Menu

Tre vite pa IPARD: Premtime për hapjen e fondeve, por bujqësia ende pret!

Prej tre vitesh, fondet evropiane për bujqësinë shqiptare mbeten të bllokuara, ndërsa qeveria ka përsëritur vazhdimisht afatet për rikthimin e tyre. Premtimi i fundit ishte që IPARD III do të hapej në shtator të këtij viti. Afati kaloi dhe fondet nuk u çelën.

Në fillim të vitit, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla deklaroi se Shqipëria ishte pranë rikthimit të programit dhe se procesi do të përfundonte brenda qershorit.

“Unë në datën 9 jam dhe në Bruksel bashkë me ekipin për të vazhduar hapat e mëtejshëm në mënyrë që ne brenda 6-mujorit të parë të vazhdojmë me çeljen dhe hapjen e këtij sektori kaq të rëndësishëm” deklaroi Salla.

Por, 6-mujori i parë i vitit përfundoi pa një vendim nga Komisioni Evropian për rifillimin e IPARD III. Fondet, të konsideruara një burim i rëndësishëm financimi për fermerët dhe investimet në sektorin bujqësor vijojnë të mbeten të ngrira.

Premtimi për qershorin nuk ishte i vetmi afat i vendosur nga qeveria.

Më 30 janar 2026, ministri i Financave, Petrit Malaj gjatë një takimi me fermerët në Divjakë deklaroi se qeveria ishte besimplotë se IPARD III do të hapej në shtator. Sipas tij, bëhej fjalë për rreth 118 milionë euro të tjera në dispozicion të sektorit të bujqësisë.

“Jemi besimplotë dhe shpresëplotë se në shtator do të hapet dhe IPARD 3, që janë dhe 118 milionë euro të tjera për sektorin e bujqësisë” theksoi Malaj.

Edhe ky afat kaloi pa u realizuar.

Në shtator, kur programi duhej të ishte tashmë i hapur sipas deklaratës së ministrit të Financave, Komisioni Evropian nuk konfirmoi një datë për rikthimin e fondeve. Përkundrazi, Brukseli bëri të ditur se vlerësimi i kërkesës së Shqipërisë vijon ende.

Tre vite nga pezullimi

IPARD III nuk është një program i mbyllur për shkak të mungesës së interesit nga fermerët. Fondet janë bllokuar në një kontekst shumë më të gjerë që lidhet me problemet e konstatuara në menaxhimin e programit të mëparshëm.

Komisioni Evropian pezulloi mbështetjen për Shqipërinë përmes fondeve IPARD në vitin 2023, pas gjetjeve të OLAF, Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit, lidhur me keqpërdorimin e fondeve të IPARD II. Hetimi evropian u fokusua te dyshimet për parregullsi në menaxhimin e fondeve, përfshirë pretendime për korrupsion, favorizime dhe ndërhyrje në proceset e përzgjedhjes së përfituesve.

Përpara se fondet të rikthehen, Komisioni Evropian duhet të vlerësojë nëse masat e marra nga Shqipëria janë të mjaftueshme për të garantuar menaxhimin e sigurt të fondeve evropiane dhe shmangien e parregullsive të përsëritura.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts