Menu

Ushqimet me kod “lot” nga 2026, sëmundjet kardiovaskulare po prekin gjithnjë e më shumë moshat e reja

Në emisionin “Alert” të moderuar nga Granit Sokolaj, mbrëmjen e djeshme u trajtua një temë me rëndësi për sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik.

Në pjesën e parë dhe te dytë  të emisionit u diskutua për “Udhëzimin për numrin e loteve në ushqim”, ku Yllka Allaraj, inspektore pranë AKU, theksoi se Udhëzimi nr. 15, i miratuar nga Ministria e Bujqësisë, përbën një risi për Shqipërinë. Ajo sqaroi se ky udhëzim detyron operatorët e biznesit ushqimor të pajisin produktet e tyre me një etiketë të veçantë, që përmban kodin “lot”, duke mundësuar gjurmueshmërinë dhe duke i ofruar konsumatorit informacion të detajuar mbi origjinën dhe sigurinë e produkteve. Ky rregullim do të hyjë në fuqi më 1 janar 2026.

Ndërkohë, Alban Zusi, ish-zv.ministër i Bujqësisë, vlerësoi këtë hap si shumë pozitiv, duke e konsideruar vendosjen e numrit të lotit si “themelin e sigurisë ushqimore” dhe i dha procesit një “notë nëntë”, duke nënvizuar nevojën për konsultime më të thelluara për një vlerësim maksimal.

Në pjesën e tretë të emisionit, fokusi kaloi tek shëndeti i zemrës, me temën “Sëmundjet kardiovaskulare dhe infarktet”. Mjeku kardiolog Novrus Çaushaj ngriti alarmin për përhapjen gjithnjë e më të madhe të sëmundjeve kardiovaskulare, të cilat, sipas tij, sot prekin gjithnjë e më shumë edhe moshat e reja, duke ulur ndjeshëm moshën mesatare të jetës. Sipas Çaushajt, çdo vit në botë regjistrohen rreth 20 milionë vdekje nga shkaqe kardiovaskulare, që përbëjnë një të tretën e vdekjeve totale globale.

Në përfundim, “Alert” solli në vëmendje rëndësinë e gjurmueshmërisë së ushqimeve për mbrojtjen e konsumatorit dhe rrezikun në rritje që paraqesin sëmundjet e zemrës në shoqërinë e sotme.

Related Posts