Menu

Author Archives: Admin3

Prokurimet publike me inteligjencë artificiale, si do të gjurmohen fondet?

Qeveria synon të ndryshojë mënyrën e kryerjes dhe monitorimit të prokurimeve publike, duke vendosur në qendër përdorimin e inteligjencës artificiale dhe një sistem më të centralizuar. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj tha se po punohet për finalizimin e një modeli që synon rritjen e transparencës dhe gjurmueshmërisë së fondeve publike.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave është diskutuar për mënyrën e organizimit të prokurimeve publike dhe nevojën për një sistem më të përqendruar. Sipas Ibrahimajt, vendosja në funksion e sistemit të ri të inteligjencës artificiale është në fazat e fundit të përgatitjes dhe pritet që brenda vjeshtës së këtij viti të nisin procedurat për përdorimin e tij në prokurimet publike.

Ministrja theksoi se paralelisht me teknologjinë e re po rishikohet edhe mënyra se si zhvillohen procedurat, me synimin që informacioni mbi përdorimin e parave publike të jetë më i aksesueshëm dhe më i kuptueshëm për qytetarët.

Një pjesë e rëndësishme e modelit të ri lidhet me platformën “PasqyraAlbania”. Sipas Ibrahimajt, synimi është që qytetarët të mos kenë akses vetëm te informacioni mbi prokurimet e zhvilluara dhe rezultatet e tyre, por edhe te mënyra se si zbatohen kontratat pas përfundimit të procedurës së prokurimit.

Në këtë kuadër, Operatori i Blerjeve të Përqendruara pritet të ketë një rol më të madh në proceset e prokurimit publik. Modeli i prezantuar parashikon gjithashtu sinkronizimin e sistemeve të Ministrisë së Financave, Agjencisë së Prokurimit Publik dhe Operatorit të Blerjeve të Përqendruara me sistemet që lidhen me zbatimin e kontratave.

Sipas ministres, ky integrim do të shtrihet deri te sistemet e fiskalizimit, duke krijuar një zinxhir të lidhur informacioni nga momenti i prokurimit deri në zbatimin dhe pagesat që lidhen me kontratat.

Qendra Alert/Alert.al

Çmimet e produkteve të shportës vijojnë të rëndojnë xhepin e konsumatorit

Çmimet kanë marrë një frenim të lehtë në shtator, por presioni mbi konsumatorët mbetet i lartë. Inflacioni zbriti në 2.9%, nga 3.2% që ishte në gusht, i ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të veshjeve dhe shërbimeve të komunikimit. Megjithatë, ushqimet dhe transporti vijojnë të jenë ndër faktorët kryesorë që mbajnë çmimet lart.

Sipas INSTAT, grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” dha kontributin më të madh në rritjen vjetore të çmimeve, me 0.96 pikë përqindje, ndërsa “Transporti” ndikoi me 0.81 pikë përqindje.

Pas tyre renditet grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera”, me një ndikim prej 0.54 pikë përqindje. Ndërkohë, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kontribuoi me 0.16 pikë përqindje.

Edhe grupet “Pije alkoolike dhe duhan”, “Argëtim, sport dhe kulturë” dhe “Restorante dhe shërbime akomodimi” shtuan nga 0.12 pikë përqindje secili në rritjen e çmimeve.

Në kahun e kundërt, çmimet e “Veshje dhe këpucë” ulën inflacionin me 0.12 pikë përqindje, ndërsa “Informacioni dhe komunikimi” me 0.04 pikë përqindje.

Pavarësisht frenimit në shtator, inflacioni mbetet një çështje e ndjeshme për Bankën e Shqipërisë. Pas rritjes në muajt korrik-gusht, banka vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.5%, por sinjalizoi se rritja e normave në të ardhmen mbetet një mundësi.

Sipas Bankës së Shqipërisë, përshpejtimi i inflacionit gjatë verës u ndikua nga rritja e çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve të papërpunuara, ndërsa presionet e huaja dhe rritja e çmimeve të produkteve bazë në tregjet ndërkombëtare kanë shtuar inflacionin e importuar.

Pra, edhe pse shifra e shtatorit tregon një ngadalësim, çmimet nuk janë larguar nga presioni. Ushqimet, karburantet dhe transporti vijojnë të mbajnë peshën kryesore në koston e jetesës.

Qendra Alert/Alert.al

Ballkani Perëndimor miraton planin për ruajtjen e biodiversitetit dhe restaurimin e ekosistemeve deri në 2030

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë miratuar një kuadër të përbashkët për mbrojtjen e biodiversitetit dhe restaurimin e ekosistemeve të degraduara, me objektiva që shtrihen deri në vitin 2030.

Dy dokumentet kryesore, Plani Strategjik për Biodiversitetin 2030 dhe Plani për Restaurimin e Peizazheve Pyjore, u miratuan në Žabljak të Malit të Zi, gjatë Takimit të Tretë Ministror për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Planet synojnë që deri në vitin 2030 të mbrohet të paktën 30% e zonave tokësore, ujërave të ëmbla, detare dhe bregdetare, ndërsa të paktën 20% e ekosistemeve të degraduara të restaurohen. Objektivat përfshijnë gjithashtu ndalimin e humbjes së llojeve dhe përmirësimin e lidhshmërisë ekologjike në rajon.

Plani për Biodiversitetin 2030 synon të forcojë rrjetet e zonave të mbrojtura, të përmirësojë monitorimin dhe mbledhjen e të dhënave për biodiversitetin dhe të integrojë mbrojtjen e natyrës në sektorë si bujqësia, pylltaria, energjia, menaxhimi i ujërave dhe infrastruktura.

Ndërkohë, plani për restaurimin e peizazheve pyjore parashikon një qasje të integruar për rikuperimin e ekosistemeve, duke lidhur mbrojtjen e biodiversitetit me menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, mbrojtjen e tokës dhe ujërave dhe uljen e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore.

Sipas IUCN, këto dy kuadro janë pjesë e zbatimit të Shtyllës 5 të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, e cila lidhet me mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit. Organizata thekson se zbatimi i planeve do të kërkojë angazhim afatgjatë të qeverive, komunitetit shkencor, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë, si dhe rritje të investimeve për mbrojtjen dhe restaurimin e natyrës. Miratimi i planeve synon të krijojë një përgjigje të koordinuar të vendeve të rajonit ndaj humbjes së biodiversitetit, degradimit të ekosistemeve dhe ndikimeve të ndryshimeve klimatike, duke vendosur objektiva të përbashkëta për veprim deri në vitin 2030.

Qendra Alert/Alert.al

Çfarë duhet të dimë për vajin që shitet si “ekstra i virgjër”?

Vaji i ullirit mund të jetë më “i vjetër” nga sa tregon data në etiketë. Data e konsumit në një shishe vaj ulliri nuk tregon domosdoshmërisht se kur janë mbledhur ullinjtë. Afati minimal prej 18 muajsh llogaritet nga momenti i ambalazhimit dhe jo nga koha e korrjes apo e prodhimit të vajit.

Kjo do të thotë se një vaj me afat konsumi deri në prill 2027 mund të jetë ambalazhuar në vitin 2025 dhe të jetë prodhuar nga ullinj të mbledhur në vjeshtën e vitit 2024. Pra, kur blihet në supermarket, vaji mund të jetë tashmë rreth dy vjeç.

Pas përpunimit, vaji mund të qëndrojë për muaj të tërë në depozita para se të hidhet në shishe. Për këtë arsye, vetëm data e afatit të konsumit nuk mjafton për të kuptuar sa i freskët është produkti.

Një tregues më i rëndësishëm është viti i korrjes së ullinjve. Për vajrat italianë të prodhuar nga një sezon i vetëm, në etiketë mund të gjendet shënimi i fushatës së prodhimit, për shembull 2025/2026. Kjo tregon se ullinjtë janë mbledhur kryesisht gjatë atij sezoni. Ekspertët këshillojnë që vaji ekstra i virgjër të konsumohet sa më i freskët, pasi me kalimin e kohës humbet gradualisht cilësitë e tij.

Për ata që kërkojnë vaj të freskët, një nga treguesit më të mirë është të kontrollojnë etiketën dhe të kërkojnë fushatën e prodhimit 2026/2027. Megjithatë, jo të gjitha vajrat kanë të shënuar vitin e korrjes. Përzierjet e vajrave nga vite të ndryshme ose nga vende të ndryshme mund të mos e kenë këtë informacion në etiketë.

Për konsum familjar, shpjegon drejtori i Teatro Naturale, këshilla mbetet që vaji të konsumohet brenda një viti nga prodhimi, madje edhe më mirë më herët. Grimelli është veçanërisht kritik ndaj vajrave komercialë të përftuar nga përzierje vajrash, të cilët sot ofrohen edhe me çmime 4–5 euro për litër. Sipas përvojës së tij, bëhet fjalë për vajra të prodhuar posaçërisht përmes përzierjeve, me synimin për t’u shitur me çmime të ulëta. Cilësia e tyre, e cila që në fillim është e dobët, vështirë se garanton që vaji të qëndrojë pa problematika për 12 muaj nga momenti i mbushjes në shishe. (IlFattoAlimentare)

Qendra Alert/Alert.al