Menu

Author Archives: Admin1

Masakër mjedisore në Lushnjë: Rezervuari thahet dhe tonelata peshqit ngordhin

Tonelata peshqish kanë ngordhur në rezervuarin e Kasharajt në Lushnjë, pasi ujëmbledhësi është tharë në kuadër të punimeve për rehabilitimin e shkarkuesit kryesor. Një sipërfaqe e madhe e rezervuarit tashmë është kthyer në baltë, ndërsa mijëra peshq kanë ngordhur, duke krijuar një situatë të rëndë mjedisore.

Situata në terren ka sjellë edhe ndërhyrjen e Policisë së Lushnjës, e cila ka nisur procedim penal ndaj administratorit të firmës “Fled” sh.p.k., Fredi Marra. Sipas policisë, gjatë punimeve për rikonstruksionin e digës së dëmtuar, kompania nuk ka marrë masat e duhura për menaxhimin e ujërave të rezervuarit, duke sjellë ngordhjen e një numri të konsiderueshëm peshqish. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Fierit, ku hetimet po zhvillohen për veprat penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore” dhe “Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës”.

Rezervuari u tha për të ndërhyrë te shkarkuesi

Rezervuari i Kasharajt është ndërtuar në vitin 1985, ka një sipërfaqe prej rreth 190 hektarësh dhe një kapacitet prej 11 milionë metrash kub ujë. Ai përdoret për ujitjen e tokave në Myzeqe, por edhe për kultivimin e peshkut.

Në vitin 2025, Bashkia e Lushnjës akordoi 32.9 milionë lekë për rehabilitimin e shkarkuesit të rezervuarit. Punimet duhej të kishin përfunduar rreth një vit më parë, por afati është shtyrë pas kërkesës së kompanisë që ka fituar tenderin.

Në terren, ndërkohë, mbetet një rezervuar i tharë dhe një sasi e madhe peshqish të ngordhur. Banorët pretendojnë se rrjetat e vendosura përpara shkarkuesit nga administrimi i mëparshëm i peshkimit mund të kenë ndikuar në bllokimin e tij. Kjo është një tjetër pikë që pritet të sqarohet gjatë hetimit, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar nëse dhe në çfarë mase menaxhimi i ujit gjatë punimeve mund të ishte bërë në një mënyrë që të shmangte ngordhjen masive të peshqve.

Në terren ka qenë edhe ministri i Bujqësisë, Andis Salla i cili ia atribuoi përgjegjësinë për situatën pushtetit vendor.

“Kjo është totalisht e bashkisë. Ne jemi në ndihmë të bashkisë dhe për ta asistuar në të gjithë mënyrën me Bordin e Kullimit, me drejtorin e Peshkimit dhe gjithë stafin e Ministrisë së Bujqësisë” deklaroi Salla.

Ministri tha gjithashtu se subjekti që kishte kontratën për shfrytëzimin e peshkut deri në vitin 2022 ishte njoftuar nga bashkia për largimin e peshkut përpara nisjes së ndërhyrjes.

Kryebashkiakja e Lushnjës, Eriselda Sefa, e pranishme në terren nuk dha koment për situatën apo për mënyrën se si është administruar ndërhyrja.

Puna për pastrimin e rezervuarit të Kasharajt në Lushnjë vijon pas ngordhjes masive të peshqve që ndodhi pas zbrazjes së ujit për rehabilitimin e digës dhe shkarkuesit.

Qendra Alert/Alert.al

Specat me pesticide: Kroacia refuzon ngarkesat nga Shqipëria

Specat nga Shqipëria po përballen me një seri refuzimesh në kufirin e Bashkimit Europian për mbetje pesticidesh. Vetëm gjatë shtatorit 2026, Kroacia ka raportuar të paktën katër raste në sistemin europian RASFF, ku ngarkesa me speca me origjinë nga Shqipëria janë ndaluar për shkak të pranisë së substancave mbi nivelet e lejuara ose të paautorizuara për këtë kulturë.

Mes tyre spikat proquinazid, një fungicid që përdoret për të luftuar sëmundjet kërpudhore në bujqësi, veçanërisht mykun pluhur te rrushi. Prania e kësaj substance në speca ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si është përdorur jashtë kushteve të autorizimit për këtë kulturë.

Rastet gjatë shtatorit

Rasti i parë i regjistruar lidhet me 8 shtatorin 2026, kur Kroacia njoftoi në RASFF një ngarkesë me speca të kuq me origjinë nga Shqipëria, ku u konstatua prania e proquinazid.

Vetëm një ditë më vonë, më 9 shtator, Kroacia raportoi një tjetër ngarkesë me speca shqiptarë, këtë herë për praninë e flonicamid dhe acetamiprid. Bëhej fjalë për rreth 12.3 tonë speca, të cilat u refuzuan.

Flonicamidi është një insekticid që përdoret kundër dëmtuesve të bimëve, veçanërisht insekteve. Acetamipridi është gjithashtu insekticid, me veprim sistemik, i përdorur për kontrollin e një sërë insektesh dëmtuese. Prania e tyre në produktet ushqimore bëhet problem kur mbetjet tejkalojnë nivelet maksimale të lejuara ose kur përdorimi nuk përputhet me kushtet e autorizuara.

Por, kontrollet nuk u ndalën me këto dy raste.

Më 23 shtator, një tjetër ngarkesë me speca të kuq nga Shqipëria rezultoi me prani të flonicamid, në një përqendrim prej 0.8 mg/kg. Ndërsa më 30 shtator, Kroacia raportoi sërish një rast me proquinazid në speca me origjinë nga Shqipëria, të cilat ishin eksportuar në Kosovë dhe më pas kishin destinacion Kroacinë.

Pra, brenda vetëm një muaji, sistemi RASFF evidenton të paktën katër njoftime nga Kroacia për speca me origjinë shqiptare, të lidhura me mbetje pesticidesh. Dy raste lidhen me proquinazid, ndërsa dy të tjera me flonicamid, njëra prej tyre në kombinim edhe me acetamiprid.

Rastet e përsëritura në kufirin europian janë tregues i një problemi të gjerë në përdorimin dhe kontrollin e pesticideve në prodhimin vendas.

Qendra Alert/Alert.al

EFSA dhe Komisioni Evropian, fushatë për rrezikun e gripit të shpendëve

Me nisjen e sezonit të migrimit të shpendëve në vjeshtë, Europa hyn në një periudhë me rrezik të shtuar për përhapjen e gripit të shpendëve. Autoriteti Europian i Sigurisë Ushqimore (EFSA) dhe Komisioni Europian kanë nisur fushatën #NoBirdFlu, për t’u ardhur në ndihmë fermerëve dhe veterinerëve për parandalimin e gripit të shpendëve.

Gripi i shpendëve është një sëmundje virale shumë ngjitëse dhe shpërthimet mund të shkaktojnë humbje të konsiderueshme në fermat e shpendëve, të ndërpresin zinxhirët e furnizimit dhe të dëmtojnë të ardhurat e fermerëve, ndërsa në raste të caktuara mund të përbëjnë edhe shqetësim për shëndetin publik. Megjithatë, masat e thjeshta parandaluese mund të zvogëlojnë rreziqet.

Sipas të dhënave të publikuara nga EFSA dhe Komisioni Europian, nga tetori 2025 deri në qershor 2026 në Europë u regjistruan pothuajse 8 mijë shpërthime të gripit të shpendëve. Zbulimet te shpendët e egër ishin katër herë më të larta krahasuar me dimrin e mëparshëm.

Një pjesë e madhe e infektimeve në fermat e shpendëve u lidh me kontaktin, direkt ose indirekt, me shpendët e egër. Për këtë arsye, autoritetet europiane e konsiderojnë forcimin e biosigurisë një nga masat kryesore për të parandaluar futjen e virusit në ferma dhe përhapjen e tij më tej.

Pesë masa për të ulur rrezikun

Në kuadër të fushatës #NoBirdFlu, EFSA dhe Komisioni Europian kanë publikuar materiale praktike për fermerët dhe mbajtësit e tufave të vogla.

Masat kryesore përfshijnë kontrollin në ferma, pastrimin dhe dezinfektimin e rregullt, shmangien e kontaktit me zogjtë e egër, mbajtjen të ndara të specieve të ndryshme të shpendëve, si dhe identifikimin e hershëm të shenjave të sëmundjes.

“Parandalimi i gripit të shpendëve fillon me biosigurinë e përditshme” tha Nikolaus Kriz, drejtor Ekzekutiv i EFSA-s, duke theksuar rëndësinë e kthimit të njohurive shkencore në masa konkrete që mund të zbatohen në ferma.

Edhe Komisioni Europian e lidh rritjen e rrezikut me lëvizjen sezonale të shpendëve. Claire Bury, zv.drejtoreshë e Përgjithshme për Qëndrueshmërinë Ushqimore në Komisionin Europian, tha se gripi i shpendëve nuk ndalet në kufij dhe se bashkëpunimi mes vendeve dhe sektorëve është i nevojshëm për të kufizuar shpërthimet.

Fushata ka vënë në dispozicion edhe një paketë materialesh informuese, përfshirë postera, video dhe materiale për rrjetet sociale, të cilat synojnë të ndihmojnë fermerët të zbatojnë masat parandaluese në përditshmëri.

Me afrimin e muajve të dimrit dhe intensifikimin e migrimit të shpendëve, autoritetet europiane u kërkojnë fermave të mos presin shfaqjen e rasteve, por të forcojnë masat e biosigurisë që në fillim të sezonit.

Qendra Alert/Alert.al