Turizmi në Shqipëri po humbet ritmin e rritjes, ndërsa pritshmëritë për një sezon me më shumë vizitorë dhe të ardhura më të larta po përballen me rezultate më të dobëta se sa pritej. Në shtator, hyrjet e shtetasve të huaj u rritën me vetëm 2.1% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa për 9-mujorin rritja mbeti nën 5%. Përtej numrit të vizitorëve, qëndrimet më të shkurtra dhe kujdesi në shpenzime ngrenë pikëpyetje mbi përfitimin real të ekonomisë nga turizmi.
Sipas të dhënave të INSTAT, në shtator Shqipëria u vizitua nga rreth 1 milion e 287 mijë shtetas të huaj, afërsisht 27 mijë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Megjithatë, rritja prej 2.1% tregon një ecuri të ngadaltë edhe në muajin që shënon fundin e sezonit veror. Për periudhën janar-shtator, hyrjet e shtetasve të huaj u rritën me 4.9%, një ritëm që ngre pikëpyetje mbi vijimësinë e zgjerimit të sektorit. Pushimet mbeten një nga arsyet kryesore të vizitave në Shqipëri, por janë shtuar edhe hyrjet për qëllime biznesi dhe arsye shëndetësore.
Në të kundërt, shqiptarët kanë shtuar udhëtimet jashtë vendit. Gjatë shtatorit, rreth 824 mijë shtetas shqiptarë udhëtuan drejt shteteve të tjera, me një rritje prej 6.6% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Ecuria e sezonit turistik është shoqëruar me luhatje dhe pritshmëri të paplotësuara për një rritje më të fortë të vizitorëve. Në këtë klimë, protestat që kanë përfshirë vendin që prej muajit maj kanë ngritur pikëpyetje edhe mbi ndikimin e tyre në imazhin e Shqipërisë dhe vendimmarrjen e turistëve të huaj. Por, sfida e sektorit nuk lidhet vetëm me numrin e hyrjeve. Operatorët turistikë raportojnë qëndrime më të shkurtra, rezervime në moment të fundit dhe një kujdes më të madh të vizitorëve në shpenzime. Këta faktorë ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhurat që përfitojnë bizneset dhe ekonomia vendase.
Ngadalësimi i rritjes vë në pikëpyetje aftësinë e turizmit për të ruajtur rolin e tij si një nga burimet kryesore të të ardhurave për ekonominë shqiptare. Sfida tashmë nuk është vetëm tërheqja e më shumë turistëve, por edhe zgjatja e qëndrimit të tyre dhe rritja e shpenzimeve, në mënyrë që fluksi i vizitorëve të përkthehet në përfitime më të mëdha ekonomike.
Qendra Alert//Alert.al


