Në emisionin “Alert”, moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, këtë të premte u trajtua tema “Turizmi mes pritshmërive dhe luftës”, ku i ftuar në studio ishte Zak Topuzi, Kryetar i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit.
Duke folur për konkurrueshmërinë e sektorit, Topuzi theksoi se Shqipëria ka mbetur pas vendeve të rajonit në zbatimin e politikave mbështetëse për turizmin.
Sipas tij, turizmi përbën rreth 43.6% të eksporteve, por vendi nuk ka ndjekur të njëjtin ritëm me rajonin në lehtësimin e barrës fiskale për bizneset.
“Sot i gjithë rajoni ka ulur TVSH-në për restorantet për të mbështetur turizmin. Edhe Greqia, pavarësisht borxhit të lartë, e ka përgjysmuar për të qenë konkurruese,” u shpreh ai.
Topuzi nënvizoi se për të qenë konkurrues, Shqipëria duhet të ndjekë politika të ngjashme me vendet fqinje dhe jo të reagojë me vonesë.
Ai theksoi gjithashtu se një tjetër problem mbetet zbatimi i standardeve dhe promovimi i produkteve vendase në turizëm.
Sipas tij, përdorimi i produkteve lokale dhe përmbushja e kritereve të caktuara sjellin përfitime në vlerësimin e strukturave turistike.
“Nëse përdor produkte vendase dhe plotëson standardet, përfiton pikë shtesë në klasifikim. Janë rregulla që ekzistojnë, por kanë mbetur pa u zbatuar,” tha Topuzi.
Ai përfundoi se mungesa e zbatimit të politikave dhe standardeve po ndikon drejtpërdrejt në cilësinë dhe konkurrueshmërinë e turizmit shqiptar.


