Menu

Ndryshimet në TVSH rrezikojnë të rrisin çmimet/ Çfarë paralajmëron Banka e Shqipërisë?

 

Ndryshimet në paketën fiskale të vitit 2027 mund të sjellin një tjetër efekt në xhepat e qytetarëve: Rritje të çmimeve të konsumit. Pavarësisht uljes së taksave për disa produkte, rritja e përgjithshme e TVSH-së dhe zgjerimi i skemës së bizneseve që do t’i nënshtrohen këtij tatimi mund të ushtrojnë presion në kahun e kundërt, duke rritur kostot që mund të përfundojnë në faturën e konsumatorëve.

Paralajmërimi është bërë nga Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë Natasha Ahmetaj, gjatë diskutimeve në Komisionin për Ekonominë mbi projektbuxhetin e vitit 2027. Sipas saj, efekti i ndryshimeve fiskale mbi inflacionin do të varet nga mënyra dhe shkalla në të cilën bizneset do t’i reflektojnë këto ndryshime në çmimet finale.

“Ulja e TVSH-së për disa ushqime bazë dhe reduktimi i normës së taksimit të karburanteve pritet të ushtrojnë ndikim në kahun rënës mbi çmimet, ndërkohë që rritja e përgjithshme e TVSH-së dhe reduktimi i pragut të xhiros për përfshirjen e bizneseve në skemën e TVSH-së mund të japin ndikim të kahut të kundërt. Në tërësi, ne vlerësojmë se ndikimi neto i tyre do të varet nga pesha dhe shkalla e transmetimit te çmimet finale të konsumit. Po ashtu, dëshirojmë të theksojmë se ndikimi i drejtpërdrejtë i ndryshimeve të taksave në inflacion ka natyrë të përkohshme. Megjithatë, efekte më të qëndrueshme mund të shfaqen nëse këto ndryshime ndikojnë pritjet për inflacionin, kërkesat për paga apo sjelljen e bizneseve në përcaktimin e çmimeve” tha Ahmetaj.

Pra, edhe pse disa masa fiskale synojnë të lehtësojnë barrën mbi konsumatorët, Banka e Shqipërisë nënvizon se rezultati përfundimtar nuk është i garantuar. Nëse bizneset zgjedhin të përfshijnë kostot shtesë në çmimet e produkteve dhe shërbimeve, efekti i uljeve të taksave mund të zbehet, duke sjellë një ndikim të kundërt për qytetarët.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts