Një produkt i njohur i çokollatës Kinder është tërhequr nga shitja në rrjetin e dyqaneve, pasi në etiketën e tij mungonte deklarimi i dy alergjenëve që mund të përbëjnë rrezik për personat me intolerancë ose alergji ndaj grurit.
Bëhet fjalë për produktin Kinder Bueno White, i cili shitet në paketime prej 43 gramësh. Sipas njoftimit të publikuar nga zinxhiri i dyqaneve “Normal” në Itali, në listën e përbërësve nuk ishin deklaruar mielli i grurit dhe niseshteja e grurit, përbërës që duhet të evidentohen qartë në etiketë për shkak të rrezikut që paraqesin për konsumatorët e ndjeshëm ndaj tyre.
Produkti i identifikuar ka kodin EAN 80761761, ndërsa në njoftim nuk janë specifikuar numrat e loteve apo serive të prekura nga ky problem.
Dyshohet se produktet mund të jenë importuar nga jashtë dhe se mangësia lidhet me etiketën në gjuhën italiane, e vendosur mbi ambalazhin origjinal.
Për arsye sigurie, personat që kanë alergji ndaj proteinave të grurit këshillohen të mos e konsumojnë këtë produkt.
Konsumatorët që e kanë blerë Kinder Bueno White mund ta kthejnë atë në dyqanin ku është blerë, ku do t’u rimbursohet vlera e produktit.
Paralajmërimi lidhet posaçërisht me rrezikun nga alergjenët e padeklaruar dhe nuk nënkupton se produkti paraqet të njëjtin rrezik për të gjithë konsumatorët. (IlFattoAlimentare)
Qendra Alert/Alert.al


