Analiza e të dhënave të AZHBR-së për Skemën Kombëtare të Mbështetjes 2025 evidenton diferenca të mëdha në aksesin e fermerëve në fondet publike. Në nivel kombëtar, vetëm 17.9% e bazës së fermave të përdorur në analizë rezulton të jetë mbuluar nga skema, ndërsa shpërndarja e fondeve tregon një përqendrim të fortë te një pjesë e vogël e përfituesve.
Nga 5.152 miliardë lekë të shpërndara gjatë vitit 2025, sipas raportimit zyrtar të AZHBR-së, përfituan 65,435 aplikues. Për analizën në nivel individual, pas konsolidimit të regjistrimeve të përsëritura, u identifikuan 57,578 përfitues unikë.
Të dhënat nxjerrin në pah dy probleme kryesore: Diferencat e mëdha territoriale në mbulimin e fermerëve dhe përqendrimin e fondeve te përfituesit me pagesat më të larta.
Vetëm 17.9% e bazës së fermave mbulohet nga skema
Në raport me bazën e fermave të Censusit të Bujqësisë 2012, shkalla kombëtare e mbulimit rezulton 17.9%. Kjo do të thotë se mbështetja publike arrin vetëm një pjesë të kufizuar të bazës së fermave të përdorur për këtë analizë.
Por, diferencat territoriale janë shumë të mëdha.
Korça ka shkallën më të lartë të mbulimit, me 42.8%, e ndjekur nga Berati me 30.1%, Fieri me 24.7%, Gjirokastra me 24.5% dhe Vlora me 22.8%.
Në skajin tjetër janë Lezha me vetëm 4.2%, Durrësi me 4.7%, Tirana me 5.8%, Kukësi me 8.7% dhe Dibra me 9%.
Kontrasti mes Korçës dhe Lezhës është veçanërisht i fortë: 42.8% kundrejt 4.2%. Pra, shkalla e mbulimit në Korçë është rreth dhjetë herë më e lartë se në Lezhë.
Edhe krahasimi mes qarqeve me një bazë të përafërt fermash tregon diferenca të konsiderueshme. Në Berat mbulimi arrin 30.1%, ndërsa në Lezhë vetëm 4.2%.
Këto shifra tregojnë një shpërndarje të pabarabartë territoriale të aksesit në skemë dhe ngrenë pyetje mbi faktorët që përcaktojnë se cilët fermerë arrijnë të përfitojnë nga mbështetja publike.
10% e përfituesve marrin 43% të fondit.
Përqendrimi bëhet edhe më i dukshëm kur analizohet mënyra se si shpërndahet fondi mes vetë përfituesve. 10% e përfituesve me pagesat më të larta marrin 43% të të gjithë fondit, ndërsa 50% e përfituesve me pagesat më të ulëta marrin vetëm 14.2%.
Në terma të thjeshtë, një grup pesë herë më i vogël përfituesish merr rreth tri herë më shumë fonde sesa gjysma e përfituesve me pagesat më të ulëta së bashku.
Edhe diferenca mes pagesës mesatare dhe asaj mediane e pasqyron këtë përqendrim. Pagesa mesatare është 89,486 lekë, ndërsa pagesa mediane është vetëm 38,600 lekë. Kjo diferencë tregon se një pjesë e përfituesve marrin pagesa dukshëm më të larta dhe e shtyjnë mesataren lart.
Pabarazia më e madhe është brenda qarqeve
50% e përfituesve me pagesat më të ulëta marrin vetëm 14.2% të mbështetjes. Kur përfshihen 80% e përfituesve, pjesa e fondit që ata marrin së bashku arrin në 37.7%. Ndërsa 90% e përfituesve marrin 57% të fondit.
Kjo do të thotë se 10% e përfituesve në krye të shpërndarjes marrin 43% të fondit të përgjithshëm.
Një tjetër gjetje e rëndësishme del nga analiza territoriale. Sipas përllogaritjeve, 85.2% e përqendrimit të pagesave lidhet me diferencat ndërmjet përfituesve brenda të njëjtave qarqe, ndërsa vetëm 14.8% lidhet me diferencat ndërmjet qarqeve.
Pra, pabarazia nuk shpjegohet vetëm nga fakti se disa qarqe kanë më shumë përfitues ose mbulim më të lartë se të tjerat.
Një pjesë shumë më e madhe e diferencës krijohet brenda vetë qarqeve, ku fermerë të të njëjtit territor marrin nivele shumë të ndryshme mbështetjeje.
Kjo e zhvendos pyetjen nga “cilat qarqe marrin më shumë?” te një pyetje edhe më e rëndësishme: “si shpërndahet fondi ndërmjet fermerëve brenda të njëjtit qark?”
Çfarë tregojnë të dhënat?
Analiza evidenton tre problematika kryesore: Mbulim të kufizuar të bazës së fermave, diferenca të forta territoriale dhe përqendrim të konsiderueshëm të fondeve te një pjesë e vogël e përfituesve.
Këto rezultate nuk mjaftojnë për të provuar diskriminimin e shumicës së fermerëve shqiptar. Por, ato tregojnë efekte shumë të pabarabarta të politikës së mbështetjes dhe kërkojnë shpjegim të qartë për kriteret e aksesit, shpërndarjen territoriale dhe mënyrën se si fondet arrijnë te fermerët.
Debati për mbështetjen bujqësore nuk duhet të kufizohet te pyetja sa është fondi total. Pyetja po aq e rëndësishme është: Sa fermerë arrin realisht fondi dhe sa e përqendruar është mbështetja te ata që përfitojnë?
Burimet kryesore
AZHBR, Skema Kombëtare 2025 dhe listat përfundimtare të përfituesve.
INSTAT, Censusi i Bujqësisë 2012.
Përpunimi dhe llogaritjet e autorit mbi të dhënat individuale të përfituesve, 2025.
Nga Prof. Gjok Vuksani
Qendra Alert/Alert.al


