në kuadër të reformave të orientuara sipas modeleve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Nga ana tjetër, Drejtoresha e AKU-së, Blerina Gjylameti, prezantoi reformën e thellë që po zbatohet në Shqipëri në fushën e sigurisë ushqimore, duke nisur nga ristrukturimi i mekanizmave shtetërorë dhe forcimi i trupave inspektuese, deri tek rritja e kapaciteteve laboratorike dhe monitorimi i gjithë zinxhirit ushqimor “nga ferma deri në tryezë”.

Gjylameti theksoi se përmbushja e standardeve të Kapitullit 12 për sigurinë ushqimore mbetet një nga prioritetet kryesore të Shqipërisë në procesin e integrimit europian. Sipas saj, puna po zhvillohet në disa drejtime njëkohësisht, duke përfshirë kontrollin në ferma, pikat kufitare, laboratorët, si dhe vetëkontrollin e bizneseve ushqimore sipas legjislacionit të BE-së.

Takimi vijoi edhe në nivel teknik, ku ekspertët e dy institucioneve diskutuan për harmonizimin e certifikatave aktuale dhe procedurat e reja të plotësimit të tyre nga inspektorët në terren, me synimin për të krijuar një sistem sa më të unifikuar kontrolli dhe monitorimi mes dy vendeve.

AKU publikon njoftimin RASFF për formulën e foshnjave “APTAMIL 1 PRONUTRA 800 g”, thirrje për kthimin e produktit

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka publikuar sot njoftimin e ardhur nga Sistemi Europian i Njoftimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për kafshë (RASFF), sipas të cilit, pas kontrolleve të kryera nga autoritetet gjermane, është konstatuar prania e substancës “cereulide” në formulë për foshnja me origjinë nga Gjermania dhe me lëndë të parë nga Irlanda, duke përbërë rrezik potencial për shëndetin e konsumatorëve.

Bëhet fjalë për produktin “APTAMIL 1 PRONUTRA 800 g Advanced”, me numër artikulli 172911 dhe datë skadence 10.11.2026. Substanca e konstatuar është një toksinë e prodhuar nga bakteri Bacillus cereus, e cila mund të shkaktojë helmim ushqimor me simptoma si të vjella dhe dhimbje barku, veçanërisht e rrezikshme për foshnjat nga 0 deri në 2 vjeç.

AKU, pas kryerjes së kontrolleve dhe ndjekjes së gjurmueshmërisë, ka bllokuar sasinë gjendje të produktit, ndërsa inspektorët janë angazhuar për tërheqjen e tij nga tregu. Sipas të dhënave, në Shqipëri janë importuar 648 njësi, ku 276 janë shpërndarë në treg dhe po tërhiqen, ndërsa 372 njësi janë eksportuar në Kosovë. Operatori i biznesit ushqimor që ka importuar produktin është Rossman Lala.

 

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit u bën thirrje prindërve dhe konsumatorëve që, nëse e kanë blerë këtë produkt, të mos e përdorin dhe ta kthejnë menjëherë në pikat e shitjes, ndërsa për këtë rast është bërë edhe njoftimi përkatës në kategorinë e njoftimeve RASFF.

 

 

Njoftimi publikuar :

Njoftim për konsumatorin dhe sistemin RASFF 
Në vijim të njoftimit ALERT, Shqipëria njoftohet nga Sistemi RASFF  ( RAPID ALERT SYSTEM FOR FOOD AND FEED) ku pas kontrolleve të kryera nga Gjermania,  është konstatuar “Prani e substancës Cereulide në formulë për fëmijë me origjinë nga Gjermania dhe lëndë e parë nga Irlanda”, duke përbërë risk potencial për shëndetin e njeriut.
Të dhënat e produktit:
 Emri i produktit: APTAMIL 1 PRONUTRA 800G ADVANCED (formulë për infantë);
Numri i artikullit: 172911;
Data e Skadencës: 10.11.2026
AKU pas kryerjes së kontrolleve dhe ndjekjes së gjurmueshmërisë ka bllokuar sasinë gjendje të produktit.
AKU i bën thirrje konsumatorëve nëse e kanë blerë këtë produkt dhe e kanë gjendje,  ta kthejnë atë në pikat e shitjes.
AKU për këtë rast ka bërë njoftimin përkatës pranë kategorisë së Njoftimeve RASFF.