Pensionistët do të përfitojnë bonus të dyfishuar nga 1 janari 2027. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Financave, Petrit Malaj gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2027 në Komisionin e Ligjeve.
Një tjetër ndryshim parashikohet edhe për indeksimin e pensioneve, i cili do të kryhet në muajin prill, në vend të korrikut, siç ndodh aktualisht. Për këtë masë është parashikuar një fond shtesë prej 1.35 miliardë lekësh.
Sipas Malajt, dyfishimi i bonusit do të ketë një kosto prej 20 miliardë lekësh në vit, ndërsa në total politikat për pensionistët do të kushtojnë 24 miliardë lekë, ose rreth 250 milionë euro.
“Një nga prioritetet tona kryesore mbetet mbështetja për moshën e tretë, ku pensionet zënë një vend të veçantë në projektbuxhetin 2027” u shpreh Malaj.
Në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm parashikohet gjithashtu vijimi i kompensimit përmes DIVA-s, me zbritjen e shpenzimeve prej 48 mijë lekësh për qytetarët që kanë fëmijë nën 18 vjeç.
Ndërkohë, fondi për strehimin social parashikohet në 3 miliardë lekë, po aq sa edhe skema e kompensimit të TVSH-së për fermerët. Qeveria i cilëson këto masa si pjesë të politikave të mbështetjes sociale për pensionistët, familjet me fëmijë dhe shtresat në nevojë.
Qendra Alert/Alert.al


