Shqipëria do të shpenzojë mbi 10 miliardë euro në vitin 2027, në buxhetin më të madh të parashikuar ndonjëherë. Nga 976 miliardë lekë që planifikon të shpenzojë qeveria, pjesa më e madhe do të shkojë për mbrojtjen sociale, ndërsa për investimet publike janë parashikuar 201.5 miliardë lekë.
Projektbuxheti i vitit 2027, i prezantuar nga ministri i Financave Petrit Malaj parashikon të ardhura prej 907.9 miliardë lekësh dhe shpenzime që kalojnë 10 miliardë euro. Diferenca mes tyre do të financohet përmes deficitit buxhetor, i cili parashikohet në 2.3% të PBB-së.
Pensionet dhe skemat e mbështetjes sociale do të përthithin pjesën më të madhe të parave publike. Për këtë sektor janë parashikuar 279.7 miliardë lekë, ose rreth 30% e buxhetit. Brenda kësaj shume përfshihet dyfishimi i bonusit mujor për pensionistët, me një kosto prej 20 miliardë lekësh, si dhe 1.35 miliardë lekë për indeksimin e pensioneve në prill.
Ndërkohë, për investimet publike qeveria ka planifikuar 201.5 miliardë lekë, të barabarta me 6.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Fondet synojnë të financojnë infrastrukturën rrugore, portet, hekurudhat dhe shërbimet publike.
Arsimi do të marrë 93.6 miliardë lekë, ndërsa shëndetësia 87.2 miliardë lekë. Për bujqësinë janë parashikuar vetëm 17.9 miliardë lekë, ndërsa mbrojtja do të financohet me 76.7 miliardë lekë. Në buxhet përfshihen gjithashtu fonde shtesë për pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit.
Qeveria parashikon uljen e borxhit publik në 52.4% të PBB-së, nga 52.9% në vitin 2025, ndërsa ekonomia pritet të rritet me 4% gjatë vitit 2026. Por, përtej shifrave rekord, projektbuxheti shoqërohet edhe me debate politike. Partia Demokratike bojkotoi Konferencën e Kryetarëve, duke pretenduar se deputetëve nuk u ishte vënë në dispozicion dokumentacioni në kohë dhe se nuk ishte respektuar afati 48-orësh i njoftimit.
Projektbuxheti do të vijojë shqyrtimin në komisionet parlamentare, ku do të vendoset përfundimisht se si do të shpërndahen miliardat e parave publike gjatë vitit të ardhshëm.
Qendra Alert/Alert.al


